Sa u pagua vrasësi grek me pagesë dhe ekzekutimi i Devi Kasmit?
Në policinë e shtetit janë të bindur se zbulimi i autorëve të vrasjes së Devi Kasmit në një kohë rekord mund të konsiderohet një nga operacionet e suksesshme të saj. Por zbulimi i vrasësve është ndihmuar edhe nga disa gabime të bëra prej tyre.
Burime nga grupi hetimor thanë për lapsi.al se ekzekutori grek Eftimiu Efthymious e kishte kryer krimin me fytyrën e zbuluar, ndoshta i bindur se nuk mund të identifikohej në vendin tonë. Ai u pa qartë nga Mario Meshini që priste viktimën në takim.
Pasi qëlloi 5 herë mbi Kasmin, mbrëmjen 29 janarit, greku u largua qetësisht në këmbë dhe pak metra më tej ka hipur në një furgon. Burimet thonë se policia ka ndjekur itinerarin e furgonit të përdorur në vrasje për të mbërritur te autorët. Efektivët janë ngatërruar vetëm nga motori i Mario Meshinit që u largua nga vendi i ngjarjes.
Njëri prej dëshmitarëve të shoqëruar tha se e kishte parë viktimën të debatonte pak ditë më parë me një të huaj që fliste greqisht. Kasmi e kishte pikasur grekun të kalonte disa herë para palestrës dhe në një moment e ka ndaluar dh i ka vënë pistoletën në kokë. Kjo plotësoi dyshimet e hetuesve që vunë menjëherë në mbikëqyrje vilën e përdorur nga vrasësit në dalje të Tiranës.
Burimet thanë se në këtë shtëpi u sekuestruan 2 mijë euro dhe 50 mijë lekë. Efthymious rezulton i dënuar në Gjermani për trafik droge, ndaj edhe ishte përjashtuar nga forcat speciale greke. Ai ka hyrë ilegalisht në vendin tonë, pasi nuk figuron i regjistruar në asnjë nga pikat doganore.
Policia dhe Prokuroria thonë se ekzekutimi i Devi Kasmit mund të ketë ndodhur ose për përplasje të grupeve të drogës ose për hakmarrje për një krim të vitit 2011 në Tiranë. Përveç arsenalit të armëve të gjetur në banesën e vëllezërve Hoxhallari në dalje të Tiranës, policia beson që ka gjetur armën e krimit, një pistoletë “Glok” dhe veshjen që përdori vrasësi natën që qëlloi viktimën.
TCH raportoi të shtunën se hetuesit shpresojnë të bindin njërin nga 5 të arrestuarit, që të pranojë statusin e bashkëpunëtorit me drejtësinë, por Prokuroria pretendon se ka prova që vërtetojnë implikimin e grupit.