Albspirit

Media/News/Publishing

Brahim AVDYLI: MURET E AKULLTA TË IZOLIMIT

(Shkrimi i dytë që e lexova nga Agron Iliriani)

 

A e dini çka do të thotë të ndodhesh në burgun më të tmerrshëm të jetës, në burgun të cilit nuk i shihen prangat; nuk i shihen hekurat e mbylljes, qoftë as mesjetare; në të cilën askush nuk e beson se ti ndodhesh?! Ti, përplasesh në çdo anë me mure të blinduara; të ftohtë si akulli; të pathyeshëm; të heshtur, edhe nëse e godet kot së koti, ashtu, fare të pa shpirtë!…

Jo, kjo nuk mund të merret pasysh! E di fare mirë, se ju nuk e dini. Po ua lë këto gjëra, amanet prej meje, sepse mijëra e miliona vite janë futur përpara meje nëpër kthinat e vdekjes dhe nuk kanë mundur, as nuk kanë pasur kohë e fuqi që të shkarravitin me fundin e shpirtit këto detaje të shkurtëra të jetës, jetë i thënshin. Isha me shpirtë në fyt, në mes katrahureve të jetës…

Ju, lexoni me kujdes këtë fletore me gufimet e zemrës prej rrahjeve, me dorën që të dridhet. Po u them se ngjyra që është përdorur nuk është ngjyrë, sepse nuk të lënë askund ngjyrë, por është gjaku i im, gjak i kuq nga plagët…

Atij që është mbyllur kështu si unë, mashkull apo femër, shpresat i ngrihen nga çdo përplasje me transparencën e palejuar për t’u parë; me kufijtë e padukshëm; me boshllëkun e mbetur gjallë, që vret edhe publikisht shpresat tuaja të brishta, të pambrojtura, sikur duan të thonë, ja kështu jeni ju. Askush nuk e beson se ju keni qenë të mbyllur; nuk beson në dënimin e shqiptuar, në një ekzistencë njerëzore të mbylljes, sepse verbësia njerëzore nuk e kap dot të padukshmen, ate që ishte para zeros. Ekzistenca e padukshme, ekzistenca para zeros, është edhe ashtu diskutabile, absurde për syrin tuaj, se padukshmëria nuk besohet as nga ata që u rrethojnë, e të cilët, me apo pa vetëdije të tyre, janë bërë garda e ftohtë e këtij burgu të quditshëm.

Syri juaj njerëzor nuk arrin përtej perdeve të dritës, nuk depërton në anën tjetër, këndej perdes së padukshme. A vuan ndonjë njeri, apo njeri krejtësisht i juaji, përtej perdeve të dritës, nuk arrini që të merrni me mend dhe as që dini nëse ekziston, ku është kjo çmenduri!…

Unë vuaj, përpëlitem, përpiqem, edhe deri në pafundësi, që të thyej akullin e të dalë nga lëvozhga vdekjeprurëse, por askush nuk beson këtë përpjekje të përditshme, reale dhe të kapshme. Madje, as që e shohin këtë vuajtje.

Përtej dritës së qenieve njerëzore, këndej, ata që merren çdo çast me mua, me vujatjet e mia, të cilat t’i shkaktojnë, me sjelljet dhe lëvizjet, që për ta janë vetëm shenjë e një sëmundje e jotja, që pret njëherë “shërimi” urgjent nga ata, e thonë se vetë e kërkon “përkujdesjen” e tyre të përditshme. Të bien për vdekje, e kjo është për ta punë ditore, është terapia që të japin çdo ditë; është loja e tmerrshme dhe e padurueshme e shkatërrimit tënd, gjoja “për shërim”.

Këto qenie, që mund të quhen qenie njerëzore, duken naivë e të pakapshëm kur veprojnë vetëm brenda kompleksit të reales; të prekshmes; që për ty nuk do të thotë me shumë se “vogëlsira”, që të torturojnë në çdo anë, të cilat kështu bëhen me kohën, duke i përballuar ata që mendojnë se i njohin vuajtet tua, por nuk i njohin aspak natyrën shpirtërore të vuajtjeve nga dënimi i pamerituar. Të pushton tronditja dhe tendosja e pafund dhe ik shpirti yt nga dhembjet, pse aq verbërisht të godasin dhe i quan këto “vogëlsira”. Ikin dhembjet, tjetërsohen, e zvogëlon ndjeshmërinë e tyre dhe i quan kështu…

I pamëshirshëm është burgu i padukshëm jetësor, kur vuan gjithnjë me pamundësinë për të lëvizur sipas dëshirave reale të kërkesave tuaja; kërkesave të doemosdoshme; kërkesave normale; që të tjerët guxojnë t’i kenë, t’i prekin, t’i shijojnë, t’i përjetojnë, të gjithë para syve të botës, si të jenë kaherë të uritur, të etshëm, ndërsa ti nuk je në atë hemisferë të tyre, në atë paltformë dhe vetëm se je tharë tashmë nga pamundësia për t’i shijuar e përjetuar kësi kërkesash.

Njerëzia i quajnë këto elemente të fatit, lumturisë, gëzimit, apo kënaqësisë jetësore, e ti je jashtë kësaj mundësie. Për ty, asgjë nuk është e lejuar brenda perdes. Jashtë perdes gjallëron jeta. Je përgjithësisht i dënuar brenda perdes, por ke mundësi që t’i shohësh të gjitha, deri në imtësi. Si i dënuri me etje. E sheh ujin, por nuk e lënë prangat. Përherë rrjedhë uji përskaj tij. Ai digjet nga etja. Ndërsa unë, e shoh jetën e digjem përherë nga kërkesa për të jetuar.

Njerëzit nuk të shohin, nuk i përjetojnë asgjë brenda kësa perde, ku është errësirë, ku nuk ka dritë, ku është vetmia, jo “njëqind vjet vetmi”, apo vetmia njerëzore, por ishulli i vetmuar largë prej botës së gjallë, në oqean, me furtuna, ishulli në të cilin jam i katandisur, gjysëm i zgjuar e gjysëm i vdekur, një burg ireal jashtë reales dhe real jashtë botës njerëzore. Është mestokë dhe e shoh jetën mbi tokë. E ata nuk më shohin mua këtu në mestokë dhe nuk e dinë fare se ka mestokë. Për ta, mestoka është ireale.

Të tjerët, në botën reale, nuk janë duke i përjetuar këso torturash, deri në pafundësi, që unë i përjetoj në çdo çast të mundshëm. I pari që do t’i njohë etjet tua të pashuara është ai që ka kaluar përmes kësaj perde, e cila e ndan dritën dhe errësirën; është muri i heshtur i kalasë dhe i ftohtë, por që mund të shihet jashtë e nuk mund të shihet brenda. Brenda është pothuajse errësirë, e jashtë është DRITË. Ai që e ka kaluar këtë mur dhe është futur brenda, e ka fatin e lig që të ndjejë këto dhembje tonat, të shprehura shkurt apo të shkruara me gjak, e që duket sikur nuk kanë lidhje me njëra tjetrën. U mungojnë disa hallka, por i plotësoni me vuajtjet tuaja. Lirohuni nga këto vuajtje e dilni të gjallë nga kjo kështjellë e mallkuar dhe mësoni si të dashuroni, jo të urreni! Këtë gjë po ua them unë, nga përvoja ime e vuajtur, sepse e kuptova, besoni!…

Ndoshta ai njeri që futet këndej perdes së padukshme do të tallet me ty dhe lutem që ai të mos i gjëjë këto vuajtje e të mia, të shkruara me gjak, në fletoren e përjetësisë. Nëse tallet me ty, do të jetë një prej një milion i rasteve si unë që ka shpëtuar dhe e mendoj si të tillë. Ai do të mendojë se është pafatësia e jote, pagjeturia e jote, shtangia e jote prej dhimbjeve, apo vetë frika e prekjes së fatit të të tjerëve në jetën e padënimeve.

Po të kishe mundësi të heqësh këta zinxhirë të padukshëm të robërimit e që të arrish të dalësh prej perdeve të trasha, të hekurta e të akullta të errësirës dhe të prekësh me dorë ato që të mungojnë gjithnjë, për të cilën t’i tretesh prore dhe shkatërrohesh pa mundur ti përjetosh vazhdimisht, për të cilat të djegë edhe shpirti, nuk do të kishte këso “cilësime”. Zjarri i ndjenjave tua nuk është shuar asnjëherë dhe të djegë sa herë të prekin ngacmimet e goditjet e kësaj që mund të quhet jetë, mos i thënçin jetë. Prandaj, këto përpjekje më shtyn edhe më shumë nëpër rrathët e vdekjes apo të çmendurisë përpara vdekjes, sepse edhe ajo mund të vijë prej torturave të shtuara në pafundësi e do të kishe rast të përmbushje tërë vrullin që kishe dikur për jetë, që të gufonte damarëve të tu.

Nga vllimet tona, nga përplasjet; nga rrëzimi i gotitjeve, mund të ndeshemi në ftohtësinë e gurëve apo të boshllëkut dhe mund të ngrihesh apo të vdesësh përgjithmonë. Duhet të përmbajsh e ta qetësosh veten e ta ruajsh ekuilibrin edhe nëpër këto kthina të rrezikshme të mbytjes, të vrasjes e të vetvrasjes sate, sepse duke arritur që të marrësh frymë; duke e ruajtur veten gjallë e pa e trandur prushin e zemrës, për ta ruajtur nga çdo lëkundje e madhe detin e durimit të shpirtit tënd si të lëkundur, do t’i biesh murit të padushëm të Alkatrazit tënd, të dridhet e të pëlcas nga shëmtia e vet e padukshme! Ta ruash durimin pa lëkundje të shpirtit dhe të buzëqeshësh me shpirt në vend se të qash, është çelësi i dhembjes dhe kështu do të shkyhen një ditë edhe muret.

Ashtu dhe vetëm ashtu do të keni mundësi të shkatërrohet ky burg gjigant dhe ta zhbëni muret e akullta të këtij burgu të shkatërrimit tuaj.

Pra, ky burg do të bëhet copë e grimë nga durimi juaj i veçantë e shëmbullor; do të hapen shtigjet e paskaj të fluturimit tuaj të lirë, të cilat do të marrin përmasa reale edhe për të gjithë ata që e kanë ndërtuar këtë kështjellë të lartë, në mestokë, në një ishull në oqean të stuhishem e largë prej çdo pjese të jetës.

Ma merr mendja se të gjithëve u kanë shenjuar, u kanë dënuar kolektivisht dhe kanë për t’u munduar e stërmunduar, me naivitet të pabesueshëm.

Do të befasohen edhe njerëzit e do të tronditen vetë nga përmasat e vuajtjeve permanente e sistematike tuajën, të cilën, jo vetëm aspak nuk e kanë njohur, por mohuar tërësisht. Kështu, një ditë, do të shqyhen muret e hekurta e të akullta të izolimit dhe, sa kanë mbetur gjallë, do të jenë të lirë…

Rrugën e kthimit, do ta gjeni më vonë.

Paçi durim ndaj dhembjes!…

Please follow and like us: