Sadik Bejko: Bretkoca, nallanet prej druri dhe… të kesh a mos të kesh
Emily Dickinson: JAM ASKUSH
Askushi jam! Kush më je ti?
Dhe ti Askushi je– apo jo?
Nëse po, të dy bëkemi një çift!
Por hesht! se lajmin e hapin ngado.
Oh, sa mjerim – të jesh Dikush!
Sa publike – si bretku kuak e kuak
Gjithë qershorin flet veç emrin e vet
Të fitojë admirimin mbi një batak.
Poezia më sipër, i takon një qytetërimi tjetër. Shekullit të 19-të. Emily Dickinson (1830-1888) jetoi në heshtje. Shkruante poezi dhe… nuk i botoi.
Veç të afërmve, për të nuk e dinte kush që ajo ekzistonte. Kur vdiq, kur u botuan poezitë e saj, menjëherë u bë e njohur.
Prej atëherë, ajo zuri vend të patjetërsueshëm në thesarin e përbotshëm të trashëgimisë poetike.
Një poet shqiptar i heshtuar, i paemër, pushkatuar më 1977, Genc Leka, u takua në Berat më 1967 me Vexhi Buharanë, Vexhiu poet, osmanolog, njohës i kulturës orientale, përkthyes, veç të tjerash dhe i Sadiut dhe i Firdusit. Të dy, Genci dhe Vexhiu, duhet të jetonin si poetët e qëmotshëm persianë, poetë të shkretëtirës që pinin caj të hidhur dhe e udhëtonin shkretëtirën me nallane druri.
Të varfër këta poetët persianë, po me shkëndija gjeniu, i thoshte V. Buharaja, të riut, G. Lekës
Këto që shkrova më lart, m’i kujtoi ajo motoja e ditëve të sotme (e shpallur apo edhe troç e pashpallur), motoja që duhet të kesh, që të jesh. Po nuk pate llogari të majme bankare, po nuk pate prona të paluajtshme me tapi, po nuk pate rrogë të lartë në dollarë a në euro… kush je? Kush nuk je? Në fakt… Askushi je…
Po, ky na është realiteti ynë. Jo pa një hidhërim të tejdukshëm, jo pa një ton sarkastik të shpallur, qytetërimi ku jetojmë, qytetërimi në fuqi, në nenin nr. 1 të Kushtetutës na thotë: Duhet të Kesh, që të Jesh.
Kush nuk Ka, nuk Është, kush nuk Është nuk Duket, kush nuk Duket, mund të vuajë, të vdesë si një kafshë… Kush nuk Ka është pa të drejtë qytetarie dhe pa të drejtë ekzistence në këtë Universin e Ri Virtual të këtij të famshmit, të qytetërimit tonë.
Pak e hidhur kjo, por… fare, fare e vërtet. Jemi në Erën e hedonizmit dhe të konsumizmit… jetojmë Erën e Imazhit të afishuar… Jetojmë që të paguajme për të qenë imazh (dhe… imazh i klikuar… ndryshe nuk ekzistojmë…) këto janë vlerat e kësaj kohe, vlerat e kohës sonë, e kohës ku po marrin frymë.
Mund të mos jemi dakord? Po atëherë shkoni te poetët persianë që ecnin me nallane nëpër shkretëtirë… Ose shkoni te amerikania, te Emily Dickinson. Bretkoca e saj, për të fituar admirimin e batakut, edhe sot thërret e bërtet fort e fort emrin e vet.
Po. Kjo është reale. Djemtë tanë vdesin në gomonet e detit në ca trafikhane për ca pare. Gocat tona vetëvetiu trafikohen në Metropole ku paguhen… për ca Pare.
Politikanët tanë, nëpunësit tanë përdhosin ligjet… për ca miliona euro… për ca të krimbura Pare.
Publicistët tanë më me emër dhe kur janë kuq.. kuq – kuq e të majtë, shërbejnë në të djathtë… se zanati duhet të shndërrohet në pare…. Se gjithmonë biznesi është biznes…
Se dhe bretkoca e bërtet, e flet emrin e vet me kuak e kuak… përmbi batak.
…se motoja e qytetërimit tonë është: Duhet të Kesh që të Jesh.