Albspirit

Media/News/Publishing

“Vatra”-Ramës: Pse nuk e përgënjeshtroni deklaratën për 12 miljet detare?

Çështja e marrëveshjes së detit mes Shqipërisë dhe Greqisë, është kthyer shpejt në një temë të nxehtë për shqiptarët, brenda dhe jashtë kufinjve.

Reagimi i radhës ka ardhur nga shoqata “Vatra”, me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, cila në një deklaratë zyrtare në lidhje me bisedimet greko – shqiptare, i kërkon qeverisë shqiptare, të japë shpjegimë në lidhje me deklaratat e ministrit grek Nikos Kotzias për marrjen e 12 milje detare nga Shqipëria.

Gjithashtu ata dënojnë deklarimet e presidentit grek Prokopis Pavlopulos se nëse përmendet çështja Çamë, atëherë do të bllokohet integrimi i Shqipërisë në BE.

Deklarata e plotë:

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA i ka ndjekur me kujdes dhe interes të vecantë bisedimet e Ministrave të Jashtëm të Shqipërisë Ditmir Bushati dhe atij të Greqisë Niko Kotzias, zhvilluar në Kretë dhe në Korçë,në dy raunde 3-ditore për zgjidhjen e problemeve të vjetra mes dy vendeve të mbartuara që para 70 vitesh.

Duke qenë se Qeveria shqiptare ende nuk ka dhënë detaje dhe informacionin e nevojshëm për shqiptarët rreth asaj që u quajt “Marrëveshje Historike” nga Kryeministri Rama dhe Ministri i Jashtëm Bushati, Vatra ndjehet e shqetësuar për atë çfarë deklaroi Mnistri i Jashtëm i Greqisë, Niko Kotzias se “Shqipëria ka rënë dakord që Greqia të zgjerojë kufirin detar në 12 milje.”

Mospërballja e qeverisë shqiptare me këtë deklaratë, moskundërshtimi, e shton shqetësimin e Vatrës dhe të vatranëve.

Vatra që 105 vitet e jetës së saj ia ka kushtuar mbrojtjes së tërësisë së Shqipërisë, Vatra që mbrojti Korçën dhe Gjirokastrën në kohë të vështira, në Konferencën e Londrës dhe në atë të Parisit, i apelon qeverisë që të mos hyjë në pazare që cënojnë kufijtë shqiptarë dhe t’u japi detaje shqiptarëve për marrëveshjen, që pritet të nënshkruhet në Tiranë gjatë vizitës së Kryeministrit Aleksis Tsipras në Tiranë në muajin prill.

Vatra sjell në kujtesë të shqiptarëve edhe lëshimin që ka bërë qeveria shqiptare për lejimin e ndërtimit të varrezave greke në territorin shqiptar. Do të mjaftonte një Memorial në kujtim të viktimave të asaj lufte që nuk e bënë shqiptarët, por italianët dhe grekët.

Po ashtu Vatra sjell në kujtesë edhe çështjen e pazgjidhur Çame, për të cilën Ministri i Jashtëm Grek deklaroi, në kundërshtim me atë çfarë deklaroi Ministri ynë, se nuk është shtruar fare në tryezën e bisedimeve.

Deklarata e fundit e Presidentit Grek Prokopis Pavlopulos, i cili e konsideron Çështjen Çame të pakuptimtë, e kyç problemin përfundimisht në “Kalendat Greke”.

Kërcënimi i presidenti Pavlopulos se Greqia do të bllokojë çeljen e negociatave të Shqipërisë në BE nëse shtrohet Çështja Çame, nuk përcjell frymën Europiane të një vendi anëtar i BE, siç është fqinji ynë jugor.

Vatra është e interesuar që marrëdhëniet me fqinjin jugor të jenë të mira dhe problemet e mbartuara të gjejnë zgjidhjen e duhur, por jo duke “dhuruar” hapësira detare, apo pasuri të shqiptarëve. Shqipëria nuk mund ta “blejë” votën e Greqisë për çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE duke dhuruar pasuritë Kombëtare apo duke braktisur Çështjen Çame.

Please follow and like us: