Agron Duka: Mbi statusin e grupit “Erzeni Ultras”
Këto tri ditë është folur shumë për statusin e grupit “Erzeni Ultras” që unë ndava në profilin tim Facebook, duke e anatemuar si një ndërhyrje në garën e FSHF-së.
Nuk jam i ri as në sport dhe as në politikë, për këtë arsye nuk surprizohem nga ky përdorim i një gjesti personal për ta kamufluar atë si një ndërhyrje të politikës; që, mesa duket, qenka më e rëndë se sa vetë kandidimi i një politikani në këtë garë.
Megjithatë, të mos flasësh për të vërtetat e tua, është një formë e rëndë hipokrizie, dhe unë nuk kam ndërmend të lejoj këtë spekulim.
Arsyeja pse ndava atë “status” nuk ishte pasojë e pohimit që ato rreshta përmbanin, por për shkak të mirënjohjes që ky komunitet gëzon dhe shpreh për atë që im vëlla ka bërë për zhvillimin e futbollit në rang kombëtar.
Për sa i përket kontributeve të familjes Duka për sportin dhe për futbollin në Shijak, shënon më shumë se pesëdhejtë vjet. Një gjysmë shekulli që nis me tim atë, Enever Duka, si pjestar dhe trajner i ekipit të Erzenit, deri tek unë si antarë i ekipit të volejbollit për më shumë se 15 vjet. Në vitet ’96, ’97, ’98 kemi qenë sponsorizues të ekipit të volejbollit të meshkujve, i cili arriti të fitonte tri herë Kampionatin Kombëtar dhe dy kupa Republike.
Për këto arsye, si shijaks, ndava me miqtë e mi të Facebook-ut atë status, pasi mirënjohja e tyre ishte dhe është më e fortë se paragjykimi i disa të tjerëve. Sesa ne kemi dashur, bërë tifozllëk, punuar dhe sposorizuar për sportin e qytetit tonë e di gjithë komuniteti i Shijakut, ndonëse pak individë nuk bëjnë dot paqe me këtë fakt.
Për sa i përket votës për të cilën bëhej apel në ato rreshta, unë e vlerësoj si një votë morale që vjen nga përfaqësues të futbollit të Shijakut dhe jo si një votë që bën diferencën në garën e vëllait tim, pasi jam jo vetëm krenar por edhe i sigurt se kontributi, sukseset dhe aftësia e tij në krye të FSHF-së do të vlerësohet nesër nga gjithë komuniteti i futbollit.
Megjithtë, dua t’i uroj suksese futbollit shqiptar, shpresoj fort që e ardhmja të përkoj me të shkuarën e afërt, dhe kualifikime si ai i EURO 2016 të bëhen traditë për Kombëtaren “Kuq e Zi”.