Feti Zeneli: Media dhe “pritat” antiopozitare
Me daljen në treg të “Rilindjes Demokratike”, gazetës së parë opozitare në vend në 5 janar 1991, edhe në Shqipërinë shurdh-memece ndaj fjalës së lirë, krahas ngritjes së institucioneve të tjera demokratike u hodhën themelet për ndërtimin e ngrehinës së pushtetit të katërt; pra të medias së pavarur. Iniciatorët e instalimit të pluralizmit politik në Shqipëri, që tri javë më parë kishin krijuar partinë e parë opozitare në vendin më të izoluar të botës, e kishin të qartë, se demokracia për të cilin ata kishin luftuar, nuk do të ishte funksionale pa lirinë e shtypit dhe fjalën e lirë në përgjithësi. Sepse ata e dinin shumë mirë ç’kishte thënë Thomas Jefferson, këtu e dy shekuj të shkuar: “Nëse unë duhej të zgjidhja, që ne amerikanët duhet të kishim qeveri pa gazeta, apo gazeta pa qeveri, nuk do të hezitoja për asnjë moment për të zgjedhur të dytën, pra, më mirë gazeta pa qeveri”. Sot jemi 28 vite vite më pas, dhe media jonë e lirë ka arkivuar gjatë kësaj periudhe, gjithë historinë e kontributit të saj në zhvillimin e demokracisë shqiptare. Por në këtë rrugëtim të vështirë, përkundër misionit të saj historik, jo pak herë ajo është ulur të pushojë e të bëjë edhe pazare amorale me pushtetin politik të radhës, për interesa tërësisht antidemokratike mes palëve. Dhe kur nuk ka dashur të pushoj, media është lënë “me gisht në gojë” nga pushteti ekzekutiv i shumicës parlamentare, me qëllim që t’i shkojë pas avazit, madje dhe është ndëshkuar me burgosje të gazetarëve e djegje të redaksive, siç ka ndodhur këtu e 20 e ca vite më parë, me gazetën “Koha Jonë”, megjithëse ky i fundit, si veprim ekstrem që është, mbetet një rast i vetëm. Faktet tregojnë, se ajo që e ka dominuar më shumë jetën publike, në këto 28 vite pluralizëm, përsa i përket rolit të medias, ka qënë ortakëria e saj me pushtetin e radhës, sipas parimit të përfitimit reciprok. Kësisoj media; pra pushteti i katërt, fillon të bëj propagandë për qeverinë; pra për pushtetin e dytë, dhe ky i fundit ja kthen nderin; me tendera, leje ndërtimi, koncesione, e kështu me radhë. Kjo ishte gjysma e së keqes deri në fund të 2013-ës, pasi media kishte disa fakte dhe argumenta në favor të mbrojtjes qeveritare, të cilat lidheshin me treguesin e zhvillimeve ekonomike, mirëqënies qytetare dhe investimeve të shumta publike në infrastrukturë, bujqësi, turizëm, energjitikë, arsim, shëndetësi, etj. Por ka 4-5 vite që qeverisja e vendit nga mazhoranca aktuale, e ka vënë median në vështrësi, të themi, për shkak të rezultateve të dobëta në fushën ekonomike, korrupsionit të shtuar, mungesës së investimeve publike, rritjes së varfërisë dhe kostos së jetesës qytetare, ortakërisë me krimin, kanabizimit të vendit, emigrimit sirian të shqiptarëve nga atdheu i tyre dhe mjaft problemeve të tjera. Në këto kushte, pushteti i katërt, ka zgjedhur t’i shërbej pushtetit të dytë në Shqipëri, në një mënyrë allashqiptarçe, të panjohur kund në botë, duke sulmuar e fajësuar opozitën dhe njerëzit pa pushtet për situatën e vështirë social-ekonomike që është krijuar si rezultat i keqeverisjes majtiste të vendit tonë. U bë kaq kohë, që një pjesë e mediave tona, në vend që të bëjnë tema editorialesh apo shkrimesh të tjera; futjen në Parlament apo ngritjen në pushtet të individëve me rekorde kriminale, pushtimin mazhoritar të institucioneve të pavarura, shndërrimin e Shqipërisë në “kanabistan” dhe “Kolumbi të Europës”, përzënien me hu të investitorëve të huaj, varfërimin afrikan të qytetarëve, politizimin ekstrem të administratës publike, eksodin si në kushte lufte të njerëzve, etj., i janë turrur opozitës, duke e akuzuar atë si bartëse e virusit të keqeverisjes tek pushteti i “Rilindjes”. Kjo është arsyeja që shkrimet dhe rubrikat mediatike ngjajnë si dy pika ujë, si në formë ashtu dhe përmbajtje me fjalimet politike të përfaqsuesve të mazhorancës. Kaq shumë është tepëruar në këtë drejtim, saqë militantëve majtistë dhe mediatistë u është mbushur mendja, se Shqipërinë po na e qeverisë opozita dhe kryeministër na qënkërka kreu i saj, z. Lulzim Basha. Një tendencë e tillë u shfaq lakuriq në “Studio e hapur”, në 1 shkurtin e javës së kaluar, e cila tregoi fare qartë, se opozita e vendit ka nisur që të vihet në “grykën e topit” mediatik, me po të njëjtin zell, pandjeshmëri e strategji antiopozitare, që kanë shfaqur e ndjekur edhe topçinjtë e politikës së majtë shqiptare përgjatë këtyre 4-5 viteve të fundit. Shkrime dhe emisione të ndryshme antiopozitare, ka patur edhe më parë në shumë media, por ajo që ndodhi të enjten e këtij 1 shkurti në darkë, ishte një “pritë ndaj opozitës”, siç u shpreh me të drejtë, kreu i saj, z. Lulzim Bashës, i cili u ftua në emision televiziv dhe u gjend nën agresion abiziv. Aty, në atë shteg “të hapur” mediatik kreu demokrat u ndesh me breshërinë e pandërprerë të ndërprerjeve automatike të fjalës, pas çdo fjalie që ai përpiqej të artikulonte, për t’u rralluar disi në momentin, që një prej gazetarëve të pranishëm, zuri t’u tërheq vëmendjen kolegëve të tij, se nuk i duhet adresuar vetëm opozitës, gjithë përgjegjësia politike e situatës dramatike në vend. Fakti, që gjithëçka filloi sapo kreu demokrat përmendi madhështinë e protestës së 27 janarit, duket se shkak i ndezjes së gjakrave të nihilizmit gazetarsek në këtë emision televiziv, ka qënë pikërisht suksesi i këtij aktiviteti demokratik, të udhëhequr nga opozita. Pjesmarrja masive, si asnjëherë tjetër më parë në vitet e pluralizmit, dhe qytetaria perëndimore e dëshmuar në këtë protestë, e paskan shqetësuar kaq shumë palën kundërshtare, sa që janë vënë në lëvizje, sigurisht “me urdhër nga lartë e me iniciativë nga poshtë”, edhe kaçakët mediatik, për të ngitur “pritat” e mundshme antiopozitare, ndaj shpresës, do thoshim, që ajo protestë ngjalli tek mbarë njerëzit tanë, për ndryshimin sa më shpejt të situatës së krijuar. A nuk është “pritë” antiopozitare dhe vrastare njëherësh, tendeca për ta ndarë fifty-fifty, midis mazhorancës dhe opozitës, përgjegjësinë qeverisëse të vendit në këto 4-5 vitet e fundit? Apo më keq akoma, të fajësosh opozitën për ngjarje apo fenomene të cilat ndodhin tërësisht për faj të qeverisë, siç është, fjala vjen, emigracioni i shtuar i shqiptarëve pas 2013-ës, drejt vendeve të Bashkimit Europian? A nuk kishte këtë kuptim pyetja që iu drejtua Bashës në emision: “Pse nuk vijnë tek opozita shqiptarët, por ikin në emigracion? Hë, m’u përgjigj!”. Ose, “çfarë po bën ti si opozitë për të ndaluar pastrimin e parave të drogës në ndërtimin e kullave të larta prej betoni në kryeqytet?”. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për etiketimin e deputetit Agron Shehaj si “oligarkë”, cilësimin si “banda” identike, të dy partive të madha, që kanë qeverisur vendin tonë në vitet e pluralizmit, vendosjen e shenjës së barazimit midis koncesioneve të HEC-eve, dhënë nga qeverisja e PD-së, me ato të “check up”-it, dhënë nga “Rilindja”, vënia nën të njëjtin emërues të përbashkët të përgjegjësisë, për të sotmen dhe të shkuarën qeverisëse, etj. Dhe pasi i shpëtoi kurthit të kësaj “prite”, kreu i opozitës u përball të nesërmen me sulme të ngjajshme, që e bënin atë përgjegjës edhe për vetmbrojtjen e treguar, duke e cilësuar atë me ironi, si “….viktima e antiopozitarizmit të shpallur të shqiptarëve”.
Dalja e një pjese të mirë të medias shqiptare nga rreshtimi përkrah interesit publik, dhe vënia e saj nën armët e qeverisë, ja ka vështirësuar së tepërmi zotit Basha, përmbushjen e misionit opozitar, që i ka ngarkuar vetes. Por formimi perëndimor, virtytet e larta morale, mprehtësia intelektuale dhe gjakftohtësia e argumentimit politik ja bëjnë më të lehtë përballimin e këtyre vështirësive. Këto cilësi, që u vunë re edhe tek emisioni i sipërcituar, e ndihmojnë atë të luftojë për të vërtetën, në kushtet kur “…ajo është fshehur kudo”, siç thoshte Bertold Breht tek eseja: “Pesë vështirësi për të shkruar të vërtetën”, ndonëse ajo i referohet një realiteti nga koha e Luftës së Dytë Botërore. Në kohën e sotme mjaftojnë katër nga këto cilësi, të cilat Basha i ka, si “kurajën…, zgjuarsinë…, mjeshtërinë…, mprehtësinë…”, për të thënë të vërtetën. Nga ana tjetër, siç nënvizon shkrimtari i shquar gjerman, ai që do të shkruaj apo thotë të vërtetën “…nuk duhet të përkulet përpara të fuqishmëve dhe as t’i mashtrojë të dobëtit”. Pikërisht mbi bazën e një raporti të tillë me të vërtetën i ka ndërmarrë z. Lulzim Basha iniciativat e deritanishme politike për dekriminalizimin e parlamentit, standartizimin “venecian” të ligjit për reformën në drejtësi, bashkëpunimin me qeverinë për zgjedhje të lira e të ndershme, dekanabizimin e pushtetit aktual, dhe tashë së fundi, krijimin e një qeverie antimafie. Ndërkohë pjesa dërrmuese e mediave shqiptare, ashtu siç ndodhi edhe tek “Studio e hapur”, flasin e shkruajnë për “kodra pas bregut”, me qëllim që të rrudhin frymën opozitare, e cila për opinionin e shëndoshë qytetar të vendit tonë është gati, po kaq e domosdoshme sa në fillim të viteve ’90. Në rast të kundërt nuk do të vazhdohej ende me njëanshmëri shkrimesh e kronikash pa fund për “piramidat e ’97-ës”, “SHIK-un e Saliut”, “Gërdecin”, “21 janarin”, etj; pra duke publikuar “të zezat” e pushtetit të demokratëve, pa thënë asnjë fjalë për arritjet e tij lidhur me ekonominë, mirëqënien dhe integrimin euro-atlantik të vendit. Fatkeqsisht, dhe me bekimin e pazëshëm të disa ndërkombëtarëve, po krijohet një koalicion interesash private për të goditur opozitën, që është institucioni kryesor për mbrojtjen e demokracisë dhe interesit publik tek ne. Po përveç palës politike, që nuk e do opozitën “në punë”, për shkak se i rrezikon trashgiminë e pushtetit dhe i prish komoditetin qeveritar të siguruar me votat e blera me kanabis në zgjedhjet e 25 qershorit, ka edhe një palë tjetër, ajo mediatike, e cila pyet e bërtet, se “ku është opozita”, apo “pse s’po punon ajo”? Në këtë krah, janë ata, që s’e kanë parë ai aleate të interesit publik; opozitën e ligjit të dekriminalizimit që shkërmoqi mazhorancën gjigande të “1 prillit”; atë opozitë që i imponoi standarde europiane reformës në drejtësi për t’i dhënë fund “hakmarrjes për drejtësi”; apo opozitën e “Çadrës” 90-ditore, me sjellje perëndimore, që bëri të shpërthej anë e mbanë vendit qelbësira kanabiste e “Rilindjes”; dhe së fundi, opozitën e protestës madhështore të 27 janarit për ringjalljen e shpresës së ndryshimit edhe në Shqipëri. Mesa duket, këta duan një opozitë banditeske e zjarrvënëse, si ajo e 97-ës; një opozitë që pushton institucionet, si ajo e ’98-ës; apo një opozitë, që u vërsulet forcave të rendit me armë të ftohta e të nxehta, si ajo e 2011-ës. Pra, duan një opozitë “pa themel moral”, lajkatare dhe lakmitare njëkohësisht, që betohet “për pushtet” dhe jo “për popull”, ndërkohë që sipas përvojës filozofike të Rusoit; “çdo gjë e keqe në moral, është e tillë edhe në politikë”, ashtu siç është e tillë dhe në media. Por opozita është pushteti moral i qytetarëve në një sistem të shëndosh demokratik. Parë në këtë këndvështrim, do të thosha, se opozita shndërrohet në zëdhënësen e zërit qytetar kundër qeverisë, për problemet e ndryshme që shqetësojnë popullatën e vendit, gjë e cila e lidh atë në mënyrë të natyrshme edhe me misionin e medias së pavarur. Ndaj apeli i Bashës në 5 janar të këtij viti për gazetarët e pranishëm me festën e krijimit të RD-së ishte: “Nuk them të mos bëni kritika për opozitën”, por kjo duhet bërë me vend dhe me mend. Ndërkohë, po t’i kishte ndodhur më herët ky linçimi mediatik në “Studio e hapur”, me çiltërsinë që e karakterizon mund të kishte thënë: “Të paktën mos e kritikoni opozitën në emër të qeverisë”!…