Albspirit

Media/News/Publishing

Mediat on line të përmbytura në gjuhë urrejtje e shkrime pa autor

Historia Ime publikon gjetjet e Monitorimit të Gjuhës së Urrejtjes dhe/ose Gjuhës Diskriminuese në Median Shqiptare Online. Monitorimi i realizuar për të tretin vit rresht ka për qëllim evidentimin e problematikës së gjuhës së urrejtjes dhe gjuhës diskriminuese nga redaksitë e mediave online në këta tregues kryesorë:

  • Format me të cilat shprehet gjuha e urrejtjes/diskriminuese
  • Temat e artikujve të cilët kanë më shumë përmbajtje diskriminuese/urrejtje
  • Të dhëna specifike mbi grupet apo individët më të prekur nga gjuha e urrejtjes/ diskriminuese si gjinia dhe grup mosha

Pjesë e këtij monitorimi të realizuar në periudhën Tetor-Dhjetor 2017 nga Pro LGBT dhe redaksia e “Historia Ime” kanë qenë këto katër media online:

  • Ballkanweb.com
  • GazetaTema.net
  • Opinion.al
  • Syri.net

Disa nga gjetjet kryesore të monitorimit:


11.9% e artikujve të monitoruar kanë përmbajtje të gjuhës së urrejtjes/diskriminuese:

Grupi monitorues ka analizuar gjuhën diskriminuese dhe/ose atë të urrejtjes të shfaqur jo vetëm në përmbajtjen e tekstit, por edhe në elementet e multimedias (video, foto, audio) të përfshira në artikujt e publikuar të cilat janë klasifikuar si diskriminim indirekt. Nga 7730 artikuj të monitoruar janë gjetur 974 të cilët përmbajnë gjuhë urrejtje ose gjuhë diskriminuese. 


Vetëm 0.73% e artikujve me gjuhë diskriminuese/urrejtje kanë autor:

Analizimi i të dhënave mbi burimin e gjuhës së urrejtjes/diskriminuese në formatin e monitorimin tregon dy aspekte interesante të të dhënave. Në vetëm 9 raste nga 974 artikujt me gjuhë urrejtje/diskriminuese kanë një emër të qartë autori, fotografi apo firmë.

Gjatë monitorimit artikujt të cilët nuk i përmbajnë këto të dhëna janë klasifikuar si redaksional. Komentet, fotografitë, titujt apo shënimet redaksionale janë sipas të dhënave burimi kryesor, (51.14% të rasteve) i gjuhës së urrejtjes dhe gjuhës diskriminuese.

Në 48.12% të rasteve gjuha e urrejtjes/diskriminuese vjen nga burimet, që në këtë monitorim janë konsideruar personat e cituar, pjesë të shkruara ku autori bëhet i qartë, apo burime të tjera dytësore ku autori është i evidentuar.

Pesë temat kryesore të artikujve me përmbajtje të gjuhës diskriminuese/urrejtjes:

Një rëndësi e veçantë në këtë monitorim i është kushtuar edhe kontekstit dhe përmbajtjes së artikujve.  Bazuar në të dhënat“Global Media Monitoring Project” – një studim i Australian Press Council, është përdorur një sistem kodimi specifik për median online me 55 pika për të përcaktuar temat e artikujve të monitoruar.

  1. Politika të brendshme – qeverisja etj.
  2. Krime që klasifikohen si jo të dhunshme – Ryshfet, grabitje, vjedhje, drogë, korrupsion etj.
  3. Krime të dhunshme – Vrasje, rrëmbime, sulme, plagosje etj.
  4. Portretizimi në media i grave/ burrave
  5. Dhunë gjinore bazuar në zakone, dhunë në familje, marrëdhënie personalie, ngacmime ndaj grave, përdhunime, sulme seksuale, trafikim

Forma më e përhapur e gjuhës së urrejtjes/diskriminuese: “Argumentime me të meta”:

Një tjetër aspekt i rëndësishëm në këtë monitorim i cili shërben për të treguar kontekstin dhe mënyrën si media përhap këtë përmbajtje është edhe pasqyrimi i formave të gjuhës së urrejtjes dhe/ ose diskriminimit. Ndër format më të shpeshta që janë hasur gjatë monitorimit është përdorimi i argumentimeve me të meta, (23.77% e rasteve) i cili shprehet përmes shtrembërimit të deklaratave dhe nxjerrjes jashtë kontekstit, në pjesën dërrmuese të rasteve kjo formë është hasur në lajmet që lidhen me politikën dhe akuzat e ndërsjellta të kundërshtarëve.

Një tjetër formë e hasur shpesh është gjuha që përkrah dhe nxit dhunën, rastet kur ajo përdoret janë kryesisht lajme që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndëretnike, rastet e krimeve të dhunshme në familje dhe raportimit mbi gratë viktima të përdhunimeve dhe abuzimit.

Please follow and like us: