Albspirit

Media/News/Publishing

Nuk ka kala që nuk marrin komunistët, dokumenti

Ish-Drejtori i Arkivit në Ministrinë e Brendshme, Kastriot Dervishi të martën ka publikuar një raport të prokurorit të përgjithshëm, Aranit Çelaj, të vitit 1958, ku theksohej se përqindja e komunistëve të proceduar për vepra penale të ndryshme në Rrethin e Tepelenës ishte më e larta në republikë. Përmes një shënimi në Facebook, Dervishi shkruan se raporti i prokurorisë zbulonte se komunistët ishin të shumtë në vjedhje të pasurisë socialiste, dhunim të banesave, shtrëngim për martesë, plagosje dhe shkelje të rregullave të komunikacionit.

Shënimi i plotë:

Partia e Punës i mësonte anëtarët e vet se duhej të ishin shembull në shoqëri. Këtë e materializonin shpesh herë agjitimin e 10 cilësive të komunistit. Sipas tyre, komunisti duhej të ishte shembull në shoqëri, duhej të ishte i pari në sakrifica e i fundit në pretendime. Megjithëkëtë, raportet e kohës janë të shumta për komunistët që jo vetëm shkelnin disa ose të gjitha parime. Shifrat ishin shqetësuese. Një raport i prokurorit të përgjithshëm, Aranit Çela, thuhej se komunistët ishin të shumtë në vjedhje të pasurisë socialiste, dhunimin e banesave dhe shtrëngimet për martesë, plagosje, shkelje të rregullave të komunikacionit, etj.

***
Prokuroria e Përgjithshme
Drejtoria e Hetuesisë
Tiranë, 11.9.1958

Ju njoftojmë se nga analiza e kriminalitetit në Rrethin e Tepelenës për periudhën janar-korrik (1958), rezulton që 21.98% të të procedurave të jenë anëtarë dhe kandidatë partie. Krimet më të zakonshme për të cilat janë proceduar komunistët janë: vjedhje të pasurisë socialiste, dhunim banimi dhe shtrëngimi për martesë, plagosje, shkelje të rregullave të komunikacionit, etj. Për sa i përket vjedhjes së pasurisë socialiste, përqindja e komunistëve përfaqëson 50% të të proceduarve. Kështu p.sh. është proceduar në bazë të nenit 85 ish anëtari i partisë Haxhi Q., me detyrë magazinier në NSHFP Memaliaj, i cili qysh prej vitit 1955 përvetësonte në bashkëpunim me Rustem K., bir kulaku dhe shitës po atje. Manxhar M. nga Lekdushi ish kryetar i Komitetit Ekzekutiv të KP të Lokalitetit Memaliaj u procedua për vjedhjen e 7492 lekëve me anë të borderove false. Qani L., ish përgjegjës furre në NSHFP Memaliaj për vjedhjen e 12 thasëve, etj.

Theksojmë se përqindja e komunistëve të proceduar në Rrethin e Tepelenës është më e larta në republikë. Për gjendjen e mësipërme dhe duke e lidhur me faktin se në përgjithësi për periudhën në fjalë në Rrethin e Tepelenës kemi një ngritje të kriminalitetit prej 35.72%, prokuroria e atjeshme këtë problem e ka shtruar në mbledhjen e përbashkët, duke njoftuar edhe në mënyrë të veçantë Komitetin e Partisë. Për gjendjen e mësipërme mendoj se duhet ndërhyrë pranë Komitetit të Partisë së Rrethit të Tepelenës.

Prokurori i përgjithshëm, Aranit Çela

Please follow and like us: