Strategjia evropiane për Ballkanin
Komisioni Evropian shpalosi Strategjinë për Zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor, që ripërcakton nga njëra anë detyrimet kryesore që vetë vendet e rajonit duhet të përmbushin, me përqendrim të veçantë në Shtetin ligjor dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe mes tyre, ndërsa nga ana tjetër, flet për një angazhim në rritje të vetë Bashkimit Evropian për t’i mbështetur më shumë këto vende në rrugëtimin e tyre.
Gjatë publikimit të dokumentit nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini dhe komisionari për zgjerim, Johanness Hahn, u tha se strategjia hap dyert për integrimin e rajonit.
“Kjo strategji ofron perspektivë konkrete dhe të qartë të integrimit evropian për secilin nga gjashtë partnerët tanë, qartazi varësisht nga meritat në proces, që janë shumë mirë të njohura” tha zonja Mogherini
Strategjia shpjegon hapat që duhet të hedhin Mali i Zi dhe Serbia për të përmbushur procesin e anëtarësimit deri më 2025, ndërsa vendet tjera mund të synojnë atë afat. Mali i Zi dhe Serbia janë të vetmet vende që tashmë janë të përfshira në negociatat për anëtarësim. Kjo perspektivë përfundimisht do të varet nga vullneti i fortë politik, realizimi i vërtetë dhe i qëndrueshëm i reformave si dhe zgjidhjet përfundimtare të kontesteve me fqinjët, thuhet në dokument.
Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mundësinë që të lëvizin përpara në rrugët e tyre evropiane. Komisioni i vlerëson të gjitha vendet në mënyrë të drejtë dhe objektive, bazuar në meritat e tyre dhe në shpejtësinë sipas së cilës ato arrijnë përparim.
Shqipëria dhe Maqedonia janë duke shënuar përparim të dukshëm në rrugët e tyre evropiane dhe Komisioni është i gatshëm të përgatisë rekomandimet për hapjen e negociatave të anëtarësimit, në bazë të kushteve të përmbushura.
Komisioni do të fillojë të përgatisë një opinion lidhur me aplikimin për anëtarësim tëBosnje dhe Hercegovinës pas pranimit të përgjigjeve gjithëpërfshirëse dhe të plota në pyetësorin e saj. Me përpjekje dhe angazhim të qëndrueshëm, Bosnje dhe Hercegovina mund të bëhet kandidat për anëtarësim.
Kosova ka një mundësi për përparim të qëndrueshëm përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe për të avancuar rrugëtimin e saj evropian, sapo të lejojnë rrethanat objektive, thuhet në dokument.
Komisionari Johannes Hahn tha se Bashkimi Evropian nuk do të pranojë asnjë vend që nuk i ka të zgjidhura konfliktet dypalëshe.
“Në këtë kuadër, do të thosha që kjo duhet të shërbejë si motivim për Kosovën që të ndihmojë në rezultatin pozitiv të bisedimeve të lehtësuara nga zonja Mogherini. Pra nuk është vetëm në interes të Serbisë, por është edhe në interes të Kosovës që të gjejë zgjidhje pozitive që do të hap rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, tha ai.
Dokumenti njeh përparimin e bërë ndër vite “por në mënyrë që vendet të përmbushin të gjitha kushtet e anëtarësimit dhe të forcojnë demokracitë e tyre, ende kërkohen reforma gjithëpërfshirëse dhe bindëse në fusha vendimtare” duke veçuar drejtimet kryesore si: sundimin e ligjit, sigurinë dhe çështjet e migracionit, lidhjet e transportit dhe energjisë, dhe ripajtimin e bashkëpunimin rajonal e pajtimin.
Në kuadër të përgatitjeve që duhet të bëjë edhe Bashkimi Evropian, dokumenti parasheh edhe veprime të veçanta për të siguruar që shtetet e ardhshme anëtare nuk janë në gjendje të bllokojnë anëtarësimin e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Publikimi i strategjisë është një nga zhvillimet e rëndësishme për rajonin gjatë këtij viti. Në muajin prill, Komisioni Evropian do të publikojë raportin e përparimit të këtyre vendeve, ndërsa në muajin maj në Sofje, pritet të mbahet takimi i lartë i vendeve të Ballkanit Perëndimorë. Strategjia e zgjerimit do të diskutohet më pas në qershor në takimin e lartë të Bashkimit Evropian, ndërsa në korrik në Londër do të mbahet takimi i radhës i vendeve të Ballkanit Perëndimorë.
Këto zhvillime shihen si një përpjekje e ripërtërirë e Bashkimit Evropian për një qasje ndryshe ndaj rajonit të trazuar për shkak të rritjes së ndikimit rus, krizës së emigracionit, rrëshqitjes së Turqisë drejt autoritarizmit dhe synimit për të forcuar integrimin evropian pas largimit të Britanisë në vitin 2019.