Albspirit

Media/News/Publishing

Edlira Dedja: Armaldo Kllogjeri, një zë i artë tenori

A mund të ketë diçka më emocionuese në zhanrin e muzikës lirike se sa zëri i bukur i një tenori? Në gjithë literaturën operistike është pikërisht ky zë që përfaqëson imazhin e vërtetë të operës, figurën qëndrore të saj ; është pikërisht ky regjistër që mishëron bukurinë dhe potencën e një game të ndërtuar deri në notat më të larta të regjistrit vokal.

E një nga zërat më të bukur të tenorëve shqiptarë është ai i Armaldo Kllogjerit, tenorit që mishëron sot imazhin e operas tonë kombëtare, si vazhdim i një plejade të tërë solistësh që lanë gjurmët e tyre të pashlyera në memorien e kësaj skene, duke nisur nga Stavri Rafael, Kristaq Paspali, Ibrahim Tukiçi, Gaqo Çako, Hysen Koçia, Niko Nisi, Gjergj Sulioti, Ruzhdi Karaj, etj. Për mua, ky brez artistësh të niveleve të larta luajti një rol të madh në zhvillimin e zhanrit operistik, duke ngjitur për herë të parë në skenën shqiptare kryeveprat e lirikës botërore. Kontributi i tyre, me gjithë shtrëngesat e kohës, ishte një hallkë vendimtare në historinë e lirikës shqiptare, pasi përcaktoi modelin artistik që do të çonte më pas drejt lirisë dhe rrugës së suksesit brezat e mëvonshëm të artistëve shqiptarë, të cilët rradhiten sot me emrat më të njohur të lirikës ndërkombëtare.

Por le të kthehemi tek tenori i ri Armaldo Kllogjeri, i cili për më shumë se dhjetë vjet karrierë brënda e jashtë Shqipërisë, ka ofruar me zërin e tij rolet më të mëdha të repertorit operistik. Kllogjeri zotëron një testiturë të rrallë vokale, një zë të bukur e melodioz, një diapazon të gjërë që nis nga regjistri më i ulët e ngjitet me një lirshmëri të natyrshme deri në notat më të larta (akute). Falë këtij zëri të rrallë si dhe kuriozitetit për të njohur e bërë të tijat veprat më të njohura lirike, ai ka mundur ta pasurojë repertorin e tij me role të larmishme, duke nisur nga operat e Verdit («La Traviata», «Rigoletto», «Nabucco», «Macbeth», «Un ballo in maschera», «Aïda»), për të vazhduar më tej tek veprat e Puccini-t («Madama Butterfly», «Tosca», «Il Triptico», «Tourandot»), të Umberto Giordanos («Andrea Chénier»), të Georges Bizet-së («Carmen»), etj.

* * *

Pak ditë më parë, ai qëndroi përreth dy orë në skenën e Pallatit të Kongreseve, duke interpretuar rolin e Don José-së në premierën e operës «Carmen». Më pas, doli të përsëndesë spektatorin e elektrizuar, i buzëqeshur e me zemrën që i rrihte fort në kraharor. Vijuan urimet pas skene; urime kolegësh, spektatorësh, admiruesish, miqsh’ e familiarësh…natyrisht, ato ishin të shumta, të panumërta, gati të papërballueshme, sa që pati përshtypjen se moria e fjalëve dhe buzëqeshjeve që i vinin nga të gjitha anët do ta hutonin… Më pas, gjumi sikur po vonohej dhe një gjë e tillë i krijoi përshtypjen se njeriu s’mund të ndahej kaq lehtë nga emocione të tilla të tejmbushura. Lodhja kërkonte kohë që ta çlironte nga përqëndrimi i madh i asaj mbrëmjeje si dhe nga tensioni që kishte provuar në skenë…As spektatorin e elektrizuar nuk mund ta largonte nga sytë që vazhdonin të qëndronin hapur ; oshëtima e duartrokitjeve i buçiste ende në veshë ….
E vërtetë ! Atë mbrëmje e kishin duartrokituar si asnjëherë tjetër më parë. Ndoshta prej vokalit të tij të fuqishëm, prej lojës apo prej hapësirës që zotëroi në skenë ?!
Mbështeti kokën mbi duar e u përpoq të kthehej mbrapa në kohë…të kujtonte hapat e tij të para në karrierë.. të ringjallte bisedat “e nxehta” me eproret e teatrit apo të Ministrisë së Kulturës si dhe mosbesimin, e ndonjëherë arrogancën që ata kishin shfaqur dikur ndaj tij… e mbi të gjitha, të kujtonte rrugën e tij drejt suksesit, e cila nuk kishte qënë aspak e thjeshtë e pa pengesa.. Vërtetë, ai kishte lindur në Gramsh…

Fotografia e Edlira Dedja

Fotografia e Edlira Dedja

Fotografia e Edlira Dedja

Fotografia e Edlira Dedja

Fotografia e Edlira Dedja

Fotografia e Edlira Dedja

Please follow and like us: