Albspirit

Media/News/Publishing

Kastriot Dervishi: Një përgjigje për dhënësit e “autorizimeve”

Rreth një vit më parë shkrimtari Ismail Kadare kërkoi publikisht nga Autoriteti dosjen e tij formulare (të cilat në dijeninë time janë asgjësuar para vitit 1990). Pavarësisht se ka kaluar një vit, publiku nuk di përgjigjen e Autoritetit për “hapjen e dosjeve”, e cila duhet të ishte me dy fjalë: ka apo nuk ka dosje. Kaq. Tjerrja në kohë, apo zhvillimi i një garë të ethshme servilizmi se kush e kush të dalë më i përkushtuari në këtë çështje nuk sjell asgjë të re. Çuditërisht Autoriteti deklaroi se po krijon vetë një dosje, në bazë të dokumenteve administrative, një këtu e një atje, sigurisht nga fonde që nuk lidhen me aktivitetin e MPB-së (ka fare pak administrative aty), por kryesisht të Arkivit të PPSH-së, të botuara më parë edhe nga studiues të tjerë (p.sh Shaban Sinani), duke u kthyer edhe në ent qëmtuesmbledhës. Madje e çuditshme ishte fjala e kryetares së Autoritetit kur foli për “një ndërhyrje qytetare për të parë thellë çështjen” si kritikë ndaj ndonjë “faksimileje të paautorizuar apo të paverifikuar”. Për të ardhur keq që kryetarja nuk ka dijeni për nenin 54 të ligjit nr.9154, datë 6.11.2003 “Për arkivat”, sipas së cilit “shërbimi arkivor ofrohet pa autorizim” dhe shfrytëzimi i ofrohet pavarësisht nga funksioni, etj. Autoritetit që e kujton veten komitet censure që jep “autorizime”, i duhet kujtuar se kjo praktikë është mbyllur me rënien e diktaturës komuniste dhe nuk mund të ngjallet më.
Bazuar në nenet 20 dhe 21 të ligjit nr.9154, datë 6.11.2003 “Për arkivat”, i vetmi institucion që administron dokumentet e Ministrisë së Punëve të Brendshme nga viti 1944 (para këtij viti të drejtën e ka DPA) e deri sot, është Arkivi i Sistemit të kësaj ministrie. Kjo dispozitë e ligjit që është “kushtetuta” e arkivave, është në fuqi dhe të gjitha aktet e tjera në kundërshtim me të, nuk janë veçse të pavlefshme.
“Arkiv sigurimi” nuk ka pasur sepse nuk ka arkiva drejtorish, por vetëm institucionesh në nivel ministrie. Ka ekzistuar vetëm Arkivi i MPB-së. “Arkivi i sigurimit” apo më qesharake akoma “arkivat e sigurimit” (sikur të ishim perandori), janë shpikje të Autoritetit për të përligjur ekzistencën. Kjo gjë pasqyrohet edhe në vetëreklamimet që ata bëjnë rast pas rasti. P.sh. salla e kuadrit oficer e Arkivit të MB-së, i paraqitet publikut me foto në rrjete sociale si “arkivi i sigurimit”. Fotot e kampeve të punës së detyruar nr.303 dhe nr.311 të fondeve të tjera të Arkivit, i transmetohen publikut si “pronë” e Autoritetit, në një kohë që janë pjesë të fondit nr.50 të Arkivit (Drejtoria e Policisë Popullore). Shoh kryetaren e Autoritetit që përgjigjet para mediave për gjendjen e godinës së Arkivit të MB-së (në të cilën vërej një degradim e rrumpallë të paimagjinueshme), kur nuk ka asnjë lidhje me të, sepse nuk është punonjëse e kësaj ministrie.
E për t’i vënë kapak me atë që po shoh, teksa kampit tela me gjemba të Tepelenës (që funksionoi në vitet 1949-1953) po i vihet emri “kamp pune të detyruar”. Kamp pune për të çarë e bartur dru nuk ka pasur gjatë diktaturës. Qëllimi kryesor i kampeve tela me gjemba ka qenë izolimi i familjeve të personave kundërshtarë të regjimit. Nëse gratë dhe fëmijët e atij kampi famëkeq, janë detyruar të çajnë ose bartin dru, apo punime në bujqësi, kjo nuk i bën këto kampe të punës së detyruar, sepse ato kanë karakter krejt tjetër. Kampet e punës së detyruar kanë funksionuar në bazë të tri profileve: bonifikim, ndërtime dhe miniera (më rrallë bujqësia dhe artizanali).
E shoh pozitive përpjekjen për kthimin në muze të kampit të Tepelenës, sikundër duhet të veprohet edhe me kampet e Kamzës, Beratit apo Krujës, por lidhja e Autoritetit me këto është krejt pa lidhje sepse për muzetë kombëtare është Ministria e Kulturës organi kompetent.

Please follow and like us: