Avdush CANAJ: TE DRITARJA E BURGUT
Te dritarja e burgut,
aty, ku s`ka dritë,
vjen një zog i vogël
rritur nëpër ferra
këndon përditë:
S`është larg pranvera!
S`është larg pranvera!
E di, i them, e di,
n`murin e akullt gdhend datën,
i ngjanë sime bijë
bashkë ndajmë kafshatën.
Roja don ta vrasë
me të bishës dorë,
vrik ikën si era
mbi telat gjemborë.
S`më harron zogu i ndritur,
vjen një tjetër ditë,
thërrmijat e drekës çukit
e më jep lajmin e shumëpritur:
Erdhi Pranvera me lule,
do të ketë diell e dritë!
Rojes i shpëton,
plumbi s`e qellon.
Ujqit çmerit!
Mbi qiellin e burgut
Flamurin me shqiponjë valvit!
Mars 1985, Burgu i Foçës, Bosnje – Hercegovinë
Please follow and like us: