Albspirit

Media/News/Publishing

A ka mundësi të jenë të keqinformuar në Bruksel për realitetin shqiptar? Përse?

Kastriot Islami 

Shqiptarët kanë emigruar masivisht gjatë këtyre tre viteve të fundit në vendet e BE duke ja kaluar vendeve së dala prej lufte, vendeve në konflikt, apo vendeve afrikane në varfëri të thellë. Kjo duket arsyeja e dukshme dhe më kryesorja që ka shqetësuar Francën, Holandën e Gjermaninë në vlerësimin e tyre eventual për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Madje kjo mund të jetë një nga arsyet e forta për marrjen e vendimit.

Shkaqet e thella qëndrojnë tek situata e brendshme shumë e rëndë që mesa duket nuk njihet sa dhe siç duhet në Bruksel e në vendet e BE. A mund të jenë të painformuar apo të keqinformuar në Bruksel dhe në kryeqytet e vendeve të BE për zhvillimet në Shqipëri? Kjo do të ishte minimalja. Përse ndodh kështu?

I. Realitetin shqiptar e njohin mirë analistët e huaj…

Një gazetare franceze, duke marrë në analizë arsyet që jepnin azilkërkuesit shqiptarë në Francë, kishte arritur në përfundimin se krahas papunësisë së lartë dhe varfërisë ekstreme të azilkërkuesve shqiptarë, mungesa e shpresës për të qëndruar në vendin e tyre, lidhej më tre faktorë kryesorë:

A) imobilizmi apo stanjacioni politik, pra në Shqipëri është e pamundur të ndryshosh pushtetin sepse zgjedhjet manipulohen, votat blihen dhe qytetarët janë të kërcënuar. Qeveria aktuale kontroll gjithçka, institucionet, biznesin, shoqërinë civile, median dhe më së fundmi edhe drejtësinë; për rrjedhojë qytetarëve i janë mbyllur të rrugët demokratike për të realizuar ndryshimin. Nga ana tjetër qytetarët kanë humbur besimin se gjërat mund të ndryshojnë përmes mekanizmave demokratikë dhe nuk kanë shpresë se mund të ndërtojnë dhe zgjedhin një alternativë për ndryshim. Prandaj qytetarëve i është vrarë ndjenja e reagimit dhe janë të mpirë e të paralizuar për tu bashkuar e larguar një qeveri të keqe e zëvendësuar atë me një qeveri që zgjidh hallet e shqetësimet e tyre. Në këtë qorrsokak, ata gjejnë rrugën më të lehtë, atë të emigrimit.

B) Korrupsioni galopant në të gjithë nivelet, veçanërisht korrupsioni në nivelet e larta e ka bërë jetën e tyre të padurueshme. Nga Shqipëria po largohen jo vetëm të varfër e të papunë por edhe familje të tëra dhe profesionistë që nuk shikojnë të ardhmen e tyre e veçanërisht të fëmijëve të tyre. Kriminalizimi i politikës ka bërë që jeta të jetë e pasigrurtë. Kultivimi dhe shpërndarja e drogave janë shqetësimet e familjeve për sigurinë e fëmijëve të tyre.

C) Klientelizimi në të gjithë nivelet, pra në Shqipëri as të aftët, as ekspertët, as profesorët, as të rinjtë e talentuar, as specialistët nuk gjejnë dot punë nëse nuk janë pjesë e klientelës qeveritare dhe rrjetit nepotik të drejtuesve të lartë të qeverisë. Kjo bënë që nga Shqipëria të largohen jo vetëm të varfrit e të papunët, por edhe mjekët më të mirë, shkencëtarët e profesorët, të rinjtë e talentuar me arsim nga vendet perëndimore, e tjerë e tjerë.

II. Në Bruksel “nuk kanë pasur informacion për zhvillimet në Shqipëri…”

Pyetja që shtrohet është:A e njohin realisht kancelaritë në Bruksel dhe në kryeqytetet kryesorë të vëndeve të BE situatën dhe zhvillimet në Shqipëri? Gazetarja shqiptare me qëndrim në Bruksel që raporton herë pas here për situatën në Shqipëri ka bërë një deklaratë shumë të fortë në një intervistë televizive duke ju përgjigjur kësaj pyetjeje: Në zyrat në Bruksel nuk kanë pasur informacionin e duhur për situatën dhe zhvillimet në Shqipëri, gjë që ka filluar të krijojë shqetësime e dyshime.

III. 3 shqetësime nga mungesa e informimit për realitetin shqiptar

Prej kësaj deklarate mund të evidentohen tre çështje shqetësuese për zhvillimet në Shqipëri:

Së pari, zyrtarët e Komisionit Europian në Bruksel nuk kanë besim te Delegacioni i BE në Tiranë, thënë më konkretisht zyrtarët e Brukselit nuk kanë besim të raportimet për situatën dhe zhvillimet në Shqipëri. Informacionet ose mungojnë për shkak të “heshtjes” të zyrës në Tiranë ose ato janë vetëm një pasqyrim i zbukuruar i një situate tejet ndryshe, i një realitet të mbushur me probleme shqetësuese e defekte të mëdha.

Së dyti, problemet e shumta që ka Shqipëria mesa duket kanë qenë të panjohura ose të keqnjohura në Bruksel, sepse Delegacioni i BE ose nuk ka dërguar raporte ose ka dërguar në Bruksel raporte që nuk pasqyrojnë realitetin. Konkretisht zyrtarët e BE në Bruksel janë gjetur të befasuar për situatën e drogës në Shqipëri sepse deri para dy vjetëve nuk kishte asnjë lloj informacioni për këtë dukuri. Dhe kjo gjë u mor vesh vetëm atëherë kur shqiptarët emigruan masivisht në vendet e BE dhe kur nga shërbimet e vendeve që operojnë në Shqipëri rezultoi se vendi ishte kthyer në prodhuesin dhe furnizuesin kryesor të kanabisit në Europë.

Së treti, Komisioni Europian, nisur nga mungesa e besimit ndaj Delegacionit të BE në Tiranë dhe nga gjëndja problematike në të cilën ndodhet Shqipëria, ka vendosur mesa duket ta hetojë vetë situatën në terren duke ngritur Komisione të Përbashkëta.

IV. Përse raportet e deklaratat për Shqipërinë janë të zbukuruara?

Problemet që shqetësojnë shqiptarët dhe që po i detyrojnë të emigrojnë janë të shumta, ato nuk janë thjeshtë ekonomike e të lidhura më varfërinë por më të thella se në çdo vend tjetër të Ballkanit.  Ato lidhen me keqqeverisjen e vendit, me korrupsionin, me lidhjen e shtetit me krimin, me manipulimin e zgjedhjeve, me klientelizmin që vret meritokracinë. Ndërkohë që për çudinë e shumicës së shqiptarëve, Mogherini dhe Vllahutin flasin për reforma të suksesshme të qeverisë dhe angazhim e arritje të shënueshme të Kryeministrit.?!

Ky lloj zbukurimi i situatës në Shqipëri do të mund të ndodhte për një nga tre arsyet.

Së pari sepse Delegacioni i BE nuk ka informuar ose ka keqinformuar Komisionin Europian.

Së dyti, Brukseli e njeh shumë mirë situatën në Shqipëri por shkruan raporte me një gjuhë të kamufluar për të mos demotivuar shqiptarët.

Së treti, Rama mund të ketë arritur të komprometojë zyrtarët në Tiranë e në Bruksel që merren me raportet për situatën në Shqipëri, gjë që do të ishte shumë e rëndë jo vetëm për Shqipërinë.

V. Një veprim i vonuar por i drejtë i Brukselit për të njohur realitetin shqiptar.

Me të drejtë në Bruksel kanë vendosur të ngrejnë Komisionet e Përbashkëta me ekspertë nga Brukseli dhe vendet e BE, të cilët duhet të vijnë urgjentisht në Tiranë dhe të kryejnë hetime të thelluara për disa çështje që i shqetësojnë shqiptarët:

  • blerja e votave dhe kërcënimi i votuesve;
  • korrupsioni qeveritar në rritje të përditshme;
  • lidhja e krimit me politikën;
  • kultivimi masiv i kanabisit dhe narkotrafiqet;
  • vendosja e drejtësisë nën kontroll politik;
  • rrënimi i ekonomisë nga evazioni, informaliteti e krijimi i monopoleve klienteliste;
  • rritja e papunësisë dhe i pabarazisë sociale;
  • emërimet në administratën publike bazuar në klientelizëm e nepotizëm;
  • vendosja e biznesit, shoqërisë civile dhe medias nën kontrollin politik;
  • sjellja e papërgjegjshme me fqinjët;
  • zaptimi i të gjithë institucioneve deri te tentative për të vënë nën kontroll futbollin;
  • goditja politike e opozitës dhe e kundërshtarëve politikë.
Please follow and like us: