Reforma Rama- Kumbaro ose rikthimi i kulturës në komunizëm
Kastriot Çipi
Ministria e Kulturës ka publikuar një projekt-ligj, me të cilin synon të ndryshojë për herë të dytë Ligjin “Për Artin dhe Kulturën”, të miratuar në vitin 2010 dhe të ndryshuar në vitin 2014. Nëse do t’i referohemi deklarimeve të ministres Kumbaro, në Komisionin për Edukimin dhe Mediat, gjatë diskutimit të ndryshimeve, që eventualisht u miratuan në vitin 2014, ajo ishte një ndërhyrje emergjente, që synonte eleminimin e Qendrës Kombëtare të Artit dhe Kulturës dhe kalimin e kompetencave dhe buxhetit të saj në favor të Ministrisë së Kulturës, si edhe konvertimin e Teatrit të Komedisë në Teatër Eksperimental. Ministrja u zotua atëherë se brenda shtatorit 2014 do të depozitonte në Kuvend një rishikim të thellë të Ligjit.
Tashmë, pothuaj katër vjet pas këtij zotimi dhe tre vjet e gjysëm pas afatit të premtuar, Ministria ka publikuar projekt-ligjin, i cili supozohet të jetë “një rishikim i thellë”, që duhet të reformojë sistemin e kulturës dhe arteve.
Ajo që bie në sy menjëherë në këtë projekt-ligj është se institucionet e artit dhe kulturës nuk do të reformohen. Ato mbeten ashtu siç janë: institucione buxhetore, siç i kemi trashëguar nga komunizmi, 27 vjet më parë.
Nga ana tjetër, projekt-ligji nuk sjell as decentralizim. Qendra Kombëtare e Artit dhe Kulturës nuk do të rikthehet dhe Ministria do të vazhdojë të ruajë monopolin e financimit të artit dhe kulturës.
Nëse nuk do të ndryshonte asgjë në lidhje me autonominë e institucioneve, ky projekt-ligj do të ishte një hiç, një llomotitje burokratike, për të cilin nuk do t’ia vlente të harxhohej koha as për ta lexuar.
Por pikërisht parimi i autonomisë institucionale është “patatja e nxehtë” e këtij projekt-ligji. Ministria nuk po synon rritjen e autonomisë. Nuk po tregohet as indiferente ndaj autonomisë tejet të kufizuar të institucioneve të artit dhe kulturës. Jo! Zonja Kumbaro po kërkon të marrë në duart e saj një pushtet që nuk e ka pasur as Tefta Cami, ministre e Arsimit në komunizëm, kur kultura mbulohej nga kjo ministri. Lista e pushteteve që synon zonja Kumbaro është e frikshme.
Së pari, drejtorët e institucioneve kombëtare, që sot emërohen me Vendim të Këshillit të Ministrave, mes dy kandidaturave të propozuara nga Ministri, nesër do të emërohen me Urdhër të Ministrit. Zonja Kumbaro është kujdesur që kjo manovër të përfshijë edhe ata drejtorë institucionesh që funksionojnë mbi bazën e ligjeve të tjerë, si Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe Biblioteka Kombëtare. Kjo duket se është arsyeja pse Ministria e Kulturës nuk ka shpallur ende
konkurset për drejtorin e Teatrit Kombëtar dhe atij të Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë (që përfshin edhe Teatrin e Kukullave), mandati i të cilëve ka mbaruar.
Së dyti, shpartallohen bordet artistike të institucioneve, një traditë dhjetravjeçare, të cilët u fuqizuan me Ligjin e vitit 2010, pasi morën autoritet vendimmarrës (nga funksioni këshillimor që kishin më parë) dhe prej tyre u përjashtuan drejtorët. Anëtarët e bordeve sot emërohen nga ministri i Kulturës me propozim të drejtorit të institucionit. Zonja Kumbaro kërkon që ata t’i emërojë ajo direkt, pa propozim nga askush. Për më tepër, nuk dihet me ç’pretekst, kërkon të drejtën të emërojë në këto borde “përfaqësues nga bota e biznesit”(!)
Ajo kërkon të ketë të drejtë të miratojë madje edhe rregulloret e bordeve, të cilat sot miratohen nga vetë bordet. Nëse kësaj i shtojmë edhe kompetencën tjetër të ministres për të shkarkuar bordin para afatit për shkak “mosfunksionalitetit” bëhet e qartë se zonja Kumbaro i konsideron bordet si zyra të Ministrisë së saj.
Por nuk mbaron me kaq. Paralelisht me këto borde, në çdo institucion do të funksionojë edhe një organ i ri, i quajtur “kolegjium”, me të paktën tri anëtarë, punonjës të institucionit, të propozuar nga drejtori dhe të miratuar nga ministri! Nëse bordi do të miratojë “repertorin artistik vjetor” dhe “projektet artistike”, kolegjiumi do të miratojë “veprimtaritë artistiko-kulturore”! Një zot e di se çfarë është “veprimtaria artistiko-kulturore” e një institucioni, psh një teatri, nëse nuk janë “projektet” dhe “repertori”. Edhe mënyra e funksionimit të “kolegjiumeve” do të miratohet nga zonja Ministre!
Deliri i zonjës Kumbaro arrin nivele klinike kur kërkon që institucione që “NUK kanë objekt të veprimtarisë së tyre artin dhe kulturën”, pra çdo institucion që nuk është në varësi të Ministrisë së Kulturës, përfshi edhe “institucione të tjera të pavarura” duhet të marrin LEJEN ME SHKRIM nga zonja Kumbaro për të realizuar projekte artistike!
Pasojat e këtij uzurpimi kompetencash do të jenë më të rënda në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë. Pranë këtij institucioni, të krijuar me Ligjin për Kinematografinë, funksionojnë tre borde të specializuar (zyrtarisht të emërtuar “këshilla miratues të projekteve”) që zgjidhen me votim të fshehtë nga asmbleja e shoqatave të kineastëve. Këtë të drejtë kineastët e kanë fituar qysh me Ligjin e miratuar në vitin e largët 1996! Shumë ministra e kryeministra janë ndrruar qysh atëhere, por duhej të vinte zonja Kumbaro, që shteti të guxonte kthimin prapa në komunizëm.
Është rasti të themi dy fjalë edhe për Qendrën Kombëtare të Artit, e cila u themelua me Ligjin e vitit 2010 dhe u abrogua me ndryshimin e vitit 2014. Qendra u krijua për të decentralizuar financimin e artit dhe për të rritur autonominë e sektorit jopublik ndaj qeverisë. Në vitin 2013, ajo kishte një buxhet prej 30 milionë lekësh për financimin e projekteve private në fushën e artit. Zonja Kumbaro kërkoi mbylljen e Qendrës, përmes abrogimit të kapitullit për të në Ligj dhe kalimin e këtij fondi nën
administrimin e Ministrisë. Argumenti i saj ishte se ish-drejtori Çupi kishte abuzuar me fondet. Çudi, apo jo? Sepse kur një drejtor abuzon me fondet, zakonisht ndryshohet drejtori, nuk eleminohet institucioni. Gjithsesi shumica vendosi. Qendra u mbyll dhe Ministria mori përsipër të paguante të gjithë projektet e miratuar nga Qendra deri në atë çast. Kjo iu tha publikut.
Ndërsa e vërteta është se zoti Çupi nuk u hetua apo padit kurrë për ndonjë abuzim me fondet. E vërteta është se shumë artistë nuk janë paguar ende nga Ministria dhe po enden dyerve të gjykatave, për të marrë paratë për punën e kryer. E vërteta është se fondi i projekteve të Ministrisë nuk ka qenë asnjë vit më shumë se një e treta e fondit që administronte Qendra. Dhe më në fund, e vërteta është se nga tri borde me artistë të fushave të ndryshme, tani projektet i miraton një kolegjium okult. Ministria sot e kësaj dite nuk pranon të bëjë publikë emrat e anëtarëve të tij.
Së fundi, duke kërkuar të hartojë “politikën dhe strategjinë për zhvillimin e kulturës”, të miratuar nga Këshilli i Ministrave, si edhe kontrollin e zbatimit të saj, përmes kontrollit të bordeve, zonja Kumbaro kërkon as më shumë e as më pak, rikthimin e “rolit udhëheqës të Partisë (PPSH) në jetën ekonomike dhe kulturore të vendit”.
Shumë gjëra zonja Kumbaro mund të mos i dijë. Por të paktën frengjisht di. Vështirë të besohet se vizioni i saj për administrimin e sistemit të kulturës lidhet me injorancën e saj dhe jo me mendësinë e saj totalitare.
Po ne? Ne që, me hir apo me pahir, jetojmë dhe rrisim fëmijët në këtë vend, a duhet t’i bëhemi qilim sulltaneshës së Kulturës? Unë them jo! Jemi shumë vonë, por jo pakthyeshmërisht vonë. Debati për ndryshimin e Ligjit për Artin dhe Kulturën tashmë është hapur dhe duhet të çohet deri në fund. Artistët duhet të marrin rolin që u takon në këtë proces, të kërkojnë rikthimin e Qendrës Kombëtare të Artit dhe Kulturës dhe reformimin e institucioneve të artit dhe kulturës me synim garantimin e pavarësisë artistike dhe autonomisë financiare. Artistët nuk duhet të pranojnë asnjë grimë më pak nga ato të drejta që sot i gëzojnë të gjithë universitetet e vendit. Përndryshe, të gjithë bashkë e meritojnë rikthimin në “ushtarë të Partisë”, siç ishin në komunizëm. © Lapsi.al
Lidhja e projekt-ligjit në faqen e Ministrisë së Kulturës:
http://www.kultura.gov.al/al/baza-ligjore/projektligje/projektligji-i-artit-dhe-kultures