Albspirit

Media/News/Publishing

Ambasadori i Zvicrës, “Qytetar nderi” i Beratit

Ambasadorit të Zvicrës në Shqipëri, Christoph  Graf, i akordohet nga Këshilli Bashkiak i Beratit titulli “Qytetar Nderi” i Beratit. Në një ceremoni të posaçme të organizuar nga Bashkia e Beratit, iu dorëzua  titulli “Qytetar Nderi”, Christoph Graf, ambasadorit te Zvicrës në Shqipëri, akorduar nga Këshilli Bashkiak i Beratit, me propozim të Kryetarit të Bashkisë Petrit Sinaj. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Prefekti i Qarkut, Harilla Dafa, Kryetari i Bashkisë, Petrit Sinaj, Kryetarja e Këshillit Bashkiak, Nikoleta Manka, përfaqësues të institucioneve vendore dhe të komuniteteve fetare, këshilltarë, qytetarë etj

Graf u nderua me motivacionin “Për kontributin e çmuar dhe rolin aktiv në mbështetjen e projekteve të zhvillimit për qytetin e Beratit, duke forcuar lidhjet e miqësisë ndërmjet Zvicrës dhe Shqipërisë”. Christoph Graf ka dhënë një kontribut të çmuar për qytetin tonë, duke lobuar dhe mbështetur nëpërmjet ambasadës zvicerane dhe qeverisë zvicerane, disa projekte dhe financime të rëndësishme në qytet. Prej dy vjetësh qeveria zvicerane ka mbështetur projektin e financimit të rrjetit të kanalizimeve në Bashkinë e Beratit, duke u bërë pjesë e bashkëfinancimit të kredisë së Bankës Gjermane KFW.  Gjithashtu qeveria zvicerane ka miratuar financimin prej 2.2 milion franga me synim përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve të ngurta në Rajonin e Beratit, marrëveshje financimi e cila është nënshkruar dhe sapo ka filluar puna me përgatitjen e hapave konkretë. Po sot, ambasadori zviceran vizitoi SHA Ujësjellës – Kanalizime BK, ku u interesua për ecurinë e zbatimit të këtij projekti, të cilin e konsideroi mjaft të rëndësishëm për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Gjatë fjalës së rastit në këtë ceremoni z. Petrit Sinaj u shpreh se ishte kënaqësi e veçantë që në radhën e figurave të nderuara të qytetit të Beratit të bëhej pjesë edhe ambasadori zviceran, z. Christoph Graf, si përfaqësues i një shteti mik dhe dashamirës ndaj shqiptarëve, jo vetëm për kontributet qe ai dhe qeveria zvicerane kanë dhënë për Beratin, por sepse këtë e kanë bërë me shumë dëshirë dhe me shumë dashuri. Kryebashkiaku Sinaj në fjalën e tij përmendi disa nga projektet më të rëndësishme të këtij bashkëpunimi, si dhe marrëveshje të reja që mund të finalizohen në të ardhmen në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve.

Ndërsa ambasadori  Christoph Graf gjatë fjalës së tij theksoi procesin e decentralizimit të pushtetit lokal, si një nga proceset më të rëndësishme të fuqizimit nga ana ekonomike të këtij pushteti, gjë të cilën e shihte të shprehur qartë në Bashkinë e Beratit. Ai shprehu falenderimet e tij për titullin, si dhe dëshirën për ta vizituar më shpesh këtë qytet, i cili sa vjen e po zhvillohet gjithnjë e më shumë. Berati për të do të ishte tani e tutje qyteti i tij i dytë, pas qytetit të tij të lindjes në Zvicër, tek i cili kishte kaluar 20 vjet të jetës së tij. Duke iu referuar edhe traditave të mikpritjes shqiptare ai tha se mënyra më e mirë për të patur një mik, është që ta duash atë. ‘’Të jeni të sigurt se unë do të jem një mik i përjetshëm i Beratit’’, tha në fund të fjalës së tij ambasadori zviceran.

Please follow and like us: