Albspirit

Media/News/Publishing

Dritan Laçi: Fitoi Sporti apo humbi Politika?!

Armando Duka do të jetë Kreu i ri i FSHF-së për një mandat të pestë në krye të institucionit më të lartë të futbollit në Shqipëri. Por ajo çka përbën lajm sot nuk është thjesht fitorja e pritshme deri diku e Dukës por hedhja tuç në tapet e një rivali si Bashkim Fino që i përket jo thjesht një spektri të caktuar të politikës por onturazhit të pushtetit në fuqi. Parë në këtë aspekt edhe pse jo me votë plebishitare por me votë domethënëse, votimi për Dukën nuk ishte thjesht demonstrimi i forcës së një kandidati përballë një kandidati, por demonstrimi i forcës së një komuniteti sportiv kundrejt përpjekjes së një onturazhi politik të caktuar për të kapur futbollin në Shqipëri.

Dhe këtë më mirë se kushdo e përcaktoi vota politike në Asamble ku edhe pse dominuan delegatët e bashkive të majta, një pjesë tyre menduan që do ishte me mirë që pushteti i futbollit të mos përzihet me pushtetin politik. Bashkim Fino ka shkas të ndihet i zhgënjyer me votat e disa prej të tijve (nëse mund ti quajmë kështu votat e disa prej bashkive të majta që nuk e votuan) por do të ishte mirë edhe në nderin e karrierës së tij si politikan që të pranonte humbjen dhe ti shtrëngonte dorën Armando Dukës.

Çdo përpjekje për nisur një proces të pambarimtë gjyqesh do ishin për futbollin shqiptar një konsum mbi këllqet që mund të mbajë dhe mund ta dëmtonte më tej.

Sot Bashkim Fino duhet ta pranojë që nuk e mundi vetëm Duka por edhe ata që ai i konsideronte si besnikët e tij. Kjo votë po kështu duhet parë edhe si një votë që politika të përmirësojë punën e saj në drejtim të sportit.

Ashtu siç tha edhe vetë zv/Presidenti I UEFA-s, Surkis, i pranishëm në Asamble, Fino mund ti bëjë shumë mirë sportit edhe në pozicionim e tij si deputet. Ndaj duhet ta shikojë votën Jo edhe si një votë Po për ti shërbyer në pozicionin që mban më mirë ligjit të sportit që ka shumë për të përmirësuar.

Në fund të fundit në demokraci vlen verdikti i shumicës dhe Fino duhet ta pranojë që komuniteti sportiv nuk i dha besimin për të vazhduar më tej. Ndërkohë që Armando Duka duhet ta marrë këtë garë jo si një revansh ndaj votës Jo, por si një sfidë për të ndryshuar shumë gjëra në futbollin shqiptar, që për hir të së vërtetës ka shumë nevojë për një reformë edhe të ngutshme, për ta çuar në standardet evropiane./ Opinion.al

Please follow and like us: