Eni Vasili: Veting edhe për gazetarët, disa emisione politike si telenovelat turke
Gazetarja dhe moderatorja e njohur e programit politik “Studio e hapur” Eni Vasili, ka guxuar të vendosë gishtin në plagë, duke na treguar se cilat janë problemet e mëdha që ka sot gazetaria jonë në raport me të vërtetën dhe si deformohet kjo e vërtetë në funksion të favoreve dhe interesave personale.
Ndërkohë që “Studio e hapur” do të jetë edhe të enjteve, Vasili na rrëfen në këtë intervistë për “Panorama plus” se si ndjehet përballë konkurrencës dhe çfarë janë gazetarët gjobvënës.
Risia televizive e “News 24” është se “Studio e hapur” do jetë edhe të enjten, krahas së hënës dhe të martës, ndërkohë që kjo njihet si darka ku ka një përballje burrash në audiencë. Nuk ju tremb e enjtja me kaq shumë burra?
Sigurisht që jo. Si mund të më trembë konkurrenca me kolegët, kur unë bëj gazetari prej 20 vitesh dhe kam konkurruar me ta si e barabartë, si gazetare, kryeredaktore, drejtore informacioni, drejtore televizioni dhe kam 13 vite në transmetim me logon time. Konkurrenca është e shëndetshme, të ndihmon të përmirësosh veten, sigurisht kur ajo është e ndershme. Sot për sot konkurrenca televizive operon në një treg të prishur. Ka gazetarë që punojnë për të fituar rrogën me ndershmëri, ka të tjerë që fitojnë miliona e nuk dihet se si dhe këtu na lind e drejta të dyshojmë. Konkurrenca e ndershme parashikon të operojmë të gjithë me të njëjtat instrumenta, por në fakt nuk ndodh kështu. Ka gazetarë që temat iu diktohen nga zyrat e shtypit të pushtetit, po kështu edhe të ftuarit, sheh pushtetarë që shkojnë një herë në dy javë në të njëjtën studio televizive dhe të tjerë që bojkotohen për vite. Ka gazetarë që përzgjedhjen e temave nuk e lidhin fare me interesin publik, por me atë personal, duke shantazhuar me të mirën publike dhe duke përfituar ne kurriz të saj. Ja pse shpeshherë publiku nuk është në krahun e medias, ja pse Kryeministri na quan kazan, sepse ai vetë është njeriu që ia hedh erëzat çorbës së prishur mediatiko – politike.
Fatos Lubonja do të jetë analist i përhershëm i së enjtes. Mund të na thoni një opinion personal për të, duke pasur parasysh gjithë rrugëtimin e tij në gazetari dhe publicistikë? Si ju duket qëndrimi i tij qartësisht antipushtet dhe sidomos antiRamë? Ku ndaheni dhe ku bashkoheni në ideologji me Lubonjën?
Lubonja është një aset i shoqërisë shqiptare dhe zëri i tij, kapital i medias. Jam shumë e kënaqur që ai do të jetë pjesë e “Studios së hapur”. Lubonja nuk pranoi të largohej nga logoja e “News 24” me gjithë ofertat e shumta, që me sa di ka marrë, çka më bën të mendoj se ai, jo vetëm nuk ka ndjerë ndonjëherë censurë në këtë televizion, por edhe beson se do të vazhdojë të jetë kështu. Besimi i tij është edhe i imi.
A do ketë e enjtja një frymë antipushtet prej Lubonjës, pra, do jetë pak më opozitare se dy ditët e tjera të programit “Studio e hapur”?
“Studio e hapur” si logo, pavarësisht ditës që transmetohet, nuk ka qëllime politike, as kundër pushtetit dhe as kundër opozitës. Nuk mendoj se edhe Lubonja është kundër Ramës për arsye personale, sepse në këtë mënyrë do të deformohej e vërteta. Rëndësi kanë faktet, aksionet politike dhe si ato kontribuojnë në të ardhmen e vendit. E, sigurisht, përgjegjësinë këtu e ka më shumë se kushdo pushteti.
Meqë ra fjala te fryma opozitare, si është klima e të bërit gazetari këto kohë, sa rrezik mund të marrë përsipër dikush që kërkon të denoncojë mëkatet e pushtetit, përfshirë edhe ju?
“Lajmi është ajo gjë, që dikush, diku, nuk do të donte që të publikohej. Gjithçka tjetër është reklamë” – ka thënë Lord Northcliffe, një nga themeluesit e shumë gazetave angleze të shekullit të fundit. Thënë kjo, është e kuptueshme që presioni ndaj mediave dhe gazetarëve është mjaft i madh nga politika. Sidomos për shkak të ngjarjeve dhe dosjeve të rënda që janë në tavolinë. Sot, mes politikës dhe medias, nuk negociohet mënyra e shkrimit të lajmit, por heqja e tij. Nëpër redaksi nuk janë të pakta rastet kur bien telefonat për të zhdukur një lajm, edhe pse kjo, për shkak të morisë së portaleve dhe rrjeteve sociale, bëhet e pamundur. Këtu pastaj hyjnë në lojë redaksitë që prodhojnë fake news. Të tilla nuk kanë vetëm partitë, por edhe mediat. Por një gjë është e sigurt. Publiku di ta dallojë mirë një media të sinqertë, një gazetar të besueshëm. Me shqisën e hollë të nuhatjes popullore, janë gjithmonë të saktë në ndjesitë dhe perceptimet e tyre.
Në intervistën e pak ditëve më parë te “Panorama plus”, Fevziu pohoi se në gazetari ka mjaft gjobvënës. Ju, a jeni pjesë e këtij grupi dhe nëse jo, për kë mund ta ketë pasur?
Gjobat vihen që dikush të marrë në këmbim diçka që i duhet dhe që nuk i takon. Unë nuk disponoj asgjë të tillë në jetën time. Do vazhdoj të paguaj kredinë për shtëpinë dhe kjo nuk më shqetëson aspak, edhe pse habit disa kolegë. Unë nuk e di për kë e ka pasur Fevziu, por di të them që këta lloj gazetarësh, nuk e kanë rrugëtimin e gjatë. Duken interesantë fillimisht për pronarët e televizioneve, por, më pas, edhe këta të fundit e kuptojnë se nuk iu duhet një biznes brenda biznesit të tyre.
Do të ishte një shërbim i madh për opinionin publik, të na ndihmonit të kuptojmë se si mund ta dallojmë një gazetar gjobvënës nga një i ndershëm?
Lakmuesi i vetëm për këtë është publiku. Ai i seleksionon mjaft mirë dhe në fund vendos kë duhet të besojë.
Gazetari gjobvënës, zakonisht, çfarë bën me lekët e gjobave, ku i investon, keni ndonjë informacion?
Nese më pyet a jam dakord me vetingun e gazetarëve, do të thoja jam absolutisht dakord.
Një editorial i dy ditëve më parë, ku ju flisnit për fenomenin e korrupsionit në gazetari, u sulmua nga disa kolegët tuaj, duke e quajtur mungesë etike dhe sulme personale, ndërkohë për të njëjtin fenomen foli edhe Fevziu, por për atë nuk u tha e njëjta gjë. Si mendoni, pse iu dogji kur e thatë ju?
Nuk e kam lexuar këtë që po thoni, por nuk çuditem. Njihen tashmë aleancat mes burrave në profesionin tonë, prandaj dhe ka kaq pak femra në programet politike. Por mua nuk më impresionojnë fare, vazhdoj punën time dhe kujdesem vetëm për profesionalizmin, jo për klanet e këtij lloji.
Fevziu, i pyetur nga “Panorama plus” nëse i trembet konkurrencës së të enjtes, u shpreh se e vetmja konkurrencë që ka, është një telenovelë turke në Klan plus. E keni edhe ju problem këtë telenovelën, tani që do jeni të enjten?
“Studio e hapur” është një program që konkurron mbi të gjitha me veteveten, duke qëndruar fanatike e misionit të gazetarit. Gjithçka tjetër është telenovelë turke, që vazhdon prej 20 vitesh. Kurbat e paguara të audiencës që vendosen nëpër tavolina kafenesh apo portale të ndryshme, nuk më shqetësojnë apo kompleksojnë.
Së fundi, na jepni vetëm tri arsye pse njerëzit duhet të zgjedhin të enjten e Eni Vasilit?
Paanësi, vertetësi dhe shërbim i sinqertë e profesional ndaj të mirës së përbashkët.
Ermira Shpetimi, Panorama