Arrestohen dy policë në Mitrovicë, dyshohet se fshehën provat për vrasjen e Ivanoviçit
Në veri të Mitrovicës sot janë arrestuar dy policë, kurse arrestimi i tyre ndërlidhet me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, që ka ndodhur në janar të këtij viti në veri të vendit.
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) sot ka arrestuar dy të dyshuar duke realizuar edhe dy bastisje në bashkëpunim me Policinë e Kosovës (PK) dhe në konsultim me prokurorinë kompetente.
IPK, në një njoftim për media, thotë se me autorizim të prokurorit dhe Gjykatës Themelore në Mitrovicë, “hetuesit e IPK-së dhe PK-së kanë realizuar urdhëresën për bastisje në Mitrovicën e Veriut me dyshimin se dy zyrtarë policorë kanë kryer veprën penale “Manipulim me prova” të paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”.
“Sot (10.02.2018) në orët e pasdites, hetuesit e IPK-së dhe PK-së kanë zbatuar urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë dhe janë bastisur dy lokacione në Mitrovicën e Veriut si dhe është konfiskuar një revole e llojit TT si dhe dy karikatorë me nga 9 fishekë të kalibrit 7.62 mm që do shërbejnë për procedurën penale të mëtutjeshme”, thotë IPK në njoftimin për media.
“Me vendim të prokurorit të shtetit, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar dy të dyshuar (dy zyrtarë policorë të stacionit policor në Mitrovicën e Veriut) dhe të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore”, thekson IPK. /Telegrafi/