Nota e qeverisë së SHBA për bregdetin shqiptar: Si duhet të jetë kufiri me Greqinë
ështja e kufirit detar me Greqinë ka shkaktuar së fundmi zemërim dhe debat në opinionin publik. Ministri i Jashtëm Nikos Kotzias deklaroi gjatë një interviste për ERT se Shqipëria i ka falur 12 milje det Greqisë.
Në kuadër të debateve studiuesi Kastriot Dervishi ka publikuar një dokument në lidhje me negociatat dhe ndërhyrjen e qeverive ndërkombëtare për të ndryshuar hapësirën detare të Shqipërisë.
Dervishi pretendon se në vitin 1989 ka pasur një komunikim të tërthortë midis qeverisë amerikane dhe asaj shqiptare me ndërmjetësinë e qeverisë franceze, në lidhje me bregdetin shqiptar.
“Nota e nisur nga Parisi më 21 qershor 1989 vinte në dukje se qeveria komuniste mbante si kufi detar, largësinë prej 15 miljesh (27 km e 780 m), në një kohë që duhej ta kishte sipas konventës së detit të vitit 1982, në 12 milje (22 km e 224 m). Komunistët, të veçuar nga bota, pa njohje me traktatet ndërkombëtare, e trajtonin kufirin detar të vendit si çështje të brendshme, të paharmonizuar me ligjet ndërkombëtare, në mbështetje të dekreteve të Presidiumit të Kuvendit Popullor të viteve 1970 dhe 1976”, shprehet ai.
Postimi i plotë
1989/Nota e qeverisë amerikane për bregdetin shqiptar
Në vitin 1989 ka pasur një komunikim të tërthortë midis qeverisë amerikane dhe asaj shqiptare me ndërmjetësinë e qeverisë franceze, në lidhje me bregdetin shqiptar. Nota e nisur nga Parisi më 21 qershor 1989 vinte në dukje se qeveria komuniste mbante si kufi detar, largësinë prej 15 miljesh (27 km e 780 m), në një kohë që duhej ta kishte sipas konventës së detit të vitit 1982, në 12 milje (22 km e 224 m). Komunistët, të veçuar nga bota, pa njohje me traktatet ndërkombëtare, e trajtonin kufirin detar të vendit si çështje të brendshme, të paharmonizuar me ligjet ndërkombëtare, në mbështetje të dekreteve të Presidiumit të Kuvendit Popullor të viteve 1970 dhe 1976. Shqipëria ishte në atë kohë në një qëndrim me shtete si Ekuadori, Guineja dhe Peruja, duke përbërë një katërshe problematike. Pasi nota amerikane erdhi në Tiranë, u ngrit një grup pune me 4 persona. Në përfundim, ministri i Punëve të Brendshme, Simon Stefani, la shënimin se Shqipëria do vazhdonte të vepronte me dekretin e vitit 1976.
Nota e qeverisë amerikane (ekstrakt)
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i paraqet përgëzimet e veta Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Francës dhe ka nderin t’i kërkojë ndihmë në transmetimin e informacionit që vijon qeverisë së Shqipërisë:
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i referohen dekretit shqiptar nr.5384, datë 23.2.1976, që ndryshon dekretin nr.4650, datë 9.3.1970, i cili kërkon të vendosë një det territorial prej 15 miljesh detare, që ndryshon sistemin e vijave të bazë të drejta jashtë mase dhe që ka për qëllim të porosisë se anijet e huaja të luftës mund të hyjnë ose kalojnë nëpër detin territorial vetëm me autorizim të veçantë.
Deklarimi i detit territorial me 15 milje detare nuk mbështetet nga parimet e vendosura të së drejtës ndërkombëtare dhe praktika e shteteve. Siç është e mirënjohur, e drejta ndërkombëtare zakon, siç reflektohet në nenin 3 të Konventës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1982 mbi të drejtën e detit, njeh një gjerësi të detit territorial deri në një kufi që nuk kapërcen 12 milje detare, të matur nga vijat bazë të përcaktuara në përputhje me Konventën. Kjo praktikë është ndjekur nga shumica e shteteve bregdetare.
Please follow and like us: