Albspirit

Media/News/Publishing

Bylykbashi: Gjykata Kushtetuese, peng i shitjes së detit?

Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, përmes një reagimi në rrjetin social Facebook ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Rama se po mban peng Gjykatën Kushtetuese, duke bllokuar zëvendësimin e vendeve bosh të gjyqtarëve për të bërë fakt të kryer shitjen e detit.

Sipas asaj që shkruan Bylykbashi, Rama ia ka shitur territorin e Shqipërisë grekëve, falë një marrëveshjeje të bërë në fshehtësi dhe në shkelje të Kushtetutës.

“Rama i ka shitur territorin e Shqipëriëe‎ grekëve! Tregtari i kufinjve ka bërë marrëveshje në fshehtësi dhe në shkelje të Kushtetutës. Askush nuk di çfarë interesi tjetër kombëtar ka tregtuar për pushtetin e tij”, thekson deputeti demokrat.

Gjykata Kushtetuese është në kolaps, – vijon statusi, – e nuk merr dot vendime. Nga 9 anëtarë që duhet të ketë, vetëm 5 janë sot në detyrë me mandat të plotë, ndërsa Rama po bllokon zëvendësimin e vendeve bosh.

“A mos vallë Rama e bllokon Gjykatën Kushtetuese, që në këtë rrëmujë të drejtësisë të bëjë fakt të kryer shitjen e detit dhe gjykata të mos e anulojë marrëveshjen?”, ngre pyetjen Bylykbashi. Ndërsa në njëfarë mënyre, përgjigjen e jep po vetë.

“Sa herë Rama bën ndonjë zullum, e quan reformë. Shihni kur ta quajë këtë Reforma e Detit. Kësaj radhe, ata që do të duartrokasin do të jenë në Athinë”.

Një ditë më parë, Top Channel raportoi prej burimeve diplomatike në Athinë se, marrëveshja e re e detit parashikon ndarjen e hapësirës detare me parimin e vijës së mesit.

Në marrëveshjen mes dy vendeve, të përfunduar në Kretë, por të detajuar përfundimisht në Korçë sqarohet se llogaritja e 12 miljeve do të bëhet nga ishulli i fundit i banuar në 1913, periudhë që mes dy vendeve është caktuar një vijë e përafërt kufitare. 12 miljet greke do të aplikohen nga ishulli i Otonos dhe Mandraqi dhe jo nga fari i fundit në Veri, si në marrëveshjen e 2009.

Pala greke thotë se me mënyrën e re të matjes dhe pikat referuese të vendosura nga Bushati dhe Kotzias në Kretë, Shqipëria rivendos sovranitetin në atë pjesë detare që humbi me marrëveshjen e 2009-s.

Please follow and like us: