Dha dorëheqjen, ndalet procesi i Vettingut ndaj ish-gjyqtarit të Kushtetueses
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur dnërprerjen e procesit të Vettingut ndaj Besnik Imerajt, ish-anëtarit të Gjykatës Kushtetuese i cili dha dorëheqjen vetëm pak kohë më parë. Pas dorëheqjes ai i kërkoi komisionit të ndërpriste procesin e rivlerësimit. Kjo kërkesë u pranua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Njoftimi i KPK:
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se trupa gjykuese, e përbërë nga Brunilda Bekteshi (kryesuese), Etleda Çiftja (anëtare) dhe Genta Tafa (Bungo) (relatore), pasi mori dijeni për vendimin nr. 2, datë 31.01.2018 të Gjykatës Kushtetuese, botuar në Fletoren Zyrtare nr. 14, datë 06.02.2018, në zbatim të nenit G të Aneksit të Kushtetutës, ka vendosur ndërprerjen e procedurave të rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit Besnik Imeraj.
Vendimi do të publikohet në faqen zyrtare të internetit të këtij institucioni në respektim të afatit të përcaktuar në nenin 55/7 të ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.