Albspirit

Media/News/Publishing

Kokëdhima: Monologu drithërues i Bujar Asqeriut, ftesë për të shembur këtë kastë hajdutësh

Dëgjojeni monologun drithërues të Bujar Asqeriut! Janë fjalë që dalin nga shpirti i një artisti që ia kushtoi gjithë jetën skenës dhe filmit. Është monologu i një drame 27-vjeçare që është luajtur në kurrizin e artistëve, njerëzve të punës dhe të qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi. Bujar Lako, Robert Ndrenika, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Violeta Manushi, Agim Qirjaqi, Bujar Asqeriu e dhjetra e dhjetra artistë të tjerë janë ajo pjesa e shumicës së popullit shqiptar të nëpërkëmbur, të zhvatur, të denigruar, që nuk llogariten në asnjë defter të punëve të vendit, por shikohen si mjeranë, si pabuksa, si lypsarë që shohin duart e zengjinëve në pushtet.
Dëgjojeni Bujar Asqeriun, miqtë e mi! Është revolta e brendshme e shqiptarit të zhveshur nga çdo pushtet, prej kastës së politikanëve të vjetër dhe shushunjave që janë klientët e tyre dhe që kanë rrëmbyer të gjitha pushtetet dhe pasuritë e vendit dhe sot na përqeshin nga lart, gjithë neveri. E kuptoj Bujarin e dorëzuar kur thotë se ia ka lënë Zotit ndëshkimin hyjnor që do t’u vijë keqbërësve nga lart. Por unë e ftoj Bujarin dhe çdo qytetar të ndershëm të këtij vendi që të bëhemi bashkë dhe ta shembim këtë kastë hajdutësh. Ata nuk rrëzohen vetë. Ata nuk kanë frikë as nga Zoti dhe asgjë shpirtërore dhe hyjnore, sepse nuk besojnë te askush veç parasë. Ne duhet të ngrihemi, të gjithë bashkë, dhe t’i shporrim hajdutët, keqbërësit dhe kriminelët nga jeta jonë që fatet e vendit tonë të mos jenë më në duart e tyre.
Please follow and like us: