Petrit Ruka: BALADE E FËMINISË
Kjo poezi e shkruar 38 vjet më parë, përvec naivitetit artistik, më sjell ndërmend kohën kur punoja si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe fshatrave të Tepelenës dhe shkruaja e shkruaja nëpër fletoret katër lekëshe me vija papushim dimrave të gjatë.
Ne mes të livadhit të butë fshatarak
ish kohë më parë një repart ushtarak.
Çdo ditë me shqerra, me kalë a me mushkë,
shkonim se s’na ngopej syri për pushkë.
I njihnim me emra vëllezërit ushtarë,
për ta mbushnim xhepat me mollë a me dardhë.
Çe do një ditë të mbushur me inat,
me shpirt të lënduar u kthyem në fshat.
Në mes të korijes Frani prej Malësisë
po puthej me Tanën, tek Shtegu i Kulumbrisë.
Ne ikëm kokulur, kafshonim gishtërinjtë,
eh, si ta kuptonim ne moshën e tërfiltë…
Në prehrin e gjysheve të gjitha i nxorëm,
pu-pu, thanë gjyshet dhe faqet i çorën.
Zjeu fshati koshere dhe Tanën mallkoi,
po Tana me Franin…iku,… fluturoi…
Që nga ajo kohë kanë kaluar shumë vjet,
Zemërimi me ushtarët si shkumë u tret.
Ku jeni vëllezër, në cilin regjiment?…
1980
Botuar ne librin “Atdheu fillon tek zemrat” ne v. 1983