Presidenti Trump bën të njohur një plan të ri për infrastrukturën
Presidenti amerikan Donald Trump do të bëjë të njohur planin e tij të shumëpritur për përmirësimin e infrastrukturës së vendit; ai do të takohet me zyrtarë lokalë dhe shtetërorë për të diskutuar mbi këtë nismë.
Plani synon t’i shdërrojë fondet federale prej 200 miliardë dollarësh në një investim prej 1,5 trilion dollarësh, për riparimin e rrugëve, urave, hekurudhave dhe objekteve të tjera të infrastrukturës amerikane.
Ky propozim mbështetet tek qeveritë shtetërore e lokale, si dhe tek sektori privat, për mbulimin e kostos në pjesën më të madhe të projekteve.
“Çdo dollar federal duhet investuar në partneritet me shtetin dhe qeveritë lokale dhe ku të jetë e mundur, duke futur edhe investimet e sektorit privat, me synimin për të riparuar një herë e përgjithmonë mangësitë në infrastrukturë”, – tha zoti Trump në fjalimin e tij të janarit mbi gjendjen e vendit.
Rreth 50 miliardë do të përdoreshin për projektet rurale në formën e një pakete grantesh për shtetet.
20 miliardë të tjerë do të përdoreshin për “programet transformuese”, që synojnë projekte të reja inovatore; 20 miliardë do të shkonin për zgjerimin e programeve të huave dhe bondet për aktivitet privat dhe 10 miliardë të tjera do të shkonin për një “fond për financimin e kapitalit”.
Plani i Presidentit, po ashtu synon shkurtimin e kohës dhe shpenzimeve për marrjen e lejeve fedarale për jo më tepër se dy vjet. Akltualisht, ky procesi mund të marrë 5 deri në 10 vjet.
“Propozimi i Presidentit Trump për infrastrukturën është një katastrofë”, tha Shelley Poticha, e Këshillit për Mbrojtjen e Burimeve Natyrore. “Ai nuk ofron investimet e nevojshme për vendin tonë për shekullin e 21-të. Madje më keq akoma, plani i tij përfshin një dhuratë për korporatat, duke mos marrë parasysh aspektet mjedisore.” – tha ajo.
Por Jay Timmons, president i Këshillit për Mbrojtjen e Burimeve Natyrore e vlerësoi zotin Trump se “ka ofruar drejtimin për të cilin ne kemi patur aq shumë nevojë për rikthimin e Amerikës në vendin e duhur, si udhëheqës botëror për infrastrukturën e vërtetë të shekullit të 21-të”/VOA/