Albspirit

Media/News/Publishing

Rama: Nga marsi vendosen oficer të sigurisë në shkolla

Siguria dhe ruajtja e rendit dhe qetësisë në ambientet e shkollave, është tema që iu diskutua në një dëgjesë me prindër e mësues, të zhvilluar nga ministria e Brendshme dhe ajo e Arsimit, ku kryeministri Edi Rama prezantoi projektin “Oficerët e Sigurisë në Shkolla”.

Projekti konsiston në një qasje të re nëpërmjet një projekti pilot, fillimisht në 15 gjimnaze të Tiranës dhe sipas kreut të qeverisë, “zhvillon një figurë të re në jetën e përditshme të shkollës”.

“Do të jenë burra e gra që do të vendosen fillimisht në 15 shkolla si pjesë e parë e zbatimit të programit, për të parë në të përditshme, duke filluar nga muaji mars, ndërveprimin për të nxjerrë konkluzionet e nevojshme për ta shtrirë më pas projektin në të gjithë gjimnazet në vend”, tha Rama.

Oficerët e sigurisë do të kalojnë Akademinë e Sigurisë dhe do trajnohen posaçërisht për këtë detyrë. Më tej ai shtoi se ky projekt, do të eliminojë ngjarjet e dhunshme në shkolla, por ndër të tjera do të forcojë komunikimin në trinomin mësues-nxënës-prindër.

“Jemi të vetëdijshëm, që mes mësuesve, prindërve, nxënësve, për të gjitha ato raste shqetësuese të vogla apo të mëdha që shfaqen në jetën e shkollës, ka një hendek. Është normale, që nëse mësuesit, apo drejtoria e shkollës ndesh me vështirësi të caktuar, që lidhen me fenomene të dhunës, shitjes apo konsumimit të narkotikëve, të mungesës së disiplinës në tërësi, është e pamundur që këto shqetësime të adresohen duke përfshirë drejtpërdrejtë policinë. Oficeri i sigurisë nuk është një polic, nuk vjen në shkollë për të ushtruar kontrolle”, theksoi kryeministri.

Sipas Ramës, oficeri i sigurisë “nuk ka asnjë detyrë të marrë masa, por i bashkëngjitet trupës mësimore dhe trupës së prindërve si një figurë kujdestari për mbarëvajtjen e bashkëjetesës jashtë shkollës”.

“Është një urë e drejtpërdrejtë komunikimi mes mësuesve, nxënësve dhe prindërve, por edhe me policinë, kur shfaqet nevoja e përfshirjes së policisë. Është eksperiencë e njohur në vende të tjera, shumë e mirëpritur nga mësuesit dhe nxënësit. Është metodë që ka rritur ndjeshëm sigurinë në shkollë dhe komunikimin”, deklaroi Rama.

Please follow and like us: