Një botim homazh për mjekun legjendë Vasil Jorgji
Fitim Çaushi
Është ngjarje kulturore për Gjirokstrën, botimi i monografisë “Jetë kushtuar humanizmit”, në të cilën përjetësohet me një realizëm të thellë dhe emocionalitet, mjeku legjendë Vasil Jorgji. Autori, Elmaz Puto është një qytetar i komunitetit gjirokastrit, ku ka jetuar dhe punuar doktori në shërbim të fëmijëve, por përjetimet dhe trajtimet letrare, nuk janë thjesht personale, por produkt i përthithjes së asaj mirënjohjeje të thellë që kanë të gjithë banorët gjirokastrit.
Lexuesi informohet për një fëmijë të lindur në fshatin Vanistër të Dropullit të Poshtëm, më vonë student i mjekësisë në Athinë dhe Bolonjë, në të cilën përfundon shkëlqyeshëm studimet e larta. Ai do të kthehej në Gjirokastër për të dhënë kontributin e tij kur jeta dhe kultura mjeksore në Shqipëri ishte e mjerueshme. Për të dhënë situatën, autori sjell disa shembuj tronditës, veçanërisht vdekjen e 36 qytetarëve gjirokastrit nga gripi në 24 orë, apo të vdekjes së një fëmije në katër të lindur. Ky realitet, për mjekun e ri, ishte i pranishëm edhe gjatë kohës kur pushteti i ri popullor po bënte të pamundurën për eliminimin e pasojave të luftës, kur solidariteti i gjirokastritëve u manifestua në një lartësi që kapërxeu vështirësi e prapambetje shekullore.
Në këto kushte mjeku i ri merr përsipër shërbimin shëndetësor pediatrik për qarkun e Gjirokastrës, hedh themelet e një organizimi shkencor dhe krijon për herë të parë konsultoren “Nëna dhe fëmija”. Me kohë drejton shkollën e parë të infermjerisë për të plotësuar nevojat e shërbimit shëndetësor. Autori nuk e prezanton dr. Vasilin si një zanatçi të mirë, meritë e tij është se ai jep përmasat e besueshme të një intelektuali të madh dhe të papërsëritshëm deri tani. Dr. Vasili, për të përballuar vështirësitë e stadit të zhvillimit, me kulturën e tij të gjerë, përgatit breza infermjerësh dhe kualifikoi breza mjekësh të rinj peditër.
Autori nuk e ka prezantuar sipërfaqësisht protagonistin e tij, por ka depërtuar në thelbin e personalitetit të intelektualit të shquar. Gjërat e mëdha thuhen më mirë thjesht, sepse ato e kanë brenda madhështinë. Elmaz Puto ka respektuar këtë aksiomë dhe përmes një rrëfimi letrar pasionant, ka siguruar suksesin. Në portretizimin e doktorit, autori përdor një gjuhë të thjeshtë, gati të gdhendur, pa fjalë parazitare dhe bubulluese, pa patetika të thata, duke siguruar kështu një harmoni midis vlerave shpirtërore të doktor Vasilit dhe stilit të zgjedhur prej tij, një stil i rrjedhshëm, i kulturuar, që do t’i përshatej më mirë këtij personaliteti të rrallë njerëzor, një stil i thjeshtë, pa zhbirime psikologjike e fryrje artificiale të përmasave të doktorit, me një naracion që të rrëmben e të tërheq si magnet deri në përfundim të monografisë, si për të fiksuar atë madhështi të natyrshme të doktor Vasilit, madhështi që ishte e pranishme në çdo çast të jetës së tij.
Përmes detajeve e ngjarjeve autori dëshmon se tipari dallues i personalitetit të doktor Vasil Jorgjit, ishte pikërisht humanizmi, thjeshtësia dhe përkushtimi në kryerjen e një misioni aq njerëzor dhe të domosdoshëm ndaj jetës njerëzore, thjeshtësi që përbën madhështinë e njeriut, të cilën autori e ka përcaktuar me shumë saktësi: “Për dr. Vasilin, fëmijët ishin të gjithë njëlloj, pavarësisht nga ngjyra e lëkurës. Të bardhë apo të zinj, jevgj apo romë, të njohur apo të panjohur, të gjeneralit apo të karrocierit. Qytetarë apo fshatarë, gjirokastritë apo dropullitë, lunxhotë apo kardhiqotë, njerëz të veshur mirë apo keq, me kostum e kullaro apo rroba shajaku që binin erë qumësht dhe djersë, gra të veshura me fustan apo tumane, të arsimura ose jo, me kulturë apo me mangësi të theksuara të edukatës qytetare, do të gjenin tek dr. Vasil Jorgji të njëjtin mjek të mirësjellshëm të përkushtuar të papërtuar për shëndetin e fëmijëve të tyre . Dhembshuria e tij për çdo fëmijë, ishte e pamatë”.
Kjo ishte kredua e doktor Vasilit, njëherazi edhe mesazhi i madh dhe edukues i punës së tij pasionante dhe vlerave të rralla shpirtërore. Përmes trajtimit të figurës, autori thekson motivin e fuqishëm të kësaj madhështije, dashurinë njerëzore, shërbimi me devotshmëri ndaj njeriut të cilës doktori i kushtoi jetën e tij, shpirtin e tij. Natyrshëm, sikundër e kërkon një monografi realiste, autori e ka prezantuar ëmbëlsinë e fytyrës së doktorit si produkt i ëmbëlsisë shpirtërore të tij, ëmbëlsi që shpërndahej njëtrajtësisht, çdo ditë, tek çdo njeri dhe prekte ndjenjat e tyre.
Autori ka sjellë informacion të bollshëm për kohën, kushtet ekonomiko-sociale dhe njerëzit që iu vunë me pasion sektorit të shëndetësisë, duke depërtuar brenda idealit dhe botës së brendëshme shpirtërore të tij: “Dokor Vasii ishte ndër të paktët që nuk u ndikua aspak nga fetishizimet e kohës dhe vazhdoi të punojë me të njëjtin përkushtim gjer në fund të jetës së tij. I vetmi “privilegj ”, që gëzonte. ishte nderimi që i bënin qytetarët, dashuria dhe respekti që ushqenin për të, dhe akoma më me vlerë ishte një lloj tjetër stimuli moral, kënaqësia kur ndjente pas shumë ditë kujdesi dhe shërbimi tek koka e fëmijës të sëmurë, shërimin e tij. Buzëqeshja e fëmijës së shëruar ishte stimul i pakrahasueshëm me çdo lloj stimuli tjetër për atë njeri”
Autori sjell përjetimet e një nëne: “Nuk e di, do të ketë ndonjëherë mjek pediatër si ai?! M’u sëmur djali e çova për vizitë në spital, doktori ishte në mbledhje. (doktori ishte zgjidhur anëtar i Këshillit Popullor të Rrethit dhe anëtar i Këshillit të Frontit Demokratik të Gjirokastrës). E lajmëruan dhe erdhi në orën 10 të mbrëmjes …edhe në shtëpinë e tij i kam çuar fëmijët për t’i vizituar. Asnjëherë nuk e pashë atë ëngjëll të mjekësisë që të bezdisej nga hallexhinjtë. Për mua ishte një Theos”
Midis shumë detajeve njerëzore, në studim gjejmë një sentencë të tillë: Një mjek i ri i shprehu dr. Vasilit dëshirën për t’u specializuar në pediatri. Doktoi i tha: “E di që do t’i duash fëmijët. Ata do ta mbajnë lart shpirtin tënd. Por, a do të vraposh dot pas tyre, t’i kapësh, t’i mbash poshtë fort, t’u ngulësh gjilpërën dhe të bëhesh shurdh ndaj qarjeve të tyre?”
Ulja e vdekshmërisë foshnjore, si një kërkesë e vazhdueshme e pushtetit të kohës, ishte motua e doktor Vasilit, por kjo theksonte doktori “Varet nga një sërë faktorësh ekonomik e shoqëror, përmirësimi i të cilave sjell ngritjen e nivelit të jetesës dhe të gjendjes kulturore të popullit, nga ana tjetër edhe vetë puna e punionjësve të shëndetësisë kur ajo është këmbëngulëse dhe e pandërprerë në drejtim të aplikimit të masave mbrojtëse, ka rol të padiskutueshëm, por kjo punë pa pjesëmarrjen e masave organizative dhe e dejtuar, është shumë e zorshme dhe pamundur për të arritur qëllimin”.
Doktor Vasili diti të mbetej nga fillimi gjer në fund të jetës, i njëjti brumë, pa asnjë cen në shpirtin dhe ndërgjegjen e tij. Njerëz të tillë janë fenomene të rralla. Qëndrimet e tij të pastra dhe mirëdashse, ishin reflekse të botës së brendshme shpirtërore. “Doktor Vasili “i vogël” – thekson autori – e njihte dobësinë e veçantë që kanë njerëzit për doktorët, për ata që u asistojnë në jetën dhe vdekjen e tyre. Ai e dinte se, kjo dobësi e pacientëve për doktorin nxit mashtrimin e të sëmurëve nga ana e mjekëve, gjë që ai nuk ia lejoi kurrë vetes.”
Për këtë doktori pohonte: “Kishte diçka më të thellë që ndikoi pozitivisht tek unë, analiza e vërtetë që u bëja dështimeve dhe sukseseve. Sa herë më duhej të mbrohesha, rezultati ishte negativ, përgjegjësia zbriste deri tek vetja ime”. Kjo është një fisnikëri e rrallë!
Kolegët e tij kujtojnë: “Shumë herë e kërkuam të na ndihmonte me këshillat e tij, dhe të referonte në konferencat shkencore që organizonim, e thërisnim në konsultat e përgjithshme, ai gjithmonë modest…Ato biseda ishin himne dashurie për fëmijët, himne për qeniet njerëzore.“ Dr. Vasili lundronte mes këtyre hymneve të dashurisë njerëzore. I tillë ishte konstrukti i tij shpirtëror.
Një njeri shpirtërisht i madh nuk mendon si e gjykojnë të tjerët, si e dekorojnë apo si e përgojojnë filistinët, nuk mendon në përfitimet e tij personale, ai është konstant në punën dhe qëndrimet e tij të përditshme, madje klishe deri në përkushtimin e jetës së tij ndaj të tjerëve. Këtu qëndron madhështia e dr. Vasilit, të prezantuar me aq dashuri prej Elmaz Putos. Sigurisht studimi është modest dhe nuk pretendon të ketë rrokur tërë punën gjigande të këtij mjeku legjendë, gjithkush ka mundësinë në të ardhmen ta plotësojë këtë informacion bazë për figurën e dr. Vasilit përmes botimeve të tjera.