Albspirit

Media/News/Publishing

Shoqata e Miqësisë Izrael-Kinë nxit shkëmbimet kulturore midis dy vendeve

Kombi kinez dhe kombi hebre janë dy nga kombet më të lashta në botë. Historia e shkëmbimeve midis këtyre dy kombeve ka filluar që gjatë dinastisë Tang të Kinës (618-907) ose edhe më herët, kur për t’iu shmangur luftës e persekutimit, disa hebrenj shkuan në Kinë. Në dinastinë Song (960-1279), numri i hebrenjve në Kinë u shtua shumë, madje u krijua komuniteti i hebrenjve në kryeqytetin e atëkohshëm Kaifeng. Në kohën moderne, pas hapjes së porteve kineze për tregti me vendet perëndimore, shumë hebrenj erdhën në qendra tregtare, si Shangai, Hong-Kongu etj., për biznes. Më pas, me shpërthimin e Revolucionit të Tetorit në Rusi dhe të Luftës së Dytë Botërore, shumë hebrenj ikën në qytetet kineze Harbin, Shangai etj. për të gjetur strehë. Vlen të vihet në dukje se gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shangai priti e mbrojti shumë refugjatë hebrenj që iu larguan masakrave të nazistëve dhe u bë e vetmja strehë e hebrenjve në atë kohë në botë. Pas luftës, shumë prej këtyre hebrenjve morën pjesë në krijimin e shtetit të Izraelit. Prandaj hebrenjtë ruajnë ndjenja miqësore ndaj Kinës.

Më 9 janar 1950, Izraeli u bë i pari vend i Lindjes së Mesme që njohu Republikën Popullore të Kinës. Në vitin 1992, dy vendet vendosën marrëdhënie diplomatike dhe shkëmbimet dypalëshe në të gjitha fushat filluan zhvillimin e shpejtë.

Po në vitin 1992, disa izraelitë që kanë lindur ose jetuar dikur në Kinë dhe personalitete të tjera mike krijuan Shoqatën e Miqësisë Izrael-Kinë, për të nxitur zhvillimin e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve. Shoqata organizon në çdo tremujor aktivitete të ndryshme për të tërhequr persona të qarqeve të ndryshme për njohjen e kulturës kineze. Njëkohësisht kjo shoqatë ka hapur kursin e gjuhës kineze për të plotësuar kërkesat e anëtarëve.

80-vjeçari Avi Podolsky është një nga ndjekësit e këtij kursi. Ai ka lindur në qytetin Harbin të Kinës dhe u diplomua në Fakultetin e Arkitekturës të Universitetit të Teknologjisë të Harbinit. Edhe djali i tij ka lindur në Harbin. Në vitin 1961, familja e tij u kthye në Izrael. Pas kthimit në atdhe, për shkak të moskontaktit me gjuhën kineze, Podolsky pothuajse harroi ta flasë. Që nga viti i kaluar, çdo të mërkurë, i moshuari shkon posaçërisht nga Jerusalemi në Tel-Aviv për të mësuar kinezisht. Ai thotë se nuk mund ta harrojë Kinën dhe se i pëlqen të flasë gjuhën kineze.

Sekretarja e Shoqatës së Miqësisë Izrael-Kinë Inna Baksheev u shpreh se numri i anëtarëve të shoqatës është shtuar nga viti në vit dhe tani arrin në rreth 50, duke përfshirë edhe shumë të rinj. Çdo izraelit me interes për Kinën mund të anëtarësohet në këtë shoqatë.

Në prag të Vitit të Ri Kinez, Shoqata e Miqësisë Izrael-Kinë organizoi ditët e fundit në Qendrën e Kulturës Kineze në Tel-Aviv një veprimtari kremtuese me rastin e festës, ku u ftuan më se 60 hebrenj të lindur në Kinë dhe personalitete të tjera izraelite miq të Kinës. Prezantuesi i veprimtarisë, Gal Furer, është një këshilltar për investime, kurse bashkëshortja e tij është kineze. Çifti jetoi në Kinë për 15 vjet dhe në vitin 2012, bashkë me dy djemtë, u kthyen në Izrael. Furer tha se atij i pëlqen shumë Festa e Pranverës, siç quhet Viti i Ri Kinez, dhe çdo herë në vigjilje të festës fton miq të tij në shtëpi për të festuar:

“Çdo vit unë ftoj rreth 50 miq në shtëpi për të festuar së bashku Vitin e Ri Kinez. Ky është një rast i mirë që fëmijët e mi të njohin kulturën kineze.”

Karny Israel, që mori pjesë edhe ai në veprimtarinë kremtuese, ka lindur në qytetin Tianjin të Kinës. Në librin “Hebrenjtë në Kinë”, në bibliotekën e Qendrës së Kulturës Kineze, ai zbuloi fotografinë e të atit. Karny Israel u kthye në Izrael në vitin 1949. Në vitin 2000 ai shkoi përsëri në Tianjin dhe gjeti shtëpinë ku jetonte dikur familja e tij:

“Gjeta në Tianjin shtëpinë e dikurshme ku banon sot një familje kineze. Kur morën vesh se, para 70 vjetëve, ne banonim aty, ata u habitën dhe u gëzuan shumë. Ne zhvilluam një bisedë të këndshme nëpërmjet aplikacionit të përkthimit në celular, sepse disa fjalë kineze nuk i mbaj mend. Kjo është një përvojë shumë interesante dhe e paharrueshme.”

Sot marrëdhëniet kino-izraelite po zhvillohen shpejt në të gjitha fushat dhe Shoqata e Miqësisë Izrael-Kinë po luan një rol të rëndësishëm për thellimin e këtyre marrëdhënieve. (Fani/Artan Goga)

Please follow and like us: