Delawie: SHBA do të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi
Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie ka thënë se çfarëdo që të jetë modeli i fazës tjetër të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, ShBA-ja do të jetë pjesë e dialogut.
“ShBA do të jetë pjesë aktive e dialogut. Ne besoj që kemi luajtur rol të rëndësishëm në dialog. Çfarëdo që të jetë modeli fazës së re të bisedimeve, ne do të jemi pjesë e dialogut”, ka theksuar ambasadori amerikan në emisionin ‘Click’ të Rtv 21.
Delawie ka thënë se lëvizja e ngadalshme për kufirin dhe për luftimin e korrupsionin i komplikon marrëdhëniet e Kosovës me partnerët e saj.
“Çështja e kufirit është zvarritur shumë. Kjo çështje e vogël ka thithur shumë energji. Trajtimi i korrupsionit është çështje për të ardhmen e Kosovës në BE”, ka thënë Delawie.
Madje ai ka thënë se sa më shumë pret Kosova për çështjen e kufirit aq më keq bëhet për Kosovën, jo vetëm për integrimin në BE dhe për liberalizimin e vizave.
Ai ka folur edhe për Gjykatën Speciale duke thënë se ajo nuk po bëhet për të treguar nëse UÇK ishte e mirë apo e keqe.
“Gjykata Speciale është e rëndësishme për Kosovën, nuk është për UÇK-në nëse është e mirë apo e keqe por për ndjekjen penale të individëve që kanë kryer krime kundër individëve të tjerë”, shtoi Greg Delawie.
Nuk u la pa u përmendur as ndotja e ajrit në Prishtinë, temë e cila është përfolur shumë gjatë javëve të fundit.
Ambasadori amerikan theksoi se aktivizmi i shoqërisë civile në këtë çështje ishte shumë i rëndësishëm.
“Ndryshimin shoqëror e bën aktivizmi shoqëror, aktivizmi shoqëror u tregon politikanëve se cilat janë çështjet më të rëndësishme me të cilat duhet të merren”, ka thënë Delawie.
Ai ka shtuar se problemi i ndotjes nuk është problem që mund të zgjidhet brenda natës.
“Si problemet e tjera nëse nuk filloni të zgjidhni, nuk do të zgjidhen, por mendoj që është e rëndësishme që shoqëria civile të mos i lë politikanët ta harrojnë këtë çështje”, ka përfunduar Delawie në “Click”.