Fritz RADOVANI: 6 SHKURTI 1967 DHE SKENDERBEU
REVOLUCIONI KULTURAL DHE IDEOLOGJIK NË SHQIPNINË “ATEISTE” !
Gjithkjo heshtje sot në Shqipninë e Gjergj Kastriotit dhe Atdheun e Nanë Terezes!?
A thue e meritonte Shqipnia e Martirizueme nder shekuj një shkatrrim si ky !?..
15 SHKURT 1967: Mbas “Fjalimit Programatik” të 6 shkurtit të diktatorit Enver Hoxha, “Fletë-rrufetë” që bijtën si kërpurdhat mbushën qytetet e fshatrat e topituna e të frigueme per palc.
Të dielën e parë ato u vëndosën në dyertë e Kishave, asaj të Fretënve në Gjuhadol dhe në Kishën e Shën’Kollit në Rus. Kjo stuhi filloi edhe ndër qytete tjera, në Xhaminë e Durrësit, në Lezhë, Milot, Laç etj. Instituti i Naltë Pedagogjik i Shkodrës, ku strehohej si hije anadollaku i njohun Ramiz Alia, filloi mbledhjet e demaskimit të klerikëve nën lëvozhgën “Organizata të Frontit” me klerikët e parë të 1945: At Gegë Lumën, At Frano Kirin, At Mark Harapin S.J. e At Gjergj Vatën S.J. Kjo nuk ishte rastësi por ishte shfletimi i rregjistrave të parë të Ministrisë së Mbrendshme mbasi pikërisht me At Gegën u pat fillue edhe në vitin 1945, dhe vazhdoi me ata klerikë që kishin mbetë pa u zhdukë nga burgjet, intërrnimet e vuajtjet në kampet e shfarosjes. Me thirrjen e djegëjes së Kanunit Lekë Dukagjinit, rreshtohej per pushkatim edhe Don Frano Illija, i cili aso kohe po merrej me punimin dhe sistemimin e Kanunit të Skenderbeut… Edhe kjo thue ishte “rastësi”!?
Kudo kishte vetem FRIKË! Të gjithëve u dukej se errësina e natës asht ma e përshtatëshme për këtë punë, prandej, edhe dritat fikëshin herët. Fillonte ndër oxhakë tymi shllunga-shllunga në pikën e verës tue djegë revista, fotografi “me shokë reaksionarë”, korespondenca, dokumenta historike, “Lahutën e Malcisë”, libra e figure, etj. Secili mendonte vetëm mos me rrezikue jetën e vet dhe të fëmijëve që mund të lindin edhe mbas 10 vjetësh, se edhe atëherë, do t’i ndiqte “lufta e kllasave”.
Kudo FRIKË dhe vetem FRIKË! Të gjithë mendonin vetëm një gja: Me mëshefë!
Kjo luftë ka vazhdue pandërpremje ashtu si burgimet, interrnimet, pushkatimet apo shfarosjet e sa e sa përsonave e familjëve, që për 45 vjet nuk kanë kenë asnjëherë të lirë, si: Mark Temali, ishoficer; Prof. Guljelm Deda, Don Nikoll Mazrreku, Osman Kazazi apo Don Mikel Koliqi, që kur e kam pyetë se në cilat kampe ke kenë, më asht përgjegjë: “Nuk besoj se e dijnë edhe ata, që më kanë burgosë e interrnue!…” Këtu nuk po shkruej për familjet që e filluen martirizimin në vitin 1945, mbasi do të duhej një volum me ata që lindën, u martuen, u moshuen dhe vdiqën ndër kampe intërrnimi, apo me ata breza të tanë të sakrificës ku u ka kalue jeta pa mujtë me krijue as familje, si Frida Sadedini e sa si Ajo, me të cilët, komunistët vazhdojnë me kenë të pangopun …
Shkatrrimi i Kishës së Jezuitëve dhe i asaj të Zojës së Këshillit të Mirë tek Kalaja, i Katedralës, i kumbonarëve historike, plaçkitjet e tyne deri tek sahatat në çdo skaj të qytetit, tregojnë pikësynimin e komunistëve në Shkodër: “Të bëjmë qytetin si fshatin!”. Një piksynim i vjeter!
Këtij qëllimi do t’i shërbente edhe hudhja në erë me dinamit e Kishës monumentale të Vaut të Dejës, ku mendohej se asht kunorzue Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Ajo Kishë u shkatërrue nga kandidati i Komitetit Qendror të P.P.Sh., Fadil Ymeri, (me porosi nga naltë), po Fadilit, nuk i mungonte dëshira për shkatërrim e plaçkitje të veprave monumentale. Kjo u provue në Xhaminë e Parrucës ku inventarizuesit (plaçkitësit) paisën shtëpitë e tyne me qylymat e lampadarët e veprave të kultit. Edhe sot gjenë në shtëpitë e këtyne spijunëve aventurirë shalldane të marrun në Kishat e Shkodrës e qylymat e vjedhun nder Xhamija. Ky ishte një nga shpërblimet e Partisë për veglat e Sigurimit. Për servilin Angjelin Kumrija, (agjent që në vitin 1953, me klubin sportiv “Puna” të Shkodrës, rekrutue nga katili Hilmi Seiti), kur ka kontrollue me shokët e tij Argjipeshkvinë, i ndjeri Don Mark Hasi, ka thanë: “Atë që na ka ba atëditë Angjelin Kumrija, nuk na e ka ba as Sigurimi i Shtetit!”, se çfarë ka ba ai llom, me paturpsi, në dhomën e Imzot Çobës, kundrejt Ipeshkvit të nderuem besoj i kujtohët mirë edhe atje në gropë ku asht! …
Mbas mbylljes së Katedralës 100 e sa vjeçare të Shkodrës më 4 mars 1967, me shpejtësi u veprue për mbylljen e të gjitha Kishave e Xhamijave, kështu, më 19 mars 1967 nuk kishte asnjë Kishë të hapun në Shkodër. Çelsat e tyne me të vërtetë i mori “Organizata e Frontit” por, Komiteti i Partisë organizoi menjëherë komisionet e inventarizimëve (të plaçkitjeve) të objekteve të kultit. “Kryetar i Komisionit Përzgjedhjes Leteraturës Fetare Kishtare” u emnue agjenti Jup Kastrati, mbasi ia kishte marrë dorën me kohë hajnisë së veprave të klerikëve.
Kur “Fletë-rrufetë” mbulonin dyert e Kishave dhe veglat servile e hipokrite thërrisnin për zhdukjen e Fesë dhe të klerit, ndër sytë e popullit ngrihëshin monumente të Atyne Martirëve, vazhdë e pashterrëshme e gurrës së HEROJVE TË KISHËS KATOLIKE si: At Pjetër Meshkalla, At Gegë Luma, At Frano Kiri, At Mark Harapi, Imzot Ernesto Çoba, Don Ndue Soku, Don Injac Gjoka, Don Marin Shkurti, Don Mikel Beltoja, Don Frano Illija, Don Mark Hasi, Don Nikoll Mazrreku, Don Ndoc Ndoja, Don Pjetër Gruda, Don Nikoll Gjini, At Filip Mazrreku etj.
Çdo fushatë politike shoqnohej me pasoja e planëve ekonomike. Mendohej vorfnimi i popullit në mënyrë të tejskajshme si e si me e mbajtë nën zgjedhë gjithmonë me ankthin e frikës dhe të urisë, që kishin pushtue çdo sofër. Nuk mendohej tjetër veç, me kafshatën e fundit në gojë; “kjo iku po, për darkë shka do të hamë!?”… Mendja tek grazhdi i rrin vetëm kafshës, vetëm, ky ishte pikësynimi i këtij “Revolucioni” makabër. Njerëzve iu ndalue me ligjë çdo burim jetese, perveç “kafshatës së gojës” që jepte shteti, mbasi kështu, punohej vetëm për té dhe paguhej sa donte ai. Në çati të shtëpisë punëtori nuk të rregullonte një tjegull se shihëj nga rruga dhe të nesërmën pushohej nga puna, mbasi spijunët e kudondodhun, njoftonin ndërmarrjen se “dje kemi pa punëtorin tuej tue punue punë private”. Askush nuk kërkonte prova, mendimin e dënimit e jepte “klasa” ndërsa, vëndimin e merrte “kllasa”, çpikëse e kësaj lufte, që nuk na u nda për një gjysëm shekulli… jo, pak!
Fshatari u tregue ma i mendëshmi. Ai mendoi: “Pasuni nuk kam, tokën ma keni marrë me kohë, të holla nuk kam, mbasi gjithë familja punon për 30 lekë (të vjetra), merri Parti edhe pulat, sa me i mbajtë unë me parët e bukës së fëmijëve…!” dhe, sa errej nata e deri në të dalun të dritës… shkonte “me vjedhë” mundin e vet në arat, kotecat e magazinat e kooperativës. Ndryshej, si me jetue!?
Asht pikrisht koha kur hajnia nuk konsiderohej ma ves ose turp… Per disa besa edhe “virtyt”!
Ja fjalët e Enver Hoxhës në një buletin special sekret, ku jep këtë porosi për organizatat bazë të Partisë: “… Përsa u përket elementëve të përjashtuar nga Partia, duhët pasur parasyshë se shumica e tyre nuk janë armiqë por patriotë të mirë ose miqë të Partisë. Mjaft prej tyre janë përjashtuar pse janë futur para kohe në Parti ose pse kanë dobësi në punë. Me këta njerëz organizatat bazë të tregohën të kujdesëshëm, ti mbajnë afër dhe ti aktivizojnë, ndërsa ndaj të përjashtuarve për arsye politike organizatat e Partisë duhët të rritin vigjilencën” (E. Hoxha P.P.Sh. Dokumenta Kryesore V- fq. 238, 1974). Pra, llomi i llomit shoqnisë, hajdutët, imoralët, vagabondët, karrieristët, agjentët etj., të urdhnojnë e të vijnë edhe njëherë tek shokët e tyne të “armëve”, mbasi Partia, u tregue “zemërgjerë” ashtusi e porosiste tashti edhe udhëheqësi i saj “i dashur”, miku i Mao Ce Dunit.
Drekat e darkat nuk hapëshin ma me përshëndetjën e zakonëshme kur çohej gota e rakisë për ata që e kishin, por, thohej: “Të na rrojë Partia!”… Kështu, ndër sofra filloi “gjuha e njësuar”. Edhe na Gegët, që kemi pas thanë “na rrnoftë…”, për me kenë ma “në rregull” me Partinë, filluem me shkrepë gotën tue përshëndetë: “Na e rroftë… Partia!”.
“Qarkullimi i kuadrit” ishte një çpikje e re për largimin dhe eleminimin e njerëzve të “pa sigurt”, për ato vepra e punë që i duheshin Partisë, jo, të bazueme ndër faje apo gabime, por në dyshime ose paragjykime të ndonjë spijuni “dashamirës” i Partisë; se ky përson, ka “pikëpamje revizioniste” ose “nuk shprehët i kënaqur nga Revolucioni, por, heshtë…”. U larguen nga “qendra”, u dërguen në zonat e thella malore, u emnuen me detyra “të rëndësishme” ndër kooperativa etj.
Nëse edhe atje nuk jepte prova “përmirësimi” ose nuk tregohej “vigjilent”, Partia mbas gjithë asaj “zemërgjerësie” që kishte tregue me té, e çonte për “riedukim” për 7-8 vjetë në burg dhe, po qëndroi si maparë i përsëritej dënimi. Kështu, u eleminuen shumë ekonomistë, ingjenjerë, profesorë dhe u vazhdue në ushtri e ma vonë edhe në vetë Sigurimin e Shtetit.
Fillohej me ma të madhin “Anëtarin e Byrosë Politike” të parin, e mbas tij, deri ku i shkonte mendja e “ndritur” e Enver Hoxhës: “Se nga ki, nuk më vjen ndonjë e keqe për kolltukun tim!…”. U çpik parulla: “Kursim, kursim, përsëri kursim!” dhe anëtarët e thjeshtë që nuk kishin me shka me ndihmue Partinë materialisht, “i dhuruan” rrathët e martesës. Kjo bahej sëpse “shokët” e naltë të Partisë nuk kishin ndër mend me prekë rëzervat e majme që kishin ndër bankat e hueja, mbasi ata mendonin edhe për kohën e “sotme”, sidukët, i shkonte mendja se nuk ka me kenë gjithmonë “P.P.Sh. fanari ndriçues i marksizëm-leninizmit në botë”… ia paska ndie zemra!
Mandej shka ju donin rrathët ndër gishta, mos ishin të besës komunistët? Ata nuk e kishin për gja të keqe divorcin. Fëmijët e mbetun rrugëve i edukonte Partia në shtëpitë e fëmijës…
Shumë kuadro “me vlerë” qarkulluen në bazë tue marrë përsipër “edukimin” e brezit të rinj. Shumë oficerë të Sigurimit të Shtetit u banë “mësues të edukatës qytetare ”… ironia dhe fyemja ma e madhe që i asht ba shkollës… Disa të tjerë forcuen pikat e dobëta të agjenturës aty ku i dergoi Partia si: Sadik Rama, Rustem Sykja, Pjetër Hasi, Jovan Vujoshi etj.
Pra, kudo “Punë, vigjilencë, gatishmëri!” që e shprehun ma kjarte e në gjuhë shqipe domethanë:
“Me punue si kafshë, me jetue si dhelpën dhe me ngordhë si qen!”.
Me “REVOLUCIONIN KULTURAL” terroristi Enver Hoxha, ka plotësue portretin e vesëve ma të ndyta të tij tue shpallë Shqipninë “Shtet Ateist”, ndërsa, vegla besnike e tij eonuku i oborrit Ramiz Alia, ka dhanë prova në këtë “Revolucion Kultural” se asht i denjë me u ulë më 13 prill 1985, në kolltukun e flligtë të atij tirani gjakatar të Popullit Shqiptar.
Shka kje ky “Revolucion Kultural?” mu në zemër të Evropës?…
(Vazhdon simbas ngjarjeve në Mars 2018)…
Melbourne, Shkurt 2018.