Albspirit

Media/News/Publishing

Macron: Sistemi i raketave në Iran duhet të jetë “nën vëzhgim”

Programi i raketave balistike duhet të jetë nën vëzhgim ndërkombëtar, ka thënë presidenti francez, Emmanuel Macron duke kërkuar ashpërsimin e qasjes ndaj Iranit derisa kërkohet ruajtja e marrëveshjes bërthamore, të cilën presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar se do ta prishë.

Me marrëveshjen e vitit 2015, kërkohet ndalimi i programit bërthamor të Iranit, mirëpo presidenti amerikan, Trump ka caktuar 12 majin si afatin e fundit për të rishikuar marrëveshjen.

Macron ka thënë se Franca si një nga nënshkrueset e marrëveshjes dëshiron ta ruajë të njëjtën pasi nuk është ofruar asnjë marrëveshje më e mirë.

Sidoqoftë sipas tij, përdorimi i raketave në Jemen dhe Siri, që janë të lidhura me Iranin, duhet të adresohen pasi ato përbëjnë problem për sigurinë e aleatëve francezë.

“Dëshiroj një rreth të ri të bisedimeve me palët rajonale dhe anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, ashtu siç jemi mbledhur për marrëveshjen bërthamore, mirëpo duke u zgjeruar edhe me shtetet rajonale në mënyrë që të reduktojmë këtë pasiguri”, u ka thënë Macron gazetarëve.

“Na duhet ta vëzhgojmë Iranin për raketat e saj balistike. Është proces i domosdoshëm për sigurinë në rajon andaj na duhet një mekanizëm i sanksioneve”, ka deklaruar ai.

Ndonëse Irani ka pranuar të ndalojë aktivitetet e saj bërthamore, ky vend ka refuzuar vazhdimisht të diskutojë programin e raketave, pavarësisht thirrjeve të SHBA-së dhe vendeve evropiane.

Zëvëndës-ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, ka thënë më 8 shkurt se Perëndimi duhet që fillimisht të sigurojë se marrëveshja bërthamore rezulton e sukseshme para se të negociohen çështje tjera.

Please follow and like us: