Albspirit

Media/News/Publishing

Makina të reja, karburant, këpucë e mobilie zyrash për kryeministrin e ministrat

Janë zbardhur vendimet e Këshillit të Ministrave në mbledhjen e fundit të qeverisë, ndërsa ajo që bie në sy është miratimi i krijimit të një agjencie qeveritare që do merret me blerje për llogari të Kryeministrisë, ministrive dhe institucioneve të tjera.

Pavarësisht se nuk ka një shifër të saktë se sa do shpenzohet, në VKM thuhet se do shpenzohet për automjete, karburant, këpucë, mobilim zyrash e pajisje të tjera.

Sipas vendimit Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, në vijim “Agjencia”, organizohet dhe funksionon si institucion qendror, person juridik publik, buxhetor, në varësi të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

V E N D I M

PËR

NGARKIMIN E AGJENCISË SË BLERJEVE TË PËRQENDRUARA PËR KRYERJEN E PROCEDURAVE TË PROKURIMIT PUBLIK, NË EMËR DHE PËR LLOGARI TË KRYEMINISTRISË, MINISTRIVE DHE INSTITUCIONEVE TË VARËSISË, PËR DISA MALLRA DHE SHËRBIME

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 11,  të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, dhe të pikës 1, të nenit 2, të tekstit “Rregullat e prokurimit publik”, bashkëlidhur vendimit nr.914, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ngarkimin e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, si organ qendror blerës, për prokurimin e fondeve buxhetore, me vlerë mbi kufirin monetar të prokurimeve me vlera të vogla, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive, institucioneve në varësi të Kryeministrit e të ministrave të linjës, për blerjen e mallrave dhe të shërbimeve, si më poshtë vijon:

1.1. Blerje automjetesh;

1.2. Blerje karburanti, përveç vajgurit Jet A1;

1.3. Blerje materialesh kancelarie;

1.4. Blerje orendish dhe pajisjesh për mobilim zyrash;

1.5. Blerje materialesh të ndryshme për pastrim;

1.6. Blerje uniformash dhe elementesh të tjera përbërëse të tyre;

1.7. Blerje këpucësh;

1.8. Blerje pjesësh këmbimi për automjete, për shërbimet profilaktike;

1.9. Blerje tonerash;

1.10. Sigurim automjetesh;

1.11. Shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi;

1.12. Shërbim pastrimi;

1.13. Shërbim lyerjeje dhe mirëmbajtjeje ndërtesash;

1.14. Riparim dhe mirëmbajtje automjetesh;

1.15. Botime, printime dhe materiale shtypshkrimi;

1.16. Blerje materialesh të buta dhe veshmbathje;

1.17. Riparim, mirëmbajtjeje sistemi të ngrohje-ftohjejeve;

1.18. Mirëmbajtje impiantesh elektrike;

1.19. Blerje pajisjesh laboratorike, me përjashtim të atyre mjekësore;

1.20. Shërbime dezinfektimi;

1.21. Shërbim i ruajtjes dhe i sigurisë fizike;

1.22. Blerje artikujsh ushqimorë;

1.23. Blerje pajisjesh kondicionimi;

1.24. Shërbim gjelbërimi;

1.25. Shërbim mirëmbajtjeje rutinë dhe dimërore të rrugëve.

2. Përjashtimisht, lejohet:

2.1  Ministria e Mbrojtjes t’i realizojë vetë procedurat e prokurimit për:

a) blerje uniformash, veshmbathjesh dhe elementesh të tjera përbërëse  të tyre;

b) blerje këpucësh.

2.2Ministria e Mbrojtjes dhe institucionet e saj të varësisë të realizojnë vetë procedurat e prokurimit me objekt “Riparim dhe mirëmbajtje automjetesh”.

3. Përjashtohen nga zbatimi i këtij vendimi përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë, të akredituara jashtë vendit.

4. Lidhur me objektet e përmendura në pikat 1.6, 1.11, 1.13 dhe 1.19, të pikës 1, të këtij vendimi, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara do të qendërzojë/do të fillojë kryerjen e procedurave të prokurimit me paraqitjen e çdo kërkese të paraqitur nga autoritetet kontraktore.

5. Autoritetet kontraktore, institucionet e përmendura në pikën 1 të këtij vendimi, brenda 5 (pesë) ditëve nga hartimi i regjistrit të parashikimit të procedurave të prokurimit, të dërgojnë në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara, si organ qendror blerës të dhënat teknike e sasiore dhe fondin përkatës, për mallrat e shërbimet përkatëse.

Agjencia e Blerjeve të Përqendruara duhet të informojë Agjencinë e Prokurimit Publik në çdo rast kur konstaton mosrespektimin e afatit kohor të përcaktuar në këtë pikë.

6. Agjencia e Blerjeve të Përqendruara duhet të unifikojë specifikimet teknike për mallra dhe shërbime të të njëjtit lloj, në përputhje me standardet e miratuara, në bashkëpunim me specialistët e fushave të institucioneve përgjegjëse ose specialistë të jashtëm, vendas a të huaj, e të hartojë katalogët e standardeve, të cilët miratohen me udhëzim të ministrit të Brendshëm.

7. Agjencia e Blerjeve të Përqendruara duhet të prokurojë, nëpërmjet marrëveshjes kuadër, mallrat dhe shërbimet e vazhdueshme dhe të unifikuara. Kategoritë konkrete të mallrave dhe shërbimeve, të cilat do të prokurohen nëpërmjet marrëveshjes kuadër, përcaktohen sipas udhëzimeve të Agjencisë së Prokurimit Publik.

Në këtë rast, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara ka këto detyra dhe përgjegjësi:

a) Të zhvillojë procedurat e prokurimit deri në nënshkrimin e marrëveshjes kuadër;

b) Të përllogaritë fondin limit për mallrat dhe shërbimet që do të prokurohen. Në rastin kur si kriter vlerësimi i ofertës/ofertave fituese është çmimi për njësi, fondi limit do të jetë çmimi i përllogaritur për çdo artikull apo shërbim.

c) Të shqyrtojë ankesat e operatorëve ekonomikë deri në shpalljen e njoftimit të operatorëve të suksesshëm.

8. Në rastin kur Agjencia e Blerjeve të Përqendruara kryen procedura prokurimi për të lidhur kontratë dhe jo marrëveshje kuadër, ka këto detyra dhe përgjegjësi:

a) Të zhvillojë procedurat për prokurimin e përqendruar të këtyre mallrave dhe shërbimeve deri në shpalljen e fituesit;

b) Të bashkërendojë punën me autoritetet kontraktore për mbledhjen e përpunimin e të dhënave për prokurimet publike, që do të zhvillojë  si organ qendror blerës;

c) Të verifikojë përputhshmërinë e kërkesave të dërguara nga autoritetet kontraktore me ligjin dhe standardet në fuqi;

ç) Të përllogaritë fondin limit për përcaktimin e të dhënave sasiore për mallrat dhe shërbimet, që do të prokurohen, para publikimit të tenderit. Në këto raste, organi qendror blerës vë në dijeni autoritetet kontraktore;

d) Të shqyrtojë ankesat e operatorëve ekonomikë deri në shpalljen e njoftimit të fituesit.

9. Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, në raste përjashtimore, mund të zhvillojë procedurë prokurimi edhe kur kërkohet nga një autoritet a një grup autoritetesh kontraktore, mallra a shërbime, që nuk janë përcaktuar në këtë vendim.

10. Agjencia e Blerjeve të Përqendruara në rast se autoritetet kontraktore kanë kërkesa, pasi është bërë publikimi i njoftimit të kontratës së prokurimit, verifikon arsyet e vonesës dhe shpall procedurën e re të prokurimit për këto kërkesa.

Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, duhet të informojë Agjencinë e Prokurimit Publik në çdo rast kur konstaton vonesa në paraqitjen  e kërkesave nga autoritetet kontraktore, pas publikimit të njoftimit të kontratës.

11. Agjencia e Blerjeve të Përqendruara ka të drejtë të monitorojë në çdo kohë zbatimin e kontratave nga autoritetet kontraktore. Në përfundim të monitorimit harton një raport për korrektësinë dhe cilësinë e zbatimit të kontratës. Një kopje e këtij raporti i dërgohet Agjencisë së Prokurimit Publik.

12. Ngarkohet Agjencia e Prokurimit Publik të udhëzojë autoritetet kontraktore për zbatimin e këtij vendimi.

13. Agjencia e Blerjeve të Përqendruara planifikon dhe kryen procedurat e prokurimit për mallrat dhe shërbimet e mëposhtme, duke filluar nga data 1 janar 2019:

a) Riparim, mirëmbajtje e sistemit ngrohje-ftohje;

b) Riparim dhe mirëmbajtje automjetesh;

c) Mirëmbajtje impiantesh elektrike;

ç) Shërbim i ruajtjes dhe sigurisë fizike;

d) Blerje artikujsh ushqimorë;

dh) Blerje pajisjesh kondicionimi;

e) Shërbim gjelbërimi;

ë) Shërbim mirëmbajtjeje rutinë dhe dimërore të rrugëve.

14. Përjashtimisht, për vitin 2018, autoritetet kontraktore, institucionet e përmendura në pikën 1 të këtij vendimi, të dërgojnë në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara, si organ qendror blerës, të dhënat teknike e sasiore dhe fondin përkatës për mallrat dhe shërbimet përkatëse, brenda datës 28 shkurt 2018.

15. Vendimi nr.28, datë 14.1.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për ngarkimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për kryerjen e procedurave të prokurimit publik, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive dhe institucioneve të varësisë, për disa mallra e shërbime”, i ndryshuar, shfuqizohet.

16. Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Agjencia e Blerjeve të Përqendruara dhe institucionet e përmendura në pikën 1.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Please follow and like us: