Albspirit

Media/News/Publishing

Rama-senatit të UT: Jeni bishti i kavallit, askush s’e ndal reformën

Problemi i pagave të pedagogëve ka bërë që sot kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla të zhvillojnë një takim me senatin e Universiteti të Tiranës.

Kryeministri Rama që në nisje të fjalës shprehu keqardhjen e tij për mosardhjen në takim të pedagogëve që e kërkuan në të vërtetë atë. Ai shtoi më tej se universiteti e ka problemin kryesor me veten dhe se vonesa e pagave tregon që reforma është një sfidë edhe për vetë qeverinë.

“Askush nuk e merr dot peng reformën. Mund të çohen nja 10-15 pedagogë e të thonë të ndryshohet ligji, kjo nuk ndodh, nuk bën vaki, ligji duhet zbatuar. Universiteti është para një sfide të re për autonomi të zgjeruar. Debati që do të doja të zhvilloja duhet të ishte mbi mënyrën sesi qeveria të ndihmojë për autonominë e zgjeruar. Vonesa e pagave është një shembull shumë i qartë, se reforma është sfidë edhe për ne që e kemi udhëhequr dhe kemi krijuar legjislacionin”, tha Rama.

Kreu i qeverisë argumentoi se kjo reformë ka krijuar një debat mes MASH dhe MF. “Ministria e Arsimit me të drejtë këmbëngul që granti i pakushtëzuar të trashëgohet dhe menaxhohet nga universiteti, ndërsa Ministria e Financave kërkon që çdo vit të rifirmoset. Për disa ditë u gjet rruga e zgjidhjes. Rektori e konsideroi kosto të bukës së gojës, por ishte pak më shumë seç duhet shprehje emocionale”, u shpreh ai.

Sipas Ramës, granti i pakushtëzuar i UT është i pamjaftueshëm dhe “ai shkon në tërësinë e vetë për të mbuluar një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve por jo tërësisht”. “Ne na takon që grantin e pakushtëzuar ta rrisim, bazuar tek merita dhe performanca e universiteteve”, theksoi kryeministri.

Në një moment gjatë diskutimit me të pranishmit, Rama ka ngritur tonet dhe i është drejtuar Senatit duke thënë: “Nëse kërkoni që qeveria mos të merret më me paga jemi dakort, rritini vetë, ulini vetë, diferencojini vet. Jeni bishti i kavallit i të gjithë universitete të Shqipërisë. Për këtë s’ka faj as reforma, as ligji, as aktet nënligjore. Secili të mbajë përgjegjësinë e vet. Ne tonën, ju tuajën”.

Kryeministri është shprehur krenar se qeveria e tij “mori një vendim për rritjen e rrogave, por kjo është hera e fundit se i takon çdo Universiteti të vendosë për rrogat”.

“Duhet të mbarojë historia që marrin të gjithë njësoj si një pedagog që mban shkollën në këmbë dhe një tjetër që e merr rrogën kot. Po kjo është një punë që e bën universiteti jo qeveria. Qeveria sulmohet për tarifat, nuk i vendosim ne, i vendos universiteti. Qeveria vendos një tavan për të shmangur abuzimet. Jeni të zgjedhur, flamurin e autonomisë e keni, tundeni”, deklaroi Rama.

Please follow and like us: