Tillerson: Irani t’i tërheq forcat “destabilizuese” nga Siria
Sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, e ka përsëritur thirrjen amerikane që Irani t’i tërheq forcat nga Siria, duke thënë se prania ushtarake e tij po e destabilizon rajonin. “Ne jemi mjaft të shqetësuar për incidentin aktual me involvimin e kapaciteteve të Izraelit dhe Iranit brenda në Siri. Mendoj se kjo përsëri ilustron se përse prania e Iranit në Siri është vetëm duke e destabilizuar rajonin”, tha sot Tillerson në një konferencë për gazetarë në Aman të Jordanisë. Duke folur së bashku me minsitrin e jashtëm të Jordanisë, Ayman Safadi, Tillerson theksoi se “Irani duhet ta tërheq ushtrinë e vet, milicitë nga Siria dhe të lejoj shpresë për procesin e paqes” i cili po zhvillohet në Gjenevë. Këto komente janë bërë pas një serie të sulmeve ajrore izraelite në Siri më 10 shkurt, për të cilat ushtria tha se i kishte sulmuar caqet siriane dhe iraniane. Gjatë kësaj ofensive një aeroplan izraelit është rrëzuar.