Gjet Ndoj: Pse e shkrova librin “ARKIVAT SHQIPTARE”?
Unë kam patur fatin dhe privilegjin e madh të isha për tre vite në krye të Arkivave të Shtetit Shqiptar. E quaj fat, pasi Arkivat e Shtetit janë institucioni më unik nëpërmjet të cilit ne mund të përcaktojmë historinë tonë, si popull, si etni, si komb dhe si shtet, deri në ditët tona. Arkivat janë vendi nga ku mund të mësojmë shumë të vërteta. Vetëm në arkiva mund të përcaktohet qartë dhe me vërtetësi idenditeti ynë etnik e kombëtar.
Është privilegj të jesh në krye të arkivave, pasi ndryshe nga çdo qytetar, madje ndryshe nga cdo studiues sado skurpuloz dhe i palodhur qoftë, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave ka mundësi (për shkak të detyrës), të kundrojë e të shikojë më shumë se kushdo tjetër reth fondeve arkivore dhe të veprimtarisë së të gjithë sistemit arkivor të Republikës tonë.
Duke qenë thellësisht i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm se këto fonde janë pjesë e pasurisë dhe e Trashëgimisë Historike e Kulturore të shqiptarëve, njëherësh pjesë e përjetshme e tyre, e ndjeva për detyrë që këto të vërteta që hedhin dritë mbi arkivat dhe fondet dokumentare, t’ia them publikut shqiptar e më gjerë.
Duke u karakterizuar nga ndjesia e dashurisë për nacionalitetin tonë Arbnor-Shqiptar dhe përkatësinë europiane të tij, si dhe duke u ndjerë borxhli ndaj shqiptarëve (pronarit të vërtetë të Arkivave), mendova dhe vendosa që kjo detyrë realizohej në mënyrën më të plotë të mundshme duke bërë këtë libër, titullin e të cilit e përcaktova: “ARKIVAT SHQIPTARE”.
Natyrisht është një sipërmarrje unike. Në lidhje me arkivat më parë janë shkruar disa libra me karakter metodologjik ku pasqyrohen më tepër standardet dhe metodika e punës dhe veprimtarisë arkivore në tërësi, sesa një këndvështrim studimor për Arkivat (Rrjetin Arkivor Kombëtar) dhe fondet dokumentare që ruhen në to. Në këtë kuptim , këto libra e broshura më tepër u shërbejnë specialistëve – arkivistë në punën e tyre sesa studiuesve dhe aq më shumë publikut të gjerë.
Libri strukturohet në tri pjesë, duke përfshirë gjithsej 22 kapituj.
– Në pjesën e parë, është trajtuar koncepti institucional e shkencor i arkivave, rrjeti arkivor në Republikën e Shqipërisë dhe fondet dokumentare që ruhen, përpunohen dhe shërbehen, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave si institucion kryesor në këtë rrjet, Arkivi Qendror i Shtetit, Arkivat Shtetërore vendore, Arkivat e Sistemit, Arkivat që ruajnë dokumente të së njëjtës tipologji, arkivat private, hapja e arkivave për studiuesit dhe qytetarët, etj.
– Në pjesën e dytë janë trajtuar shkurtimisht Arkivat shqiptare jashtë republikës së Shqipërisë, ku arkivat e Kosovës zënë pjesën kryesore, më shkurt trajtohen arkivat e Maqedonisë dhe të Malit të Zi, fondet dokumentare që ruhen dhe shërbehen prej tyre, etj.
– Në pjesën e tretë: “Tre vjet në krye të arkivave”, gjendet e shtjelluar problematika dhe prioritetet që idendifikuam e u përpoqëm të përmbushnim me stafin e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, por dhe me të gjithë stafet e tjera të institucioneve arkivore në vendin tonë. Kam bindjen se lexuesi kur të njihet me përmbajtjen e kësaj pjese do të kuptojë se nuk është thjeshtë një raportim mbi punën që unë me stafet arkivore kryem për tre vite, por duke raportuar përmbushjen sa mundëm të misionit tonë, mësohet dhe hidhet dritë mbi shumë problematika të veprimtarisë arkivore në Shqipëri që kanë karakter të përgjithshëm dhe janë tepër të rëndësishme.
* * *
Për përgatitjen e këtij libri kanë ndihmuar shumë specialistë e drejtues të Arkivave të Shqipërisë, të Kosovës të Maqedonisë etj, pa të cilët nuk mundej kurrsesi të bëja një libër të tillë.
Është minimale të falenderoj dhe të shpreh mirënjohjen time për këto personalitete që u bënë pjesë e qenësishme e këtij libri:
– Ramë Manaj – Kryeshef i Agjencisë së Arkivave të Kosovës;
– Muzafer Bislimi – Zv/Dretor i Arkivit Shtetëror të Maqedonisë;
– Menduh Derguti – Historian;
– Endrit Musaj – Drejtor i Inspektimit dhe i Trajnimeve në DPA të Shqipërisë;
– Ruzhdi Panxha – Drejtor i Departamentit të Veprimtarisë Arkivore në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës;
– Irfete Ibrahimi – Arkivi Shtetëror i Maqedonisë;
– TekiKurti– Drejtor i Arkivit Shtetëror të Forcave të Armatosura dheKadriDauti po i Arkivit FA;
– Pranvera Dibra – Drejtore e Arkivit Shtetëror pranë Ministrisë së Jashtme;
– Irma Bime – Drejtore e Arkivit Shtetëror të Ministrisë së Brendshme;
– Gëzim Picari– Drejtor i Arkivit Shtetëror të Sistemit të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH);
– Elvira Diamanti (Drejtore) dhe IrenaAsqeriu (Përgjegjëse) nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit;
– Luljeta Fortuzi– Përgjegjëse Sektori në Arkivin Qendror Teknik të Ndërtimit (AQTN);
– Nezir Bata – Historian;
– MsrkPalnikaj – Studiues dhe hulumtues i arkivave italiane;
– Ilir Marleka – Këshilltar i Presidentit të Republikës;
– Arben Dervishi- Drejtor Ekonomik dhe i Shërbimeve Mbështetëse në DPA; -PashkAlia- Përgjegjës i Sektorit të Ish Arkivit të KQ të PPSH në DPA;
– AferditaHajro– Inspektore në Drejtorinë e Inspektimit dhe e Trajnimeve pranë DPA;
– EduartZaloshnja– ekspert me përvojë unike në arkiva;
– Specialistët e DPA; Isa Xhaferri, Violeta Mancelli, Ermal Arapi, Gea Sulo, etj.
– Mirënjohje të veçantë meriton nga unë Baba Edmond Brahimaj.Kryegjyshi Komunitetit Botëror Bektashian.
DY FJALË: Për autorin dhe punimin e tij.
Punimi “Arkivat Shqiptare” i autorit Gjet Ndoj, për mua, vjen në dritë jo rastësisht. Pozita e autorit si Drejtor i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë është një kondicion shumë i favorshëm, është një privilegj i një indicjeje, por nuk bën “ushqimin” themelor që ka sjellë krijimin e kësaj vepre me karakter shkencor e profesional, me vlerë kombëtare që paraqet interes të veçantë për çdo lexues në përgjithësi dhe për punonjësit shkencor të fushës së historisë në veçanti. Ushqimi i vërtetë e ka bazën tek formimi i shëndoshë intelektual e pasioni i autorit për shkencën historike që ka ardhur duke u rritur, përsosur ndër vite.
E njoha autorin gjatë viteve 1984-1988, kur ai vazhdonte studimet e larta në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, në Degën e Historisë, ku unë punoja si pedagog. Që në atë moshë të re, autori më ka tërhequr vëmendjen duke u dalluar nga të tjerët si student serioz, i vullnetshëm, me dëshirë për dije dhe kërkesa ndaj vetes. Ishte këmbëngulës, i prerë, i mprehtë në gjykim. Nuk e rrëmbente riprodhimi mekanik, por lëndët i studionte me logjikë, arsyetonte e gjykonte mbi faktet mbi të cilat formonte bindje e siguri. Rastësia më solli në një mbledhje që organizonte Ministria e Arsimit në qytetin e Rrëshenit, për të dekoruar mësues të dalluar. Aty takova autorin (ish studentin tim), i cili ushtronte profesionin e mësuesit të historisë në një nga shkollat e mesme të përgjithshme në Mirditë. Në një bashkëbisedim me drejtuesit e arsimit në rreth u fola për figurën e aftësitë e autorit të cilin duhet ta vlerësonin për formimin e tij shkencor, kulturor e profesional. Vitet kaluan dhe kohët e fundit u gëzova kur rashë në kontakt me botimet shkencore të autorit ku trajtoheshin tema nga fusha e historisë, të periudhës antike (rreth ilirëve), mesjetare (rreth arbrorëve), si dhe të jetës aktuale. Në krijimtarinë e tij zinin vend të veçantë edhe figura të shquara të historisë tonë kombëtare. Është ky formim e pasion për shkencën burimi që ka ushqyer studimin serioz të autorit. Ka pasur shumë drejtorë më parë, bile historianë të mirëfilltë që kanë patur pozicionin administrativ të autorit, por nuk kanë dhënë punime të kësaj natyre, që të shpalosin përpara shoqërisë shqiptare vlerat e Arkivave Shtetërore me tërë diapazonin shterues të tij. Punimi jo vetëm informon mbi strukturën e arkivave shqiptare, por paraqet me hollësi dokumentacionin që përmbajnë ato duke filluar nga Arkivi Qendror i Shtetit, arkivat e tjera shtetërore të sistemit, pjesë e rrjetit Arkivor të Republikës e deri tek arkivat private.
Punimi është shkruar me një metodologji moderne, me stil konciz e mjaft tërheqës. Është përdorur një gjuhë e qartë, e kuptueshme, pa e rënduar me fraza të ngarkuara e fjalë të tepërta, që do ti sillnin vështirësi jo vetëm në lexim , por dhe në kuptimin e saktë të ideve që përmbanin ato. Punimi jo vetëm që mban ngjyrën e një vepre shkencore, por është trajtuar shumë profesionalisht. Pa hyrë në analizën e tri pjesëve dhe kufijtë që përmbajnë ato, theksojmë se vetëm me një punë metikuloze të imët e të kujdesshme, precize e pedante e shumë të vullnetshme mund të arrihej realizimi i këtij punimi. Theksuam në fillim rolin determinues që ka luajtur formimi intelektual i autorit, por duhet nënvizuar fort edhe shpirti nacionalist i tij, ndjenja e atdhedashurisë pa të cilën nuk mund të arrihej fryma që ka kjo vepër, e cila i krijon shoqërisë shqiptare mundësinë për të njohur të vërtetën historike, e cila paraqitet sot mjaft e deformuar. Dokumentet arkivore përmbajnë memorien historike, zbulojnë çfarë është e vërtetë dhe jo e vërtetë, gjysmë e vërtetë apo e dyshimtë duke krijuar kushte të plota për ndërtimin e një historie të saktë, gjithpërfshirëse, për historinë e vërtetë të kombit tonë. Në këtë këndvështrim autori Gjet Ndoj, me veprën e paraqitur bën një gjest të vërtetë patriotik.
Vepra është një manual në dorën e cdo studiuesi, shqiptar apo i huaj i cili orientohet ku të kërkojë e të zbulojë materialin dokumentar që i nevojitet për të studiuar çdo aspekt të botës shqiptare, të fushës politike, social-ekonomike, kulturore apo fetare, duke filluar nga e kaluara e largët (shekulli i VI, P.K) deri në ditët e sotme. Vepra “Arkivat Shqiptare” e para e këtij lloji shënon një hap shumë serioz në fushën e Arkivistikës Shqiptare, si një fillesë e re e kësaj shkence pothuajse e heshtur deri tani në vendin tonë.
Menduh Derguti – studiues
Tiranë më 29.X.2017