Ilir Levonja: Parkland më 14 shkurt
14 shkurti i këtij viti do mbahet mend gjatë për ne që jetojmë në Florida. Rreth orëve të pasdrekes në një nga shkollat e mesme të Parkland-it, Douglas High School, pas një alarmi për zjarr, zë fill e gjitha. Të shtëna dhe britma. Me pak fjalë alarmi për zjarr në ambjentet e shkollës qe i rremë. Një ish student, a një ish gjimnazist si i themi ne, qëllonte mbi gjindjen. Përpos të tjerave, gjithçka ngjante me sekuencat e lojrave virtuale. Një shqetësim ikohës dhe për më tepër një dhimbje koke për prindërit.
Gjithçka e planifikuar mirë…
Parkland-i është një qytet i ri. Rreth 10 minuta larg meje. Rruga ndan dy qytetet tona. Shkolla e mesme një nga me të mirat. Një kampus i përmasave të një universiteti deri me stadium të madh bashkëkohor. Siç më thotë një i njohuri im, në Parkland, aty e pesëmbëdhjetë vjet të shkuara, një shtëpi kushtonte jo më shumë se tridhjetëmijë dollarë. për shkak të afërsisë me kënetën e Everglade-it, si zonë rurale ku dominojnë rreth e qark fermat bujqësore. Por gjithçka ndryshoi shumë shpejt sa sot e kësaj dite shtëpia më e pakët fillon tek gjysëm milioni dollarë amerikan, e sipër. Një qytet i qetë ku dominojnë pishat e larta, vilat me kopshte të mëdha, stalla kuajsh sa nuk është vështirë të kuptosh paqen shpirtërore mes natyrës dhe njeriut. Ndaj shumë qytetarë, janë të tronditur me faktin se si mund të ndodhi kështu në një qytet të tillë ku jeton ajo pjesë e shoqërisë që ka të ardhura të mira.
Ne mediat sociale sot njerëzit diskutojnë për shumë gjëra. Ajo që bie në sy është një lloj pasigurie në shkollat publike. Arrijnë deri aty sa thonë se nuk do t’i çojnë fëmijët tek shtetërori, por tek privati. Nga ana tjetër i tremben faktit se si njerëzit keqpërdorin lirinë. Megjithatë nuk harrojnë të luten për shpirtrat e humbur. Per ate se si ngatërrojnë hobet virtuale me realitetin njerëzor. Ish studenti që vrau 17 njerëz quhet Nikolas Kruz. Një fëmijë i adoptuar qysh kërthi nga dy prindër të moshuar. Pak muaj më parë i vdiq edhe e ëma që e birësoi. Kishte pasion armët dhe shpenzonte kohë duke folur për ‘to. Tek-tuk me probleme aq sa edhe një radhe ishte përjashtuar nga shkolla. Dhe në fushimet a kampimet që bënin si studentë atij i qe ndaluar çanta e shpinës. Nga ana tjetër kish ndjekur ca kurse ushtarake për të rinj. Lajmet janë kaq te shumta rreth tij. Por kur vështron se sa dhimbje ka mes komunikimit virtual, nuk të mbtetet asgjë tjetër veç ato fjalët me mbi dhimbje. Mos e patshim kismet. Mjerë shtëpitë ku sot bubullon gjëma. Zoti u ruajte mënd e kokës atyre prindërve. Dhe tjetra, ky qytet i ri, kaq i bukur, plot paqe pyjesh nuk e meritonte të arshivonte në historinë e tij të re, një ngjarje të tillë.