Albspirit

Media/News/Publishing

Moisés Naím: Kostoja e manipulimit dhe konspiracionistet e Kremlinit

Në fund të çdo viti që nga 2003, Fjalori Amerikan Merriam Webster shpall fjalën angleze të vitit. Sipas fjalorit autoritar, fjala më e kërkuar në internet në vitin 2022 ishte Gaslighting (ndezja e llampave me gaz). Peter Sokolowski, redaktor i fjalorit, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se kërkimet për fjalën këtë vit u rritën me 1,742 për qind në krahasim me një vit më parë. Ishte ndër 50 fjalët më të kërkuara çdo ditë.

Gaslighting është një term bisedor që i referohet trukeve të përdorura për ta bërë një person të dyshojë në realitetin e tij dhe të vërë në dyshim atë që ndjen, beson dhe bën. Qëllimi është që të dobësohet psikologjikisht viktima për të ndikuar mbi perceptimet, sjelljet dhe vendimet e tyre.

Kjo ide u përdor fillimisht në një shfaqje që u dha si premierë në vitin 1938 në Londër dhe Nju Jork dhe më pas u soll në ekranin e madh në vitet 1940 dhe 1944. Filmi, “Gas Light”, tregon historinë e një çifti ku, për t’i marrë paratë, burri manipulon gruan e tij duke e bërë të mendojë që ajo është e çmendur. Ndër truket e tjera, burri kishte instaluar një sistem për të ndezur dhe fikur dritat me gaz në shtëpi, kur gruaja ishte vetëm.

Gënjeshtrat e vazhdueshme, kontradiktat, konfuzioni, skepticizmi për vlefshmërinë e të vërtetave më parë të padiskutueshme dhe zëvendësimi i tyre me histori të rreme, sulmi ndaj vetëvlerësimit të viktimave dhe stimulimi i pasigurive të tyre, mbajtja e informacionit dhe përdorimi i vazhdueshëm i gënjeshtrave janë vetëm disa nga taktikat e përdorura prej manipuluesve.

Termi kishte dalë jashtë përdorimit dhe u rikthye në përdorim me një farë frekuence nga psikologët dhe psikiatrët në mesin e viteve 1990, por rritja shpërthyese e shpeshtësisë me të cilën kërkohet fjala sot në internet nuk vjen nga këto fusha, por nga politika, ku gjithnjë e më shumë po përdoren taktikat e Gaslighting për të formësuar atë që beson një shoqëri e tërë.

Në fakt, Gaslighting lidhet ngushtë me një fjalë tjetër që në 2016-ën u zgjodh nga Fjalori i Kembrixhit si fjala e vitit: post-truth (post-e vërteta), ose prirja për të pranuar një ide si të vërtetë mbi bazën e emocioneve dhe jo të fakteve. Vitet e fundit kemi parë sesi, në shumë vende të ndryshme, opinioni publik ndikohet nga liderët dhe grupet që shpërfillin të dhënat, provat dhe madje edhe logjikën.

Një shembull dramatik i Gaslighting dhe i post-të vërtetës është Brexit. Promovuesit e saj përdorën gjerësisht truket e Gaslighting dhe arritën të krijonin një strukturë të opinionit publik të dominuar nga post-e vërteta. Dihet mirë se kur ministri Michael Gove, një nga udhëheqësit e Brexit, u pyet se çfarë mendonte për një studim të kryer nga ekspertë të lartë, i cili tregonte se sa katastrofike do të ishte për Mbretërinë e Bashkuar të prishte lidhjet me Evropën, reagimi i tij ishte: “Unë mendoj se njerëzve në këtë vend u ka ardhur në majë të hundës me ekspertët”.

Përpjekjet për të ndikuar në opinionet dhe sjelljet e një shoqërie ose të një pjese të saj janë sigurisht shumë të lashta dhe propaganda ka qenë gjithmonë një mjet i domosdoshëm në garat politike. Në ditët e sotme, megjithatë, propaganda, post-e vërteta, përhapja në shkallë e gjerë e gënjeshtrave dhe Gaslighting kanë marrë një fuqi dhe toksicitet të paparë.

Teknologjitë e reja të informacionit lejojnë individët dhe grupet të zënë skenën qendrore në mënyra që më parë ishin të disponueshme vetëm për qeveritë, partitë apo korporatat, dhe ne kemi parë tashmë manifestimet më të liga të përdorimit të mediave sociale për thellimin e ndarjeve, përhapjen e gënjeshtrave dhe nxitjen e kaosit.

Prandaj është urgjente të mbrohen shoqëritë nga përdorimi jo i shëndetshëm i këtyre platformave të reja; për këtë qëllim, është prioritet vendosja e kostove dhe pasojave ndaj sulmuesve dixhitalë dhe atyre që lehtësojnë sjelljen e tyre të papranueshme.

Është inkurajuese, për shembull, të shohësh se si gjykatat amerikane kanë vendosur gjoba miliarda dollarëshe për një personazh monstruoz si Alex Jones, i dënuar për shpifje ndaj familjeve të fëmijëve të vrarë në masakrën e shkollës fillore në Sandy Hook.

Po kështu, një proces gjyqësor i madh është duke u zhvilluar nga kompania Dominion Voting Systems kundër Fox News, e cila, sipas Dominion, për ditë të tëra gënjeu për besueshmërinë e sistemeve të saj të votimit, duke i shkaktuar dëme të mëdha.

Edhe Donald Trump ka nisur të paguajë për herë të parë kostot politike për përpjekjen e tij për të bërë lëmsh shoqërinë me gënjeshtrat e tij për mashtrime zgjedhore, të cilat e shtynë të kërkojë edhe pezullimin e Kushtetutës. Vetëm duke vendosur kosto të larta monetare, ligjore dhe reputacionale, shoqëria mund të mbrohet nga Gaslighting kolektiv. / Në shqip nga bota.al

Please follow and like us: