Roza Anagnosti përkrah artistëve: Teatri është i shenjtë
“Teatri është i shenjtë, unë jam me artistët. Jam me Robert Ndrenikën”. Kështu u shpreh aktorja e njohur Roza Anagnosti për “Gazeta Shqiptare”. E pyetur për debatin që po zhvillohet, Anganosti tha dje se teatri duhet të jetë në qendër, në të njëjtin truall ku është Teatri Kombëtar ekzistues. “Në të gjithë botën kështu është teatri kombëtar, në qendër të qytetit.
Nëse ka një projekt për një teatër të ri, le të bëhet ku është teatri jonë. Unë kam luajtur më shumë se 30 vite aty, kam interpretuar sa e sa role. Ai është vend i shenjtë. Unë jam me kolegët”,- theksoi aktorja e njohur, që në prononcimin e saj për “GSh” tha se teatri ka nxjerrë sa e sa breza të artë.
“E vlerësoj Teatrin Kombëtar për identitetin, për kulturën. Duhet të jetë absolutisht në qendër. Godina është shumë e rëndësishme. Dhe do angazhim konkret. Nuk mund të ikin aktorët pa pasur një projekt konkret për teatrin, siç iku Opera, që ta di që teatri do jetë ku ishte. Mbështes artistët, mbështes Robert Ndrenikën. Teatri duhet të mirëmbahet. Shumë mirë që është bërë Turbina, por ajo është për projekte të tjera”,-shtoi Anagnosti.
Sipas saj teatri nuk duhej të ishte lënë në atë gjendje që është. “Bënë oborrin e Teatrit Kombëtar e nuk bënë teatrin”.