Flet këngëtarja e diasporës, Valbona Lalaj: Nuk e konceptoj jetën pa këngë
Hermes Nikaj
Valbona Lalaj është lindur në Tiranë në 1983. Ka filluar të merret me muzikë qysh nga viti 1999. Ndonëse e re në moshë, Bona është nëna e dy djemve, Florenti & Argjendi që për të janë pasuri e pacmueshme. Ajo është e njohur nga anembanë diaspora shqiptare dhe mbremjet e saj live janë të panumërta. Për më tepër ndiqeni intervistën që kemi zhvilluar me të!
-Bona, a e kujton koncertin tënd të parë?
Koncerti im i parë ka qenë në Zvicër, nuk harrohen kurrë eksperiencat e para. Më pas në shumë vende të Evropës, e gjer ne Australinë e largët.
-Çfarë konsideron gjënë më të shtrenjtë?
Gjëja më e shtrenjtë janë dy djemtë e mi, pasuri e paçmuar. Familja ime është më e shtrenjta.
-A adhuroni dikë?
Vetëm të madhin Zot i qofsha falë.
– Si është raporti yt me udhëtimet?
– Udhëtoj shumë për shkak të profesionit, por mund të them se udhëtimi është një kënaqësi më vete. Gjithmonë duhet të jem me valixhe gati sepse koncerti i radhës më pret.
– Sakrificat që duhet të bësh për muzikën?
– Përveç jetës së natës të gjithë të tjerat janë kënaqësi. Jeta e natës te mundon sepse do punosh, do pish pak alkool e do rrish pa gjumë, por tashme edhe me të jemi mësuar. Diçka tjetër që sakrifikon është edhe qëndrimi larg familjes, por mundohem ti shkurtoj distancat.
– Çfarë do të thotë të jesh nënë?
Nënë, një fjalë e shenjtë dhe kuptimplotë, në të njëjtën kohë nënkupton seriozitet, përkushtim dhe sakrificë. Kur bëhesh nënë e sheh veten në një tjetër pikëpamje, je më e përgjegjshme në atë që thua dhe në atë që bën. Unë që kur jam bërë nënë kam një këndvështrim shumë largpamës dhe një karakter shumë të fortë, jam shumë e vendosur në atë që bëj dhe që shikoj në te ardhmen.
– Repertori juaj i preferuar?
Populloret në përgjithësi, por këndoj muzikë të trevave të ndryshme.
– Si është Bona në kuzhinë?
Mund të them se mirë, por për shkak të impenjimeve të ndryshme nuk kam shumë kohë të gatuaj.
– Shprehja juaj , apo motoja juaj …
Thjeshtësia apo zemërmirësia e zbukuron njeriun.
-Në valixhen tuaj të udhëtimeve ka gjithnjë brenda … ?
Libra, revista e produkte kozmetike.