Ndue Ukaj: ATDHEU IM
Atdheu im është një shtëpi e madhe.
Me dyer të vjetra dhe dritare të reja për
ajrosje. Atë e kanë punuar shumë duar.
Dikush ia vuri themelet, por kur u ndërtuan
muret- u tha se ishte mot i keq. Kulmi
u qëndis me duar nga nuset e reja që hedhin
valle dhe flisnin për dashuri. Atë vit pati
shumë erëra dhe stuhi. Pemët u shkulën
me rrënjë dhe kopshti i historisë sime u grabit.
Qe dëgjuar nëpër tregime të mbretërve pa emër-
se n’ borë mbetën të ngrirë shumë kalë e kalorës.
Atëbotë nuset u mbyllën në bodrume, pinin raki
dhe ruheshin t’ mos binin sërish në dashuri.
Ato thurnin ëndrra për stinën e tyre, por stuhia
nuk pushoi gjatë. Në kronikat e kohës u tha se,
një magjistar i vizitoi për çdo natë dhe nuk i la të mërziteshin.
I ngushëlloi me tregime dashurie,
deri kur kumti për kalorësit çau tejpërtej errësirën,
dhe u dëftua në portat e shtëpisë. Atëherë kulmi ra përtokë,
si trup qiellor që e përplasin perënditë e mallkimit.
Dhe shtëpia u nda si një xham i thyer.
U dashtë shumë kohë që me duar të përgjakura të niste një rrëfim i ri.
Por atdheu im ende nuk e ka shtëpinë e plotë.
As nuk i kupton tregimet misterioze që i vërtiten si yje në natën kur hëna nuk shkëlqen-
dhe njerëzit si të shastisur bërtasin “të kujt jemi ne.”