Albspirit

Media/News/Publishing

Dhjetë vjetori i pavarësisë së Kosovës dhe mesazhi i përçarjes së kryeministrit të Shqipërisë

 

Enver Bytyçi

Sot Kosova është në festë! Ka dhjetë vjetorin e lindjes së shtetit të saj! Një ditë që na bën krenarë të gjithë ne shqiptarëve! Një ditë e jashtëzakonshme dhe më e me kuptim sesa vetë shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, sepse 28 nëntori i 1912-ës pa 17 shkurtin e 2008-ës ishte gjysmak!

Me 17 shkurtin e vitit 2008 shqiptarët u bënë me dy festa kombëtare! Rasti i vetëm në kontinentin europian, ndaj duhet të jemi e të ndjehemi krenarë! Kosova në këto dhjetë vjet ka kapërcyer sfida të shumta. Ka bërë një rrugëtim marathonomak, ka dëshmuar pjekuri, maturi dhe ka arritur vërtet shumë. Nëse ne debatojmë me kritika dhe qëndrime reflektuese, kjo ndodh për shkak se duam që njëherë në jetën tonë si komb të realizojmë më të mirën e mundshme. Mjaft kemi zgjedhur të keqen më të vogël, për të shpëtuar nga e keqja më e madhe! Shtetin e Kosovës tashmë e respektojnë qytetarët e saj. Simbolet e këtij shteti, fillimisht të kontestuara me të drejtë, janë bërë pjesë e identitetit të Kosovës, më së shumti për hatër të shtetit dhe jo të vokacionit! Dhe kështu është mirë! Pa konsolidimin dhe njohjen përfundimtare të shtetësisë së Kosovës nuk ka të ardhme, përparim e zhvillim të kombit shqiptar! Në këto dhjetë vite shqiptarët e përjetojnë Kosovën në mënyra të ndryshme, disa me zemër, disa me stomak, disa me mendje, të tjerë me egoizëm të shfrenuar dhe pak sosh e përceptojnë “si lopë që i duhet marrë vetëm qumështi”!

Por shumica dërmuese e shqiptarëve e duan Kosovën me zemër, një pjesë e madhe prej tyre me zemër e me mendje, janë shumë pak ata që e duan Kosovën si rezervat të pasurimit të tyre dhe si mundësi të provokimeve në funksion të mbajtjes së pushtetit. Një ndër këta është kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama! E gjithë bota në ditën e dhjetë vjetorit të Kosovës përcolli mesazhe pajtimi, unifikimi dhe fjalë miqësie e inkurajimi prej të urtësh.

Ndërsa Edi Rama përdori në Prishtinë mbrëmjen e kaluar diskursin e Aleksandër Vuçiç, duke përçarë politikën shqiptare në Prishtinë. Dikush thotë se “ishte ditë feste dhe pija ka bërë punën e vet”! Dikush tjetër aludon se janë vjedhur pasuordet e FB të dy kryeministrave! E vërteta është se kryeministri i Shqipërisë jo vetëm përçan me diskursin e tij arrogant, por e bën këtë edhe me veprimet protokollare të pazakonta. Ai është kryeministër dhe si i tillë ka për detyrë funksionale të jetë mysafir i kryeministrit të Kosovës.

Por Edi Rama nuk di protokolle, nuk di rregulla, e madje me qëllim të caktuar i shkel ato. I mban lidhjet protokollare me miqtë e tij në Prishtinë. Në rastin konkret me Hashim Thaçin, i cili ka për homolog në Shqipëri Ilir Metën! Hashimi me vetëdije i prin së keqes, prishjes së rregullit, sepse nuk heq dorë nga protagonizmi i tij në Kosovë, edhe pse Kosova është Republikë Parlamentare! Kështu ndodhte gjithashtu me Isa Mustafën, i cili ishte detyruar t’i tregonte Ramës kufirin e sjelljes ndaj tij.

Këtë tentoi të bënte kryeministri Haradinaj mbrëmë, kur i tregoi kufijtë e kësaj sjelljeje Edi Ramës! Një raport dhe një marrëdhënie e paprecedent ndërshqiptare e midis shteteve! E gjitha për fajin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, sepse edhe në ditë feste është në kërkim të protagonizmit e vihet në funksion të politikave përçarëse! Me akte të tilla përçarëse ai prish mortin e dasmën! Eshtë i paparashikueshëm e si i tillë i rrezikshëm jo vetëm për shoqërinë shqiptare, por edhe për stabilitetin e paqen në rajon. Kosova po feston sot 10 vjetorin e pavarësisë.

Por sfidat e saj nuk kanë përfunduar. Eshtë fjala për sfidën e shtetësisë. Nëse Kosova do të besojë se miku i ngushtë i Aleksandër Vuçiç dhe i Baton Haxhiut, pra se Edi Rama do të ndihëmojë atë për të kapërcyer sfidat e ardhshme, Kosova dhe institucionet e saj gabohen rëndë. Nëse ndodh kjo, 15 vjetorin e pavarësisë së Kosovës do ta festojmë me ndarjen e saj. Prandaj, i bindur në destruktivitetin e kryeministrit të Shqipërisë, i bëj thirrje më së pari mikut të ngustë të Edi Ramës, pra presidentit të Kosovës, të heqë dorë nga bashkëpunimi në të keqe me kryeministrin aktual të Shqipërisë, të refuzojë këshillat dhe mendjen e tij ngatërrestare, të krijojë konsensus dhe kohezion në politikën e Kosovës, të mos synojë protagonizmin e tij në shembullin e Edi Ramës, por të ndihëmojë që Kosova të bëhet shtet me të drejta të plota në të gjitha organizatat ndërkombëtare e me sovranitet të plotë në kufijtë e saj aktualë!

Sa kohë që Edi Rama do të lejohet të ndërhyjë në punët e Kosovës, aq kohë Kosova nuk ka për të patur hajr, nuk ka për të shënuar ndonjë sukses, përveçse regresit të pashmangshëm! Edhe nëse e lejoni Aleksandër Vuçiçin të vijë në Kosovë për arësye diplomatike, nxirreni jashtë kryeministrin e Shqipërisë, sepse ju përçan dhe ju denigron më keq se presidenti i Serbisë! Së paku Aleksandër Vuçiç ruan një farë etike, ndërsa ky i joni e bën llom kudo që shkel!

Please follow and like us: