Fran Shkreli: Ambasadori Xhemjs Përdu, pajtuesi i Ballkanit
Konsullata e Republikës së Kosovës në Nju Jork, si pjesë e veprimtarive të saj në kuadër të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, organizon të martën që vjen, me 20 Shkurt, promovimin e librit të posa botuar tëAmbasadorit amerikan Xhejms Përdu (James W. Pardew) me titull: “Peacemakers: American Leadership and the End of Genocide in the Balkans” (Pajtuesit: Udhëheqja Amerikane dhe Fundi i Gjenocidit në Balkan).
Ambasadori Përdu ka patur një karierë të gjatë dhe të dalluar ushtarake dhe diplomatike. Para se të fillonte karierën e tij diplomatike, Z. Përdu kishte shërbyer në ushtrinë amerikane për 27 vjetë, në detyra të larta të inteligjencës, përfshirë, ndër të tjera, postin e zëvëndës Drejtorit për Inteligjencë dhe Drejtor i Inteligjencës së Jashtme, në periudhën e shembjes së komunizmit anë e mbanë Evropës lindore dhe qëndrore dhe në ish-Bashkimin Sovjetik.
Ai doli në pension nga ushtria amerikane në vitin 1994 për të filluar një karierë të re në diplomaci. Gjatë krizës ballkanike, Xhejms Përdu ishte në qëndër të zhvillimeve dhe të veprimtarive politiko-diplomatiko-ushtarake të Shteteve të Bashkuara në atë rajon, duke filluar që në vitin 1995, fillimisht si pjesëmarrës në negociatat e ish-ambasadorit Riçard Holbruk për të ndaluar luftën në Bosnje,e deri tek shpallja e pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008. Ambasadori Përdu llogaritë në rezymën e tij profesionale edhe detyrën e kryenegociatorit amerikan në bisedimet e Ohrit midis palës shqiptare dhe palës sllavo-maqedonase. Z. Perdu ka kryesuar gjithashtu edhe task-forcat, ose grupet ndër-qeveritare të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin, të organizuara nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe nga Pentagoni gjatë krizave në Ballkan, ndërkohë që ka shërbyer edhe si këshilltar politik pranë Aleancës së NATO-s. Ishte në këtë kapacitet që unë kam pasur rastin dhe fatin e mirëqë e kam takuar Ambasadorin Përdu, pasi isha caktuar Drejtor për Europën të merrja pjesë — si përfaqsues i VOA-s si njëra ndër entet e interesuara — në takimet ndër-qeveritare të punës për Ballkanin, ku merrnin pjesë përfaqsues të shumë agjencive amerikane, e të cilat kryesoheshin dhe koordinoheshin nga Ambasadori Përdu. Fillimisht, Z. Përdu u emërua Drejtor i Zyrës përgjegjëse për Ballkanin, në Departmentin e Mbrojtjes dhe nga viti 1996 e deri në vitin 2008 ka shërbyer në Departamentin Amerikan të Shtetit. Në vitin 1997, Presidenti Bill Klinton e emëron Z. Perdu në detyrën e Ambasadorit, emërim i cili u miratua nga Senati i Shteteve të Bashkuara.