Albspirit

Media/News/Publishing

Haradinaj: Kosova, shtet në miqësi të përhershme me SHBA

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, mbajti mbledhjen solemne në shënim të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Para kabinetit qeveritar, kryeministri Haradinaj, me këtë rast ka kujtuar të gjithë të rënët nëpër breza për lirinë e Kosovës.

“Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra,
Qytetarë të dashur të Kosovës, 
Shqiptarë kudo që jeni,

Kosova, në prag të shënimit të dekadës së parë të pavarësisë, është sot një shtet, është shtëpi për qytetarët e saj e ngritur me flijimin e shumë brezave; një shtet që ndërton paqe në një shoqëri të të gjithëve, që ec në liri me miqtë e vet të shtrenjtë, në miqësi të përhershme me SHBA-në dhe e rreshtuar me Perëndimin, por e hapur për të gjithë ato kombe që e njohin dhe e respektojnë.

Ne po ndërtojmë një shtet model, ku secili qytetar, grup etnik ose fetar, gra dhe burra, me diversitet etnik, kulturor e gjuhësor si dhe në pluralizëm politik dhe ideor, e projektojnë vullnetin e tyre për të jetuar së bashku në një shtet, pra me unitet shtetëror dhe kohezion shoqëror, duke krijuar vepra të mëdha që na mbajnë bashkë në shtet.

Dhjetë vjet Pavarësi të Kosovës dhe 19 vjet liri, do të thotë mbyllje e konfliktit të tmerrshëm që rrënoi shumë jetë njerëzish dhe nisje e një jete të re.

Kosova e pavarur do të thotë një shtet më shumë në hartën gjeopolitike të Globit, një shtet pretendent për t’u anëtarësuar në OKB, NATO dhe BE si dhe në të gjitha organizatat tjera ndërkombëtare që i shërbejnë paqes dhe mirëkuptimit ndërmjet njerëzve e kombeve.

Kosova në këtë dhjetëvjetor ka të arritura të mëdha, por edhe shumë sfida, për të cilat besoj se në një unitet politik e institucional do t’i kapërcejmë.  

Kosova, është një vend i vogël por Republikë zemërgjerë, që respekton dhe nderon aleatët, që i kanë qëndruar afër në kohë të vështira dhe që i qëndrojnë afër edhe tash në festë. Andaj jemi të nderuar me të gjithë që sot festojnë bashkë me ne në Kosovë.

Shteti i Kosovës e ka përmbushur kërkesën e njerëzve të vet për liri dhe po e përmbush përcaktimin për një jetë të përbashkët të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim të të gjithë atyre që Kosovën e shohin si shtëpi të tyre!

Jemi të vetëdijshëm se ende nuk janë përmbushur në tërësi pritjet e qytetarëve për një shtet modern, por jemi në një rrugë të pakthyeshme, që bashkërisht me partnerët tanë, të mbërrijmë aty!

Të ndjekim të drejtën për lumturi!

Kosova e këtyre idealeve do të bëhet, sepse atdhedashuria dhe besnikëria e qytetarëve tanë për shtetin është e lartë.

Kosova sot po promovon vlerat demokratike, të një shteti të barabartë për të gjithë, ku liritë dhe të drejtat e njeriut si dhe barazia përpara ligjit janë themelet e palëkundura të tij. 

Kosova në dekadën e dytë të jetës së saj do ta arrijë stadin zhvillimor, që do thotë një vend pune për secilin që dëshiron një punë dhe një perspektivë e dinjitet për secilin.

T’ia besojmë lirinë ligjit!
T’i japim dashuri e besnikëri atdheut tonë Republikës së Kosovës!
Zoti e bekoftë Kosovën dhe qytetarët e saj!
Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë!
Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës!
Me fat dhjetëvjetori i Kosovës-shtet”.

Please follow and like us: