Harry Bajraktari: 10-vjetori i pavarësisë, një ditë e madhe në 100 vjet!
Sot kur kremtojmë 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, në të njëjtën kohë, duhet të kthehemi prapa e të shohim se ku ishim para 100 vjetësh, para, 50 dhe para 30 vjetësh. Kosova, e lirë dhe e pavarur, është kryevepër dhe është arritja më e madhe historike, pas vitit 1912, kur gysma e Shqipërisë, fitoi pavarësinë.
Mund të mos jemi të kënaqur plotësisht për të arriturat 10 vjeçare në aspektin e zhvillimit ekonomik, të demokracisë dhe të forcimit të institucioneve shtetërore, por marrë në përgjithësi, shteti ynë i ri, është storie e suksesit dhe janë bërë shumë reforma në fusha të ndryshme, pas sakrificave që bëri populli i ynë për 100 vjet, e sidomos në luftën e fundit të UÇK-së 1998/1999, duke pasur mbështetjen parezervë të miqve tanë ndërkombëtarë.
Kjo sakrificë e madhe shekullore e larë me gjak, duhet të jetë nxitje për ta çuar Kosovën përpara, ku ligji të jetë mbi të gjithë, ndërsa qeveria dhe institucionet shtetërore duhet të punojnë e të bëhen garanci për një jetë më të pasur dhe më të lumtur, ku askush të mos i lakmojë emigrimit në një vend tjetër. Të veprojmë që ta zotërojmë shtëpinë tonë dhe në të, të krijojmë lumturi, perspektivë dhe begati për fëmijët tanë.
17 shkurti i vitit 2008, është shumë i rëndësishëm për mbështetjen që na dhanë shtetet më të fuqishme të botës: SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia dhe shtetet tjera në Evropë dhe në kontinentet tjera. Se lufta jonë për liri dhe pavarësi ishte e drejtë dhe e patjetërsueshme, flet edhe fakti se në kohën më kritike, kur Serbia pretendonte dëbimin totale të shqiptarëve nga Kosova, këto shtete na dolën në ndihmë dhe na nxorën nga një tragjedi e ngjashme me hollokaustin e Luftës së Dytë Botërore, ose me Srebrenicën e Bosnjës.
Kosova sot është shtet që po reformohet nga viti në vit, edhe përkundër pengesave të vazhdueshme nga Rusia dhe satelitët e saj, ajo sot është njohur nga 115 vende të ndryshme të botës dhe u bë pjesë e shumë organizatave ndërkombëtare ekonomike, politke, kulturore e sportive. Artistët dhe sportistët tanë sot kanë pushtuar majat e botës.
Kosvoa tash synon të bëhet anëtare e BE-së, NATO-s dhe e OKB-së. Pavarësia e saj ka sjellë stabilitet dhe paqe në rajon, ndërsa, në anën tjetër, ka faktorizuar rolin shqiptar në Ballkan. Ne duhet të përpiqemi shumë më tepër për ta çuar amanetin e të gjithë atyre që ranë për liri dhe sakrifikuan për këtë ditë të madhe që e gëzojmë ne.
Vendy ynë sa më shpejt duhet ta ketë ushtrinë e tij, si çdo shtet tjetër, e Kosova s’ mund të trajtohet ndryshe.
17 shkurti i vitit 2008 ishte monumenti më fatlum i popullit të Kosovës dhe i shqiptarëve në përgjithësi, dhe me këtë datë u përmbys përfundimisht robëria serbe. Këtë fat të lumtur e të paharruar e përjetova thellë edhe unë, si ditën më të veçantë të jetës sime, duke kremtuar në New York së bashku me familjen time, me miq e shokë.
Urime 10 vjetori Kosovë, urime shqiptarë!
Faleminderit, Amerikë!