Albspirit

Media/News/Publishing

Lazim Destani: Si e gjen Kosovën 10 vjetori i Pavarësisë?

 

Projekti i pavarësisë së Kosovësështë arritja më e madhe e popullit shqiptar pas Pavarësisë së Shqipërisë.

Luftërat dhe përpjekjet shekullore për liri e pavarësi fatmirësisht u kurorëzuan me çlirimin e Kosovës. Lufta çlirimtare e popullit shqiptar dhe ndihma nga miqtë tanë në nëntëdhjetë e nëntën i dha fund vuajtjeve duke e hequr qafe përgjithmonë zgjedhën e huaj shekullore. Gjatë viteve të pasluftës dhe sidomos në 10 vjeteshin e fundit, nga shpallja e Pavarësisë, shteti i Kosovës ka ecur përpara, është zhvilluar e fuqizuar dhe sigurisht që në këtë rrugë duhet të vazhdojë me përkushtim akoma më të madh.

Çka duhet Kosova të bëjë më shumë në rrafshin ekonomisë?

Në rrafshin ekonomik, sa do që Kosova ka ruajtur një rritje ekonomike mbi 3 %, vendi ka nevojë të bëjë shumë më shumë në sferën e zhvillimit ekonomik duke vazhduar me reformat e duke i eliminuar procedurat burokratike. Ambienti dhe klima atraktive për investitorët është e një rëndësie shumë të madhe. Vetëm me investime nga jashtë, Kosova mund të bëjë progres në fushën e zhvillimit ekonomik. Shumë investitorë të huaj si dhe investitorët nga diaspora shqiptare janë të interesuar për investime në Kosovë dhe krahas anës së biznesit, ata janë në pritje ta japin kontributin e tyre për zhvillimin e Kosovës. Për arritjen e këtij qëllimi, avantazh shumë i favorshëm është fakti që pjesa më e madhe e komunitetit të biznesit të diasporës shqiptare janë të bashkuar te Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare. Ka ardhur koha që diaspora ta ndërrojë rolin e saj, pra nga roli asistues ndaj familjeve në Kosovë të marrë rolin e motorit të fuqishëm për zhvillimin ekonomik të vendit. Këtë mund ta bëjë falë fuqisë materiale dhe përvojës që e kanë krijuar ndër vite në vendet ku e kanë zhvilluar aktivitetin e tyre. E mirëpres miratimin e ligjit për investimet strategjike si një mundësi e mirë për të ecur më shpejt si dhe e përgëzoj shtetin e Kosovës për nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e termocentralit të ri Kosova e Re, si një investim strategjik i cili gjithsesi do të krijojë stabilitet energjetik për Kosovën.

Një mesazh me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë?

Në emrin tim, dhe si kryetar nderi, edhe në emër të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, për këtë festë jubilare të Pavarësisë së Kosovës, ua përcjell urimet më të mira të gjithë bashkëkombësve tanë kudo që janë. Uroj dhe dëshiroj që përvjetorët e ardhshëm ta gjejnë Kosovën gjithnjë e më të zhvilluar dhe më të begatshme. Uroj që çdo familje kosovare të ketë mirëqenie gjithnjë në rritje si dhe më shumë zhvillim ekonomik e vende të reja pune për rininë tonë të mrekullueshme.

Please follow and like us: