Rrëfimi i Gerta Hetës: I dashuri i parë më rrihte çdo ditë
“Lidhja ime e parë ka qenë me një person të dhunshëm dhe vuaja nga dhuna fizike”. Kështu ka rrëfyer moderatorja e njohur dhe e dashur nga publiku, Gerta Heta.
Ajo ishte e ftuar së fundmi në “Oktapod” ku për herë të parë ka treguar një histori shokuese sesi i dashuri i saj i parë ushtronte dhunë fizike ndaj saj dhe e kërcënonte.
Gjatë rrëfimit të saj, Gerta tha se për 6 muaj ishte dhunuar sistematikisht dhe kishte pasur frikë t’i tregonte prindërve.
“Lidhja ime e parë ka qenë me një person të dhunshëm dhe vuaja nga dhuna fizike. Haja dru çdo ditë. Isha 18 vjeç dhe nuk guxoja t’i thosha njeriu se më bënte presione. ‘Do t’i thyej këmbët vëllait tënd’, thoshte. Unë kisha frikë t’u tregoja edhe prindërve.
Pas 6 muajsh dhune sistematike i thashë prindërve dhe arrita të largohesha nga ai njeri. Në plazh prindërit më panë me njolla të zeza në trup dhe aty u detyrova fola. I thashë prindërve që kisha nevojë për ndihmën e tyre që mos të më linin vetëm.
Prindërit mu gjetën jashtë mase afër. 1 vit të tërë ata më sillnin, më prisnin në shkollë. Ai më përndiqte, vinte te shkolla, shkruante te muret ‘Gerta të dua, më fal’.
Ai ishte 5 vjet më i madh se unë. U largua vetëm kur i kam çuar policinë në shtëpi”, – tregoi moderatorja.