Albspirit

Media/News/Publishing

Skënder Minxhozi: Kur kreu i shtetit fut kontrabandë … opozitën

Presidenti Meta po përpiqet të mbajë gjallë hijet e dyshimit mbi marrëveshjen e re detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke nisur një tur takimesh me paraardhësit e tij.

Ndërkohë që pritej që kreu i shtetit të formalizonte lejet e plotfuqishmërisë për panelin e negociatorëve, Meta ka vendosur të pijë një kafe me Berishën, Moisiun dhe Nishanin, e kjo duket se ka të bëjë kryesisht me faktorizimin në distancë të ish-kryeministrit, sesa me dëshirën reale të Ilir Metës për t’u informuar rreth asaj që duhet të bëjë konkretisht me procesin e negociatave për detin.

Nga ana tjetër, duke konsultuar Berishën, Presidenti bën sikur harron se po i merr mendim për plotfuqishmërinë personit, i cili në vitin 2009 as që e vuri ujin në zjarr për të kërkuar një leje të ngjashme tek presidenti i kohës Bamir Topi. Duke provokuar kështu me duart e veta rrëzimin e marrëveshjes së mëparshme të detit, ku asnjëri nga negociatorët që formatuan tekstin e saj, nuk kishte plotfuqishmërinë e presidentit.

Formalisht presidenti ka në dorë ta trajtojë sipas vullnetit të tij çeshtjen e plotfuqishmërisë për marrëveshjet ndërkombëtare. Në bazë të ligjit 43/2016 (neni 6), kreu i shtetit e jep plotfuqishmërinë pasi merr kërkesën zyrtare nga ana e Ministrisë së Jashtme dhe pasii vihet në dispozicion një kopje e projekt-marrëveshjes dhe një relacion shpjegues. Deri këtu gjithçka tingëllon si një rutinë normale institucionale, rreth të cilës nuk ja vlen të spekullohet. Presidenti Meta ka plotësisht të drejtë të kërkojë të informohet rreth procesit, të cilin po i kërkohet ta paisë me tagrin e përfaqësimit të shtetit. Ka të drejtë gjithashtu të kërkojë të gjitha shpjegimet që i sheh të arsyeshme, nga pozicioni i kryetarit të shtetit dhe në komunikim normal pune me institucionet e agjencitë që përfshihen në procesin e negociatave me një vend tjetër.

Problemi është se tentativa për të futur në këtë trajektore të mirëpërcaktuar institucionale ish-presidentët, i jep qëndrimit të presidentit një trajtë të panevojshme subjektiviteti dhe politizimi. Dihet se Sali Berisha tashmë ka deklaruar publikisht se marrëveshja detare nuk do të kalojë dhe se opozita do të bëjë maksimumin e obstruksionit për ta penguar atë. “Vetëm po të kalojnë mbi trupat tanë”, tha ish-kryeministri para pak ditësh kur u pyet për miratimin e marrëveshjes. A ka ndonjë vlerë të pyetet për negociatën aktuale, një politikan që thotë se do ta rrëzojë atë edhe duke u shtrirë në derën e Kuvendit?!

Ilir Meta mund të ketë simpatitë dhe antipatitë e tij politike, të vjetra dhe të reja. Rregullisht ka deklaruar se ka një pikë të dobët për Berishën dhe se me Ramën nuk është ndjerë kurrë komod. Çdo njeri është në të drejtën e tij t’i gjykojë si të dojë miqtë dhe armiqtë, por një kryetar shteti nuk e ka luksin të mendojë dhe të veprojë në planin personal.

Nëse qeveria tregohet e hapur dhe transparente në raport me të, është krejt e tepruar dhe hileqare ta hapësh rrethin e konsultave tek ata që tashmë janë deklaruar publikisht kundër marrëveshjes së re detare. Meta po kërkon që me anë të konsultave me Berishën e ish-presidentët e tjerë, të faktorizojë opozitën, të fitojë kohë për t’i bërë presion Ramës dhe të shpresojë tek një mobilizim imagjinar i opinionit publik kundër marrëveshjes. Ky lloj spektakli ka një çmim të kripur në raport me palën tjetër në tryezë, e cila pret me shumë dëshirë që të dalë dikush në Tiranë e t’i ngatërrojë nga e para letrat e Detit.

Please follow and like us: