Veton Surroi: Letër babait
Por, për herë të parë në historinë tonë, pas gati njëqind vite përpjekjesh po e rrumbullakojmë një kornizë, e cila na lejon që të ndërtojmë brenda, pa frikën e forcës brutale të fqinjit tonë.
1.
Do të jem në rrugën ”Nënë Tereza” pasi që të shpallet sot pavarësia e Kosovës. Tri momente do të më bien në mend. Në njërin, ti, Flaka dhe unë do të ishim në këtë rrugë, që atëherë quhej “Mareshali Tito”, duke festuar Vitin e Ri, njërin prej atyre të të gjashtëdhjetave, se ishim fëmijë, dhe fishekzjarrët e lëshuar nga ushtarët e APJ-së prej ndërtesës së “Ramiz Sadikut” do të na binin mu afër.
Në tjetrin, unë kthehesha me shokët e mi të shkollës, isha në fillore, dhe në platenë përballë hotel “Bozhurit” të atëhershëm do të shihja një autobus kuq e bardhë të “Kosovatransit” mbi të cilin kishin hipur disa njerëz që u prinin demonstratave. Ishte viti 1968, njerëzit bërtisnin “Kosova-Republikë” dhe sapo filloi të ndërhynte policia, një gazetar me përvojë më mori mua dhe shokët e shkollës drejt disa rrugicave prej të cilave do të mund t’i shpëtonim dajakut, a turmës.
Në të tretin, mijëra prishtinas do të dëgjonin thirrjen time dhe të shokëve të mi, dhe do të dilnin me rregull gjatë ditës, duke qëndruar gjysmë ore në heshtje, për të protestuar kundër gjendjes së jashtëzakonshme të vendosur në Kosovën e sunduar prej Milosheviqit, dhe gjysmë ore me qirinj të ndezur për të përkujtuar viktimat shqiptare të dhunës së pushtetit tij.
Momenti i parë i kujtimit filloi me një shëtitje të lehtë, ngrohtësinë e gështenjave të pjekura dhe të dorës tënde që i ngrohte ato tonat, fëmijërore.
Momenti i fundit mbaroi me erën e lotsjellësit; tashmë nuk kishte tubim prej disa shqiptarëve që nuk shpërndahej me kërbaç e lotsjellës.
2.
Dheu ishte i ngrirë kur të varrosëm. E preka, kishte akull në të, ndërsa arkivoli yt kishte zbritur tërësisht…
E ndrydha, që të mos binte një copë akulli, me tingullin e rëndë që përmbante; u bënë disa copëza dheu, me erën e tyre të dimrit që do të të binin mbi.
Kisha pritur që do të ktheheshe për Vit të Ri. Prisja se do të vazhdonim bisedat e zhvilluara gjatë verës, ti si babai që gëzohesh me momentin kur mund të bisedosh me të birin si me një të barabartë, unë si i biri që gëzohet për të njëjtën gjë.
Kur të pashë në frigoriferin e spitalit, me gjysmën e kokës ende të përgjakur, e të ndrydhur nga një shtyllë betoni, do të kisha edhe ndjenjën e pafuqisë. Ti, që për mua ishe simbol i drejtësisë, mirësisë, maturisë dhe i dashurisë për jetë, po përfundoje si viktimë e dhunës. Isha rritur me bindjen, apo tashmë iluzionin se dhuna tërheq dhunën, se njerëzit si ti nuk mund të jenë cak i dhunës.
Frigoriferi i spitalit të Guadalajarës, në Spanjë, më bindi se për ne vlente një ligj tjetër.
E di se mund të parandieje këso gjërash. Fytyra jote mërrolej me të dëgjuar për çfarëdo trazire në Kosovë, e dije se përgjigjja e Serbisë do të ishte e ashpër. E di, po ashtu, se Spanja ishte një çlirim. Në bisedat tona, do të kalonim pasazhe të tëra historike të historisë bashkëkohore të Spanjës, se si doli nga diktatura, se si mbërriti tranzicionin në sistem shumëpartiak, se si iu bashkua Evropës. Në sytë e tu shihja ekzaltimin e një ardhmërie evropiane për ne, dhe një Kosove të barabartë me republikat e tjera.
Kur të varrosëm, i premtova vetes, se gjërat do të ndryshonin, ndonëse nuk dija as si, e as në çfarë drejtimi.
Kur kthehesha te varri yt, kisha çka të të tregoja; çdonjëri prej këtyre njëzet viteve kishte sjellë ngjarje dramatike, për këtë vend dhe mua.
3.
Rea, mbesa jote, ishte dymuajshe kur e mbajte në duar, gjatë një vere të vetme dhe të papërsëritur në vitin 1988.
Në nëntor të vitit të kaluar doli për të votuar për herë të parë. E shoqërova në vendin e votimit, aty ku kishte kryer shkollën e fillore, te “Ismajl Qemajli”. Kur filloi të shkonte në shkollë, punët në Kosovë u acaruan gjithnjë e më shumë. Ndërtesa e shkollës u nda dysh, në njërën anë ishin nxënësit serbë e në anën tjetër ishin shqiptarët. Serbët kishin ngrohje në dimër, e Rea gjashtë vjeçe më thoshte se në anën e saj të shkollës bëjnë shumë gjimnastikë, në mesin e çfarëdo ore, për t’u ngrohur.
Kur kishte qenë gjashtëmuajshe, qëlluam rastësisht në qytet kur policia filloi të shpërndante demonstratat me lotsjellës e dajak. E mbështolla nën pallton time derisa të fshiheshim diku. Ajo shpëtoi nga lotsjellësi, mua më rridhnin lotët gjatë tërë kohës.
Kur u ndalën, lotët nuk u shfaqën deri në momentin e zgjedhjeve në nëntorin e vitit të kaluar. Atëherë, kur hyra me vajzën në shkollën e saj fillore, m’u mbushën sytë. Rea ishte tash në moshë të merrte vendime për Kosovën e lirë, mu aty ku kishte qenë e diskriminuar si nxënëse, por i kishte bërë ballë, si edhe të gjithë ne.
4.
Nuk do të jetë e mundur ta nënshkruaj Deklaratën e Pavarësisë që do të lexohet sot në Kuvendin e Kosovës. Ç’është e vërteta, nuk e di as kush e ka shkruar, por e di që nuk është shkruar nga ne, kosovarët. As kjo nuk është me rëndësi. Me rëndësi është që kjo Deklaratë të bëhet, dhe të përkrahet nga shumica e shteteve të botës.
Këtë deklaratë nuk do ta nënshkruajnë pothuaj asnjëri prej shokëve me të cilët projektuam një vizion të ri në vitin 1990. Atëbotë, në shtëpinë e të ndjerit Fehmi Agani, dhe nën kryesimin e të ndjerit Ibrahim Rugova, kaluam një prag mendor, të cilin gjenerata jote as që mund ta kishte parasysh. Ti, dhe gjenerata jote, kishit një vizion, ndërtimin e shtetësisë së Kosovës brenda Jugosllavisë, me gjithë rreziqet e pengesat që do të dilnin. Unë pata fatin, dhe detyrimin, që në kushtet e zhbërjes së Jugosllavisë, të ndërtoja një vizion të ri. Në Kosovën e pushtuar, si asnjëherë më parë, nga forcat mbisunduese ushtarake e policore serbe, isha pjesë e ndërtimit të vizionit për Kosovën e pavarur.
Gjatë këtyre viteve, jam përpjekur, me aq sa mundem, kam dhe di, që ta bëj të mundshëm këtë vizion. Edukata familjare, siç e di ti mirë, nuk më lejon që të flas në hollësi për veten, për atë që kam bërë në këto vite. Mund të them, megjithatë, se ke arsye të krenohesh me mua: e kam përfaqësuar këtë vend me dinjitet e dashuri, kam hyrë në dyluftim për të sikur të ishte beteja e fundit.
Brenda Kosovës, jam përpjekur, kam ndërtuar institucionet e shprehjes së lirë. Kam vazhduar aty ku e kishe lënë ti punën; ti ishe ndërtues i shtypit të parë shqip, unë isha i shtypit të parë të lirë shqip.
Kur dola për herë të parë në foltoren e Kuvendit të Kosovës, kisha parasysh se nga ajo ti kishe shpallur hapjen e Universitetit të Prishtinës me fjalët se gjuha shqipe më nuk do të ishte gjuha e sharrëxhinjve, por gjuha e shkencës dhe artit. Unë u përpoqa ta vazhdoj atë mendim, duke thënë se vendi ynë duhet të ndërtohet me bazat e përkatësisë së vet të vërtetë, të përkatësisë evropiane, dhe se pavarësia është një instrument i domosdoshëm i ndërtimit të identitetit evropian të Kosovës.
Nënshkrimi im nuk do të jetë në Deklaratën e Pavarësisë.
E kisha vënë një nënshkrim më herët, në Rambouillet. Ishte i një njeriu që donte, në momentet e luhatjes së delegacionit kosovar, ta lidhte Kosovën me Perëndimin në mënyrë që të shpëtojë ekzistencialisht dhe që të mbërrinte aty ku është sot.
5.
Do të jemi në rrugë sot.
Vendi ynë është i varfër. Në të nuk sundon ligji, por, në masë të madhe, forca arbitrare. Në botë nuk kemi emër të mirë, na lidhin me korrupsion e kriminalitet. Ende përballemi me probleme, të cilat menduam se i zgjidhëm para gjysmë shekulli, si rryma dhe uji.
Unë jam përpjekur që të mbaj të gjallë shpirtin e ndërtimit të një shoqërie demokratike e të solidaritetit. Që të dyja janë të rrezikuara dita-ditës.
Por, për herë të parë në historinë tonë, pas gati njëqind vite përpjekjesh po e rrumbullakojmë një kornizë, e cila na lejon që të ndërtojmë brenda, pa frikën e forcës brutale të fqinjit tonë.
Sot, gjenerata ime po e korrigjon një gabim historik, që e la vendin tonë në një hapësirë zbrazëtire mes Perandorisë Otomane dhe vetëvendosjes.
Kosova jote, ajo për të cilën u përpoqe që të bëhet e barabartë brenda Jugosllavisë, po bëhet Kosova ime e pavarur.
Do të jemi në rrugë sot, unë dhe shpirti yt i buzëqeshur Rexhai Surroi, duke e gëzuar këtë Ditë Historie./Koha.net/