Albspirit

Media/News/Publishing

10 VJETORI I PAVARËSISË, ÇMIMI I LIRISË DHE SHQIPTARËT E NJU JORK-ut

1 Policet OK1 Mark

-MANIFESTIM MADHËSHTOR I ORGANIZATAVE TË BASHKUARA NË NJU JORK PËR 10 VJETORIN E PAVARËSISË/

IMG_0830

NGA DALIP GRECA/*

Përvjetori i 10-të i Pavarësisë së Kosovës i gjeti të bashkuara pjesën më të madhe të organizatave të komunitetit shqiptar. Këshilltari i Nju Jork-ut, bashkëkombasi ynë Mark Gjonaj, pas një takimi, darkë pune me Kryetarin e Vatrës me 19 dhjetor 2017, z. Dritan Mishto, u bëri thirrje organizatave të komunitetit që ta festonin së bashku Përvjetorin e 10 të Pavarësisë Kosovës. Vatra dhe 15 organizata u bënë bashkë, duke ia lënë nderin e përshëndetjes organizatës më të vjetër të shqiptarëve të Amerikës, Vatrës 105 vjeçare dhe kryetarit të saj aktual z. Dritan Mishto.
KRONIKA: Festimi i Pavrësisë së Kosovës u organizua në restorantin luksoz Marina del Ray nën shoqërimin e borës që binte prej orës 5 pm. Bora nuk i zmbrapsi bashkatdhetarët, edhe pse një pjesë prej të cilëve udhëtonte nga Nju Xhersi dhe Kënektikat. Në një mjedis festiv të dekoruar në rezonancë me ngjyrat e flamurit të shtetit më të ri në Botë, me një ndriçimin flourishent, më shumë se 700 bashkatdhetarë kanë festuar së bashku. Në moderimin elokuent të Drilona Bajramit dhe Dardan Gjonbalaj, dhe masave të shkëlqyera të vullnetarëve që kanë përgatitë manifestimin, festa ka ruajtë ritmin nën një organizim perfekt, ku mbizotëruan emocionet.
..Festohet, gëzohet, por edhe kujtohet. Çmimi i Lirisë erdhi nga mbështetja e fuqishme e Amerikës dhe aleatëve Europianë, por mbi të gjitha nga sakrificat sublime të qytetarëve të Kosvës dhe kontributi i pazëvendësueshëm i Diasporës. Është kjo arsyeja që në faqen e katërt të programit që ishte mbi tavolina shkruhej: Në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës- Le të kujtojmë çmimin e Lirisë!
– Mbi 13,000 vetë u vranë.
– Mbi 1,400 fëmijë u vranë.
– Mbi 20,000 vajza dhe gra u përdhunuan.
– Mbi 700.000 njerëz u dëbuan nga shtëpitë e tyre.
– Mbi 100.000 shtëpi janë shkatërruar dhe dëmtuar.
– Mbi 1.200 kosovarë janë ende të zhdukur…
A mund të harrojmë? Kurrësesi!
Ne kurrë nuk do të harrojmë…
Është kjo arsyeja që kjo festë ishte koncepruar ndryshe pasi nuk është si gjithë të tjerat; ka formatin njerëzor të sakrificave sublime, ka amanetin e të rënëve, ankthin e të humburve, psherëtimat e të përdhunuarave, ndaj duhet të jetë një Festë-Apel; një Kujtese në çdo përvjetor: Politikanët dhe shtetarët e Kosovës duhet që para se të nisin punët ditore, të sjellin ndërmend çmimin e Lirisë, të mendojnë se në karriget ku ulen dhe bëjnë karrierë, është një shpirt që dhemb; është një jetë e humbur, të mos vrapojnë pas pasurisë e privilegjeve, korrupsionit, amoralitetit, por të çojnë në vend amanetin e të rënëve dhe të humburëve të pakllur. Kujdes, mos e zhbëni shtetin, që nuk është merita juaj!
***
Le të kthehemi tek Festa e së shtunës, 17 Shkurt 2018, në Restorantin Marina Del Ray: Restoranti duket se hyri në rezonancë me hapat marshus të policëve shqiptaro-amerikanë,të grupuar në Shoqatën e tyre me emrin e lashtë arbëror”Illyria”. Të veshur me uniformën e policisë amerikane ata i dhanë solemnitet ceremonisë të ngritjes së Flamurit të Shtetit të Kosovës. Salla duket e mbërthyer nga emocionet në ato momente solemne. Të gjithë janë çuar në këmbë dhe kanë përcjellë ceremoninë, duket se për një çast janë ndalur frymëmarrjet…
Solemnitet dhe në përcjelljen e Hymneve Kombëtare të SHBA-ve dhe Shqipërisë nga Jesicca Raja, ndërkohë që kolona muzikore e Hymnit të Kosovës e përmbyll pjesën e ceremonisë solemne, për t’i lënë vend fjalimeve dhe kujtimeve.
I pari i festës, Këshilltari i Nju Jork-ut, z. Mark Gjonaj, përmes fjalës përshëndetse, përcjell urimet për festën e Pvarësisë, mesazhet, jo vetëm për festën, por edhe edhe për programin e së nesërmes për komunitetin e bashkuar shqiptar për ruajtjen e identitetit Kombëtar dhe rritjen e krenarisë shqiptaro-amerikane.
Programi që ai synon të arrijë me bashkatdhetarët të mbush me shpresë se pasardhësit e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Shën Terezës, shqiptarët-Ilirë, do ta ruajnë identitetin e tyre Kombëtar, duke filluar nga fëmijët e vegjël e rritur në SHBA. Për këtë arsye ai synon futjen e mësimit të gjuhës shqipe si gjuhë e dytë në shkollat amerikane. Dhe ky nuk është projekt i largët, por program që nis prej shtatorit të 2018-ës, duke filluar me parashkollorët në Shkollën Publike 105 në Bronx.
Një investim tjetër do të jetë ai për figurat-simbol të Kombit, siç është Shenjtëresha me gjak shqiptar-Shën Tereza. Për një shesh me emrin e saj në Pelham Parkway, kryeqendrën shqiptare në Bronx, do të investohen 500 mijë dollar.Ka dhe më…
…Me shqiptarët duket se është familjarizuar edhe Presidenti i Bronksit z. Ruben Diaz Jr. i cili i ka uruar shqiptarët për celebrimin e 10 vjeorit të Pavarësisë së Kosovës dhe i ka dorëzuar Konsulles së Përgjithshme të Kosovës, kryediplomates kosovare në Nju Jork, zonjës Teuta Sahatçija, Proklamatën e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Konsullja e Përgjithshme Sahatçija, ka mbajtur një fjalim emocionues, ku ka përshkruar rrugëtimin e Kosovës drejt Lirisë dhe Pavarësisë.
Z. Dritan Mishto, Kryetar i Vatrës, ka përcjellë një përshëndetje të ngrohtë e të duartrokitur, jo vetëm në emër të vatranëve, por në emër të gjithë organizatave pjesmarrëse.
Z. Mishto, tha se kjo është e vetmja diasporë në rruzullin tokësor, që fëmijët e saj u lindën dhe u rritën në Amerikë, por kur atdheu ishte në rrezik, ata morën armët në dorë dhe të rreshtuar në radhët e Batalionit”Atlantiku” marshuan drejt Kosovës, duke bërë sakrifica sublime.
…..A nuk ishin të lindur në SHBA tre vëllezërit Bytyçi, që lanë Amerikën, dhe u bënë dëshmorë të lirisë?
A nuk ishte i tillë kampioni i Europës, dëshmori i Kosovës, Vezir Ademaj, që la rehatinë e kampionit në Zvicër, dhe dha jetën për Kosovën e Lirë?
…Historia përsëritet; dikur, në fillimet e vitit të largët 1920(shkurt), bijtë e shqiptarëve të Amerikës, linin rehatinë personale dhe nën rreshtat e Trupave Vullnetare të Federatës “VATRA” dhe Bandës Muzikore”VATRA” shkonin t’i shërbenin Shqipërisë, që kërcënohej nga fqinji jugor, Greqia. Dhe në fund të shekullit, bijtë e shqiptaro-amerikanëve, linin familjet dhe shkonin t’i sillnin Lirinë Kosovës!
…..Më pas z. Mishto ka prezantuar folësen kryesore të mbrëmjes, ”Yllin e darkës” Kapitenen e Ushtrisë Amerikane, oficeren e lartë, të dekoruar me shumë medalje, madje edhe nga Sekretari i përgjthshëm i NATO-s, oficeren e shtabit të Ushtrisë amerikane në Europë, Yllka Cana, që erdhi në SHBA në moshën 10 vjeçare. Vetë Kapitenia Cana, plot emocion, ka rrëfyer rrugën nëpër të cilën eci deri tek suksesi. Ajo ishte folësja kryesore e darkës.
Emocione u krijuan tek pjesmarrësit në momentet ku u kumtuan çmimet e nderimit pas vdekjes të tre prej më të shquarve: Tahir Kërnaja, Ali Lajqi dhe Ibadete Thaqi.
Organizatorët sollën përmes ekraneve përshëndetjet e amerikanëve të shquar, miq të Kosovës dhe Kombit Shqiptar: Presidenti Bill Clinton, Gjenerali Wesley Clark dhe ambasadorja në Kombet e Bashkuara Nick Haley. Bashkatdhetarët të ngritur në këmbë i përcollën me duartrokitje këto përshëndetje me mesazhe shprese.
Një atmosferë të veçantë festive sollën artistët amatorë të Ansamblit Rugova, të cilët nën ritmet e Tupanit, kërcyen e hodhën valle karakteristike rugovase. Vajzat dhe djemtë, artistë, ruajnë traditat e shquara të Rugovës këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Grupi muzikor” 4 Yjet” me Shqipe Kastratin, Nadin si dhe Ludmilla Baballëku, i argëtuan pjesmarrësit, të cilët nuk e lanë bosh pistën e vallëzimit. Një festë për t’u mbajtur mend.Edhe shumë përvjetorë të tjerë festofshim së bashku!

Please follow and like us: