Tiranë, përkujtohet rrëzimi i monumentit të diktatorit Hoxha
Veprimtarë e protagonistë të ngjarjeve të viteve 90, historianë e politikanë morën sot pjesë në një konferencë mbi 27 vjetorin e rrëzimit të monumentit të diktatorit Enver Hoxha.
Ish-presidenti i Republikës, Sali Berisha, tha në konferencën e organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer, se rrëzimi i monumentit ishte ngjarja më kulmore e fundit të diktaturës.
Ai tha se diktatura komuniste e Ramiz Alisë vrau dhe burgosi shqiptarët deri ditën e fundit.
“Diktatura e dytë ishte ajo e mjerimit e ndërtuar qëllimisht nga diktatori Enver Hoxha, por diktatura e tretë ishte kulti i individit. Sot është jashtë imagjinate ajo periudhë e errët” – tha zoti Berisha.
Ai tha se kulti i Enver Hoxhës ishte qëllimi kryesor i lëvizjes antikomuniste, ndaj mjediset universitare u kërkua të zbrazeshin nga bustet dhe fotot e diktatorit.
“Lëvizja studentore u mbështet nga sindikatat dhe qytetarët. Atë ditë Ramiz Alia dha urdhër në një mbledhje ushtarake që të qëllohej mbi protestuesit. Kjo është e vërteta, që urdhëri u dha, por mbetet në meritën e atyre që nuk qëlluan mbi qytetarët” – tha zoti Berisha.
Ai tha se Neritan Ceka shmangu një gjakderdhje, kur bindi protestuesit, që të mos shkonin drejt Bllokut të zbrazur të udhëheqjes komuniste.
Qytetarët ishin të vendosur të rrëzonin kultin e diktatorit Enver Hoxha dhe e arritën këtë, tha ai.
Diplomati dhe publicisti Besnik Mustafaj solli detaje nga 20 shkurti 1991, dita kur mijëra qytetarë u bashkuan në sheshin Skënderbej dhe rrëzuan monumentin e diktatorit Enver Hoxha.
“Zyra ime e gazetarit ishte shumë pranë sheshit dhe kjo më ndihmoi të raportoja shpejt një ngjarje mjaft të rëndësishme” – tha zoti Mustafaj, dikur bashkëpunëtor i agjencisë AFP.
Ai tha se atë ditë gjithë Qyteti Studenti ishte në shtetrrethim dhe mijëra ushtarë e oficerë kontrollonin hapësirat në kryeqytet.
“Ishte frikë e madhe dhe po aty ishte trimëri e madhe dhe njerëzit e vranë frikën, ndërsa lajmi e tejkaloi izolimin e Shqipërisë” – tha zoti Mustafaj.
Më tej e mori fjalën drejtori i “Zërit të Amerikës” për divizionin e Euro-Azisë, dr.Elez Biberaj. Ai kujtoi një mori detajesh nga mbulimi i atyre ngjarjeve të rëndësishme kur drejtonte radion “Zëri i Amerikës” në gjuhën shqipe. Zoti Biberaj ritransmetoi në sallë me zëra disa pjesë nga intervistat e transmetuara nga “Zëri i Amerikës” me personalitete të kohës si Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Sali Berisha, Napoleon Roshi dhe studentëve drejtues të grevës së urisë si Arben Lika dhe studente e qytetare të thjeshta.
Radio “Zëri i Amerikës” ishte e vetmja media e rëndësishme ndërkombëtare, që mbuloi nga afër lëvizjen demokratike studentore në kapërcim të viteve 1990-1991, dhe ndikoi në rrjedhën e ngjarjeve me një mori lajmesh dhe intervistash me protagonistët e zhvillimeve.
Ismail Kadare tha në intervistën për “Zërin e Amerikës” atë ditë: “I bëj thirrje Presidentit Ramiz Alia që të mos dëgjojë këshilltarët e tij të këqij, por të dëgjojë zërin e studentëve shqiptarë. Ata e duan Shqipërinë më shumë se këshilltarët e keqij. Në qoftë se Presidenti Ramiz Alia dëshiron që bota përparimtare ta përkrahë aksionin e tij të pajtimit kombëtar e të demokracisë, në qoftë se ai e dëshiron më të vërtetë këtë pajtim, e unë shpresoj se është kështu, ai duhet të mbledhë mendjen njëherë e përgjithmonë se përpara interesave të Shqipërisë e të shqiptarëve s’mund të qëndrojë asgjë dhe askush, asnjë doktrinë, asnjë emër, asnjë parti, e asnjë shef partie. Shpresoj shumë që zëri i arsyes të dëgjohet në Shqipëri”.
Studiuesi Elez Biberaj theksoi se sot “27 vjet pas rrëzimit të monumentit të Hoxhës, shqiptarët ende nuk e kanë lënë pas të kaluarën e tyre të errët komuniste dhe ende nuk i kanë kapërcyer traumat që la pas regjimi i Enver Hoxhës. Paaftësia për të arritur në një konsensus për trashëgiminë e Hoxhës ka prodhuar konflikte të thella, polarizim të shoqërisë dhe debate të pafundme rreth kujtesës historike të Shqipërisë. Asnjë qeveri pas-komuniste nuk ka kërkuar falje për krimet e regjimit të Hoxhës” – tha zoti Biberaj.
Ai tha që megjithë natyrën shtypëse të regjimit të Hoxhës, shqiptarët kanë një qëndrim të paqartë rreth figurës së Hoxhës, vazhdojnë të jenë në konflikt për të dhe ndeshen me vështirësi kaq të mëdha për ta diskutuar pa pasion trashëgiminë e tij.
“Prirja mbizotëruese në vitin 1991, që dënonte krimet e së kaluarës komuniste të vendit, përgjithësisht është zëvendësuar nga një frymë alternative që nxjerr në pah rolin e Hoxhës gjatë luftës, vlerëson arritjet gjatë sundimit të tij, por pa dënuar me vendosmëri terrorin e ushtruar nga Hoxha dhe arrihet deri aty sa të vendosë në mënyrë të pamoralshme shenja të barazisë mes qëndrimeve komuniste dhe anti-komuniste” – tha zoti Biberaj.
Ai theksoi se kujtesa e krimeve të Hoxhës nuk është më pjesë e rëndësishme e debatit publik, se ajo është lënë mënjanë dhe se me ikjen e brezave të vjetër, ekziston rreziku që kjo kujtesë gradualisht të fshihet.
“Ndoshta kjo gjendje është pasqyrë e përpjekjeve të vështira të Shqipërisë drejt gjetjes së rrugës për një demokraci të konsoliduar dhe të qëndrueshme. Por shqiptarët dhe elitat e tyre kanë një përgjegjësi morale të përballen publikisht dhe të dënojnë çmenduritë e së kaluarës komuniste dhe të përpiqen të kapërcejnë traumat e lëna pas nga regjimi i Hoxhës. Është me rëndësi që kujtesa të mbijetojë, në mënyrë që aspekte të asaj periudhe të tmerrshme, të mos përsëriten kurrë më” – tha zoti Biberaj./VOA/