Reshat Kripa: Mos harroni përbindëshin komunizëm!
Në historinë e kombeve të ndryshëm ka disa data që në kujtesën e popujve bëhen simbole të epokave që ato përfaqësojnë. Kështu edhe në historinë e Shqipërisë, kanë hyrë për të mos u shlyer nga kujtesa data të tilla, të ndritura apo të errëta, si 28 nëntori 1443, kthimi triumfal i Gjergj Kastriotit në Krujë, 28 nëntori 1912, shpallja e Pavarësisë Kombëtare, 7 prilli 1939, dita e pushtimit të vendit nga agresorët italianë, 1-2 gushti 1943, Konferenca e Mukjes, 29 nëntori 1944, dita e restaurimit të regjimit diktatorial në Shqipëri dhe të tjera.
Në radhën e këtyre datave ka hyrë edhe 20 shkurti 1991, data e rrëzimit të monumentit të diktatorit, që erdhi si rezultat i rezistencës gjysmë shekullore që nacionalizmi shqiptar i bëri komunizmit dhe që u kurorëzua me sukses pas revoltës së studentëve shqiptarë në atë fund dhjetori të vitit 1990.
Shqipëria më në fund kishte vendosur të hynte në familjen e madhe europiane, në atë familje ku nuk pranoheshin tiranët dhe tirania e një individi ndaj një tjetri, e një klase ndaj një tjetre. Shqiptarët u futën me dëshirë dhe vullnet në rrugën e demokracisë. U bënë shumë gjëra të mira që as mund të silleshin ndër mend vite më parë. Mbi të gjitha individi fitoi personalitetin e humbur. Vendi filloi të ndërronte pamje, të synonte majat e ëndërruara. Parulla e njohur “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa“ filloi të bëhej realitet. Mirëqënia dhe begatia filluan të japin frutet e tyre.
Por, për fatin tonë të keq, harruam nga kishim ardhur dhe rrugën nëpër të cilën kishim kaluar. Harruam të vrarët dhe ata që i vranë, të burgosurit dhe ata që i burgosën, të internuarit dhe ata që i internuan. Harruam poshtërimin dhe fyerjen që na bëhej në çdo hap të jetës. Harruam mjerimin që na kishte pllakosur në familje. Harruam ditët kur drejtoheshim nga njerëz të rëndomtë e shpirtzinj, ku nallbani i jepte leksione shkencëtarit, ku bejtexhiu i jepte leksione artistit, ku nderi i femrës shqiptare varej nga morali i një sekretari partie, drejtori, shefi dhe deri një brigadieri të pështirë kooperative.
Mbi të gjitha harruam sigurimin famëkeq të shtetit ku, si rezultat i holokaustit të zhvilluar prej tij, u vu djali kundër babait, vëllai kundër vëllait, shqiptari kundër shqiptarit, ku spiunllëku u fut deri në qelizat më të fshehta të njerëzve, ku u dogjën kisha e xhamia për t’i hequr këtij populli atë ndjenjën e vetme fisnike që i kishte mbetur, besimin ndaj Zotit dhe bashkë me të edhe besimin ndaj njëri-tjetrit. Duke harruar Sigurimin e Shtetit, ne harruam edhe burimin e kësaj pjelle makabre, komunizmin. Duke rrëzuar monumentin e diktatorit, menduam se rrëzuam edhe sistemin obskurantist që i kishte shkatërruar jetën një populli të tërë.
Por gabuam rëndë. Në vend që të bashkoheshim në një front të vetëm antikomunist, u ndamë në dhjetra parti dhe shoqata, a thua se komunizmi nuk kishte ekzistuar kurrë. Në vitin 1945, kryekomandanti i forcave aleate në Gjermani, gjenerali amerikan Ajzenhauer, si detyrë prioritare vuri denazifikimin e Gjermanisë. Ai e dinte se pa këtë proçes nuk mund të ndërtohej një Gjermani demokratike. Kurse ne menduam se mund të ndërtonim një shtet demokratik pa bërë dekomunistizimin e vendit. Ne i lamë bashkë kriminelët me viktimat, ujqërit me delet, bile në ndonjë rast vendosëm edhe ujkun çoban. Ne nuk dënuam krimin dhe kriminelët. Ata depërtuan nëpër partitë dhe shoqatat, në gjykatat dhe prokurorit, në ushtri dhe deri në parlament. Rezultatin e kësaj miopie e provuam në atë vit të zi 1997 dhe e ndjejmë akoma edhe sot. Ai vit na tregoi se në këtë drejtim kishim luftuar si Don Kishoti me mullinjtë e erës. Kishim rrëzuar vetëm bronxin e atij monumenti, ndërsa hijen e diktatorit e kishim lënë të endej e lirë dhe kërcënueshëm, në çdo skaj të atdheut.
Sot ajo hije është në komandë të vendit. Atë e gjen kudo, në krye të administratës
qëndrore dhe lokale, në krye të qeverisë dhe parlamentit. Kujtoni kremtimin e ditës së “çlirimit” me portretet e hijes së diktatorit, ku këto portrete dhe thirrje nostalgjike ishin lejtmotivi që e shoqëronte këtë kremtim në prani të trashëgimtarëve të denjë të kësaj hije. Nuk mjaftuan të gjitha këto por, për t’i vënë vulën, në këtë kor korbash bashkohen edhe ekstremistë që e shpallin diktatorin njeriun e shekullit.
Disa vite më parë në stadiumin e Romës, gjatë një ndeshjeje futbolli, u shfaq portreti i Musolinit dhe pankarta në përkrahje të kriminelit Arkan. Ishin të mjaftueshme këto që të sensibilizoheshin jo vetëm drejtuesit e stadiumit, por edhe Bashkia e qytetit, qeveria, parlamenti dhe deri Presidenti i Republikës. Kurse drejtuesit tanë heshtin. Hesht Kryetari i Kuvendit. Hesht Kryeministri. Heshtin të gjithë. Nuk ka si të ndodhë ndryshe. Ata janë pjellë e tij. Janë ata që kërkojnë ta ringjallin atë. Por çudia është se bashkë me ta hesht edhe bota perëndimore Kur në Austri erdhi në pushtet një qeveri e ekstremit të djathtë, ndonëse me votat e popullit të vetë, bota perëndimore iu kundërvu në mënyrë të menjëhershme dhe të vendosur, duke arritur në disa raste deri në tërheqjen e ambasadorëve. Një gjë e tillë u bë për t’i prerë rrugën restaurimit të nazizmit në Europë.
sPse nuk bëhet një gjë e tillë edhe në Shqipëri? A mos vallë komunizmi është më pak i egër, më pak mizor se nazizmi? Ne që i kemi provuar të dy pushtimet, që i kemi hequr mbi shpatullat tona pasojat e të dyjave, ju themi se sistemi komunist është më barbari që ka njohur historia botërore. Është detyra e shqiptarëve ta mposhtin atë. Eshtë detyra e tyre të ngrenë zërin sa nuk është vonë. Ne duhet t’i drejtohemi popullit tonë dhe gjithë botës dhe t’i themi me zë të lartë:
Mos harroni përbindëshin komunizëm!